EUROPOL ka njoftuar zyrtarisht goditjen e organizatës kriminale të Franc Çopjas të përfshirë në trafikun e sasive të mëdha të kokainës përmes dy episodeve nga Amerika Latine drejt Evropës, që ka qarkulluar miliona euro.
Në datat 7 dhe 8 gusht 2025, një seri kontrollesh në Shqipëri me urdhër të SPAK dhe GJKKO çuan në arrestimin e 10 personave të përfshirë në trafik ndërkombëtar të sasive të mëdha të kokainës dhe pastrim parash.
“Operacioni u zhvillua nga autoritetet shqiptare të rendit në bashkëpunim të ngushtë me kolegët e tyre nga Belgjika, Franca, Gjermania, Italia dhe Holanda, me mbështetjen e Europol, duke goditur një rrjet kriminal me bazë klanore. Hetimet kanë zbuluar se ky rrjet kishte lidhje me organizata të tjera kriminale ndërkombëtare me rrezikshmëri të lartë, aktive në mbarë BE-në dhe më gjerë”, njofton Europol.
Gjatë operacionit u sekuestruan një resort turistik, vila, apartamente, toka, automjete dhe aksione në kompani me vlerë prej disa milionë eurosh; 111 800 euro, 4 000 dollarë amerikanë dhe 880 000 lekë shqiptare (rreth 9 048 euro) në cash.
Përkundër faktit se platforma e komunikimit të enkriptuar Sky ECC u çmontua mbi katër vite më parë, analizimi i përmbajtjes së saj nga Europol vazhdon të japë rezultate operacionale.
Operacioni i drejtuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kishte në qendër një shtetas shqiptar të përfshirë në trafik ndërkombëtar të kokainës dhe pastrim parash.
Hetues nga Shqipëria, Belgjika, Franca dhe Holanda, së bashku me ekspertët e Europol, analizuan të dhënat e komunikimeve të enkriptuara nga platforma Sky ECC.
Midis episodeve të dokumentuara kriminale ishin dërgesa të shumta me tonelata kokainë nga Amerika Latine drejt porteve kryesore të BE-së, përfshirë Hamburgun dhe Roterdamin.
Vetëm në një nga këto ngarkesa, organizata dyshohet se ka përfituar mbi 40 milionë dollarë.
Kreu i organizatës kriminale ishte përgjegjës për organizimin e dërgesave dhe investimin në sasi të mëdha kokainë, duke i koordinuar aktivitetet kriminale edhe nga vende të largëta përmes mjeteve të enkriptuara të komunikimit.
Ai ishte në kërkim nga drejtësia shqiptare pas një vendimi për njohjen e një dënimi me 21 vite burg të dhënë nga një gjykatë italiane për vrasje, privim të lirisë, fshehje të kufomës, kërcënime, posedim të paligjshëm të lëndëve plasëse dhe armëve si dhe pengim të drejtësisë.
Europol i referohet dy vëllezërve Ervis dhe Ardjan Çela, të dënuar me burg në Itali për vrasje. Ata kanë qenë të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana me kartelë “të kuqe” pasi autoritetet italiane kishin lëshuar urdhër-arresti për vrasje dhe rrëmbim personi.
Ervis Çela është i dënuar me 30 vite burg në Itali, nga të cilat i kanë mbetur 25 vite e 10 muaj.
Ky rrjet kriminal shqiptar vepronte në shkallë globale, duke bashkëpunuar me grupe të tjera që mundësonin transportet drejt porteve evropiane. Fitimet e mëdha, të cilat kapnin dhjetëra miliona euro, investoheshin në prona dhe biznese në Shqipëri dhe vende të tjera të Europës.
Europol thotë se ofroi ekspertizë të gjerë në lidhje me strukturat e krimit të organizuar, trafikun e drogës në shkallë të gjerë dhe pastrimin e parave.
Gjatë operacionit të zhvilluar në Shqipëri, një agjent i krimit të organizuar të Europol ishte i pranishëm në terren.
Lajmi kryesor:
DOSJA/ Eurot e kokainës u groposën në rrënjët e ullinjve, Franc Çopja këshillonte: Më mirë investoji në lingota ari, nën tokë do prishen (PËRGJIMET)
V.GJ /ReportTv.al
