Politikë

Samiti i Komunitetit Politik, Rama pret liderët, mes tyre edhe Zelensky! Kallas: Shqipëria, progres të shkëlqyer me reformat! Rutte: Rusia s’do marrë më asnjë kilometër në Ukrainë

16 Maj, 07:08| Përditesimi: 16 Maj, 17:50

  • Share

Tirana është kthyer në epiqendrën e Europës, ku për herë të parë pret sesionin e gjashtë të Samitit të Komunitetit Politik Europian. Një nga një, liderët parakaluan në tapetin e kuq dhe u pritën nga kryeministri Edi Rama, i cili nuk kishte ‘harruar’ të vishte as atletet me numrin 5 dhe yllin e BE-së që e shoqëruan gjatë një muaji në fushatë zgjedhore. Koha nuk ishte në favor, me shi dhe vranësira, por kryeministri zgjodhi ta kalojë me batuta "shiun e sollën anglezët". 

Nga përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të BE-së, presidentja e KE Ursula von der Leyen, shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kalas, shefi i NATO-s, Mark Rutte, presidenti i Këshillit të Europës, Antonio Costa, e deri tek udhëheqësit e Spanjës, Pedro Sánchez, kryeministri hungarez Viktor Orban, ai britanik Keir Starmer, i cili një ditë më parë u prit nga Rama edhe në një vizitë zyrtare. Nuk mungoi as presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe as liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, mes tyre presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

Momenti i veçantë mes Ramës dhe Girogia Melonit nuk u shpëtoi kamerave, ku sërish kreu i qeverisë iu ul në gjunjë ‘motrës’ italiane, siç e cilëson ai. Momentin, edhe Meloni zgjodhi ta kalojë me batuta “E bën që të jetë i gjatë sa unë”. Samitit me në fokus luftën në Ukrainë, nuk mund t'i mungonte presidenti ukrainas Volodymyr Zelesnky, i cili rikthehet për herë të dytë në Tiranë. 

Presidenti francez Emmanuel Macron zbriti i fundit në tokën shqiptare sot, për t’u rikthyer në Shqipëri jo vetëm për punimet e samitit, por edhe për një vizitë të dytë zyrtare në vendin tonë, që do të zhvillohet nesër.

Udhëheqësit do të diskutojnë sigurinë e Evropës, duke përfshirë mbështetjen për Ukrainën, ndërsa mesazhet ishin të qarta nga shefi i NATO-s, Mark Rutte, i cili tha se "është momenti për t’i dhënë fund këtij ngërçi dhe për të arritur një marrëveshje të rëndësishme. Putin nuk do të përpiqet më të aneksojë edhe një milje apo km tjetër nga Ukraina.”

Presidentja e Komisionit Europian paralajmëroi sanksione të reja ndaj Ukrainës, ndërsa shefja e diplomacisë së jashtme të BE-së, Kaja Kallas krahas mesazhit për luftën në Ukrainë, zgjodhi të vlerëojë edhe Shqipërinë për progresin në reforma. Mesazh ky që vjen vetëm 5 ditë pasi kryeministri Edi Rama mori fitoren e thellë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Punimet e samitit mbahen në sheshin “Skënderbej”, në shtëpinë e Europës, një strukturë e ngritur posaçërisht për këtë takim, e realizuar me piktura të fëmijëve nga i gjithë vendi. Samiti do të bashkëdrejtohet nga kryeministri Rama dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Tema e samitit është: “Evropa e re në një botë të re: Unitet, bashkëpunim, veprim i përbashkët”, ndërsa diskutimet do të përqendrohen në tri tryeza të rrumbullakëta që do të trajtojnë çështje të sigurisë, konkurrencës ekonomike dhe fuqizimit të të rinjve, përballë sfidave si lufta në Ukrainë, mbrojtja evropiane dhe transformimi teknologjik.

Samiti përmbyllet me një konferencë për shtyp të përbashkët mes kryeministrit Rama dhe homologes së tij nga Danimarka, Mette Frederiksen, vendi ku do të mbahet samiti i radhës.

Diskutimet e samitit do të strukturohen në tryeza të larta tematike:

Tryeza e parë do të fokusohet në sigurinë e Evropës dhe qëndrueshmërinë demokratike, duke trajtuar çështje të rëndësishme si mbështetja për Ukrainën në arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, si dhe sfida afatgjata si mbrojtja e institucioneve demokratike nga ndërhyrjet e huaja dhe përforcimi i kapaciteteve të mbrojtjes së përbashkët evropiane. 

