SHKUP- Në një mbrëmje magjike në 'Todor Proeski Arena' të Shkupit, Shkëndija e Tetovës siguroi të enjten një fitore historike ndaj kampionëve të Bullgarisë, Ludogorets, duke triumfuar me rezultatin 2-1 në ndeshjen e parë play-off të Europa League.
Miqtë kaluan të parët në avantazh në minutën e 17-të me golin e Deroy Duarte, por kuqezinjtë e trajnerit Jeton Beqiri reaguan shpejt. Në minutën e 35-të, Liridon Latifi realizoi një supergol nga goditja e lirë, duke barazuar shifrat dhe ndezur atmosferën në tribuna.
Pjesa e dytë solli momentin e madh të kapitenit Besart Ibraimi, i cili në minutën e 60-të shënoi golin e fitores pas asistimit të Latifit, duke e çuar stadiumin në festë. Deri në fund, Shkëndija mbrojti avantazhin, me portierin Gaye që u shndërrua në hero me disa pritje vendimtare.
Ky rezultat jo vetëm që i jep Shkëndijës një avantazh të çmuar përpara ndeshjes së kthimit në Razgrad, por gjithashtu tetovarët kanë siguruar grupet e Conference League.
Shkëndija fitoi 2-1 me përmbysje kundër kampionëve të Bullgarisë, Ludogorets. Golin e barazimit 1-1 për klubin shqiptar në Maqedoninë e Veriut e shënoi Liridon Latifi.
Fantazisti nuk u tremb nga distanca e madhe e goditjes së lirë (afro 25 metra), por lëshoi një të djathtë 'predhë' që u ndal vetëm nga rrjeta, pasi portieri Padt nuk kishte se çfarë të bënte në këtë rast. Padyshim një nga golat më të bukur të së enjtes në Europa League.
Tetovarët pas një jave luajnë në Bullgari dhe janë 90 minuta larg ëndrrës për të qenë për herë të parë në grupin e Europa League.
LIRIDON LATIFI ??⚽️
— ??????? ?? (@LavdoFCB) August 21, 2025
FORCA SHKËNDIJA! ??? pic.twitter.com/7Gf1dfBRhM
Komente