Tryeza e dytë do të trajtojë forcimin e konkurrueshmërisë dhe sigurisë ekonomike, me fokus në inovacionin, infrastrukturën digjitale, qëndrueshmërinë energjetike dhe autonominë strategjike për mbrojtjen e zinxhirëve kritikë të furnizimit dhe balancimin e objektivave klimatike me fuqinë industriale.

Sesioni i tretë do të fokusohet në dinamikat komplekse të migracionit, mobilitetit dhe fuqizimit të të rinjve, në një epokë të shënuar nga inteligjenca artificiale dhe përshpejtimi i ndryshimeve teknologjike.

Mbajtja e Samitit përfaqëson një moment me rëndësi historike si për Shqipërinë, ashtu edhe për rajonin në tërësi. Samiti i Tiranës zhvillohet gjithashtu në një moment vendimtar për Evropën, teksa kontinenti përballet me tensione në rritje në nivel global. Kërcënimet hibride, vështirësitë ekonomike dhe fragmentimi teknologjik po vënë në provë qëndrueshmërinë demokratike dhe nënvizojnë nevojën urgjente për një përgjigje më të koordinuar dhe të bashkuar evropiane.

AXHENDA E PLOTË E SAMITIT
10:00 – Mbërritje 
11:00 – Ceremonia e hapjes
11:30 – Foto familjare
11:45 – Seanca e parë plenare
13:00 – Dreka zyrtare
14:30 – Tryeza tematike
15:45 – Takime dypalëshe midis Kryetarëve të Delegacioneve
17:30 – Seanca plenare mbyllëse
18:30 – Konferencë e përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Shqipërisë dhe Kryeministren e Danimarkës (pritesi i radhës)

Ndiqni më poshtë të gjitha lajmet nga samiti i Komunitetit Politik Europian

 

Ora 17:48
Samiti/ Rama zhvillon takime me princin e Monakos, kancelarin austriak dhe kryeministrin e Belgjikës

 

Në mjediset e dedikuara në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, kryeministri Edi Rama zhvilloi takime me kancelarin e Austrisë, Christian Stocker, princin e Monakos Alberti II dhe kryeministrin e Belgjikës, Bart de Wever.

Kryeministri pritet të mbajë takime edhe me homologen italiane, Giorgia Meloni, atë holandez Dick Schoof, presidentin e Qipros Nikos Christodoulides dhe presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Në mëngjes, para se të niste Samiti në sheshin Skënderbej, Rama priti dhe zhvilloi takime me shefin e NATO-s, Mark Rutte dhe kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez. 

Ora 17:13
Samiti i Komunitetit Politik në Tiranë, largohet Merz, Vuçiç dhe shefi i NATO-s

 

Largohen disa nga liderët që morën pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë.

Të parët që u larguan ishin presidenti i Turqisë, Rexhep Tayip Erdogan dhe kryeministri i Lituanisë, Gintautas Paluckas. Më pas u largua edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. U largua gjithashtu edhe kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz si edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

Ndërkohë punimet e samitit vijojnë ende ndërsa pritet edhe një konferencë për shtyp.

Ora 13:16
Samiti në Tiranë/ Liderët e BE firmosin yllin europian, simbolin e Edi Ramës në fushatën elektorale

 

Pas fotos familjare liderët u drejtuan te “Shtëpia Europiane”, një strukturë e vendosur në qendër të sheshit Skënderbej. Liderët firmosën yllin europian, i cili është në fakt “ylli” që Rama mbajti “shtrënguar” me vete gjatë gjithë fushatës së tij elektorale për zgjedhjet e 11 majit.

Gjatë fushatës së tij kryeministri nuk zgjodhi asnjë simbol tjetër partiak, por yll europian në vendosur e të stampuar kudo, në bluza, kapele, madje edhe atlete, të cilat nuk i “hoqi” nga këmba edhe sot në ditën madhështore të Tiranës europiane.

Ora 12:50
Samiti i Komunitetit Politik Europian, foto familjare e udhëheqësve perëndimorë

 

47 liderë dhe 5 përfaqësues të lartë të institucioneve të BE kanë zbritur në Tiranë për punimet e Samitit të Komunitetit politik Europian.

Liderët u pritën nga kryeministri Rama, ndërsa pozuan në 'zemër' të Tiranës për foton familjare ashtu edhe siç është traditë.

Ora 12:10
Samiti i Komunitetit Politik, Macron mbërrin i fundit! Pritja e ngrohtë nga kryeministri Rama

 

Presidenti francez, Emmanuel Macron ishte i fundit që mbërriti në Tiranë për samitin e Komunitetit Politik Europian. Ky është momenti i pritjes së ngrohtë nga kryeministri Rama. Macron do të qëndrojë dy ditë në Tiranë, ku nesër do të ketë edhe një pritje zyrtare.

Ora 12:04
Sot samiti i Komunitetit Politik Europian/ Macron mbërrin në Tiranë, shoqërohet nga bashkëshortja

 

Presidenti francez Emannuel Macron ka mbërritur në Tiranë për samitin e Komunitetit Politik Europian që do të zhvillohet sot në kryeqytet.

Lideri francez u prit në Aeroportin Ndërkombëtar "Nënë Tereza" nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisi, Mirela Kumbaro.

Ora 11:50
Samiti në Tiranë, mbërrin presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky

 

Ka mbërritur në sheshin “Skënderbej” edhe presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky.

Në Tiranë ai mbërriti mbrëmjen e së enjtes, ku u prit nga dy ministrat Pirro Vëngu dhe Igli Hasani.

 

Ora 11:47
Videoja e Shqipërisë turistike në samitin e Komunitetit Politik Europian në Tiranë, eventi hapet me valle popullore

Pritja e liderëve të Europës në sheshin Skënderbej në Tiranë, për samitin e Komunitetit Politik Europian, u çel me valle popullore nga një grup të rinjsh, si dhe video me pamje nga atraksionet turistike të vendit.

 

Ora 11:40
Erdogan mbërrin në Samit, pritet nga Rama! Presidenti turk: Me vëllain tim do të kërkojmë që bota të pajtohet

Presidenti turk Rexhep Tayip Erdogan sapo ka mbërritur në samitin e Komunitetit Politik Evropian.

Ai u prit nga kryeministri Rama në sheshin Skënderbej, ku edhe do mbahet samiti që mbledh liderët evropianë. 

Ai bëri edhe një koment të shkurtër për mediat: “Bashkë me vëllain tim do të kërkojmë që gjithë dynjaja të pajtohet”.

Ora 11:31
Rama pret në gjunjë ‘motrën’ Meloni, batuta e kryeministres së Italisë: E bën që të jetë i gjatë sa unë (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama priti me një ulje në gjunjë kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, e cila mbërriti në sheshin Skënderbej në Tiranë për samitin e Komunitetit Politik Europian.

“E bën që të jetë i gjatë sa unë”,-  ishte batuta e Melonit në ato momente.

E pyetur dhe për kampin e emigrantëve në Gjadër, marrëveshje e qeverisë italiane dhe shqiptare, kryeministrja italiane tha se nuk ka kaluar ta shohë kampin, por puna vazhdon dhe gjërat janë në rrugën e duhur.

"Mendoj që nuk duhet të kërkojmë alternativa por duhet të këmbëngulim për një armëpushim të pakushtëzuar, të këmbëngulim për marrëveshje serioze paqe që të ketë garanci serioze për Ukrainën. Nuk kam kaluar në Gjadër nuk kam kohë por puna po vazhdon, jemi në rrugën e duhur', - tha Meloni.

Ora 11:17
Von der Leyen në Tiranë: Po punojmë për një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë, rrisim presionin ndaj Putin

 

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen tha për mediat nga sheshi “Skënderbej” se BE po përgatit një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë. Ajo tha se do të rrisin trysninë më shumë ndaj Putin, si e vetmja mënyrë për të pranuar armëpushimin. Sipas saj, mospjesëmarrja e tij në bisedimet në Turqi tregon se nuk do paqe.

“Putin bëri thirrje për armëpushim në 9 maj, por asnjëherë nuk e zbatoi. Ndërkohë që Ukraina kërkoi një armëpushim të mbështetur nga SHBA dhe BE, por Putin e refuzoi. Më pas Putin propozoi që Rusia dhe Ukraina të takoheshin drejtpërdrejtë në Turqi për bisedime.

Zelensky ra dakord, por Putin nuk u duk. Kjo tregon se Putin nuk do paqe. Prandaj ne do të rrisim presionin ndaj Rusisë, do të punojmë për një paketë sanksionesh, sanksione që aplikohen te Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2. Do të ulim tavanin e çmimeve të naftës dhe pastaj do të kemi edhe sanksione të tjera në sektorin financiar rus. Sepse ne duam paqe dhe do të ushtrojmë trysni derisa Putini ta bëjë këtë gjë”, tha Von der Layen.

Ora 11:10
Starmer në Tiranë: Putin nuk është serioz për paqen! Sot është mundësia të tregojmë se jemi të bashkuar

 

Kryeministri britanik, Keir Starmer tha nga sheshi Skënderbej se presidenti rus Vladimir Putin nuk e do paqen. Pasi u prit nga kryeministri Rama, ai foli për mediat, ndërsa shtoi se duhet të jenë më të bashkuar se kurrë.

“Putin nuk është serioz për paqen. Do të punojmë edhe sot për të qenë të qartë që duhet të ketë një armëpushim. Është provë e qartë se Putin nuk e do paqen. Sot është mundësia jonë të tregojmë se jemi të bashkuar. Zelensky do të jetë sot këtu”, u shpreh Starmer.

Ora 11:06
Samiti në Tiranë/ Rama batuta me kryeministrin britanik: Çfarë ju thashë për motin? Është shiu juaj

1747384931_ramastarmer.JPG

Kryeministri Edi Rama priti homologun e tij Keir Starmer i cili ka ardhur që dje në Tiranë në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian.

Rama nuk i kurseu batutat me Starmer në lidhje me motin e keq që ka përfshirë sot vendin tonë.

“Çfarë ju thashë për motin? Është shiu juaj”, tha Rama.

Ora 10:45
Osmani nga Tirana: Rama, i zëshëm në mbrojtje të Kosovës! BE po favorizon më shumë ata që shkojnë në Moskë, se sa ne që rrimë besnikë

Presidentja Vjosa Osmani, tha nga sheshi Skëndërbej në Tiranë se pret nga Shqipëria që të vazhdojë të jetë e zëshme në përkrahje të Kosovës, siç ka qenë kryeministri Edi Rama me kërkesat e vazhdueshme drejtuar Brukselit për heqjen e sanksioneve ndaj Prishtinës zyrtare.

“Nga Shqipëria kërkojmë që të vazhdojnë përkrahjen për Kosovën të jetë e zëshme, siç ka qenë Kryeministri Rama deri tani për heqjen e masave”,- tha Osmani.

Presidentja e Kosovës u shpreh e zhgënjyer nga sjellja e Bashkimit Europian me “besnikët” e saj.

“Më shumë po hapet dera te ata që shkojnë në Moskë te Putini sesa ne që nuk shohim alternativë tjetër përveç BE”,- tha Osmani.

Për ngërçin politik në Kosovë, ku mbi 1 muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, ende ka një vakum institucional, Osmani u shpreh optimiste se do ketë një zgjidhje së shpejti.

Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Osmani tha se për zhvillimin e bisedimeve në kushte të barabarta mes palëve, Brukseli duhet të shfuqizojë masat ndaj Prishtinës.

“Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, së pari duhet të jetë heqja e sanksioneve nga BE”,- tha Osmani ndër të tjera.

Ora 10:36
Kryeministrja e Letonisë nga Tirana: Vetëm Putin s’e do paqen në rajonin tonë, sanksionet mund ta ndalin Rusinë

Kryeministrja e Letonisë, Evika Siliņa, teksa mbërriti në samit, foli edhe për mediat. Ajo tha se vetëm Rusia nuk e dëshiron paqen në rajonin e tyre.

Silina theksoi se do të diskutojnë edhe për emigracionin e paligjshëm.

“Do të kërkojmë dhe pretendojmë armëpushimin pa kushte 30 ditor. Për fat të keq vetëm Rusia nuk do paqe në rajonin tonë. Do të biem dakord për sanksione të mëtejshme sepse kjo mund ta ndalë Rusinë. E di që sot do të diskutojmë edhe për emigracionin e paligjshëm dhe bashkëpunim ekonomik. Për rrjedhojë do ta përdorim këtë KPE si platformë të mirë për takimin e të gjithë udhëheqësve evropianë. “, deklaroi ajo.

Ora 10:24
VIDEOLAJM/ Samiti në Tiranë, Rama batuta me gazetarët: Shiun në kryeqytet e sollën anglezët

Kryeministri Edi Rama teksa po priste liderët që marrin pjesë në Samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian, nuk la mënjanë as batutat e tij me gazetarët.

“Shiun e sollën anglezët”, dëgjohet të thotë njëri prej gazetarëve, ndërsa Rama e pohon fjalën e tij duke thënë ‘Po po me shi me vete'.

Edhe dje, kryeministri Rama në konferencën e përbashkët me Keir Starmer nuk i kurseu batutat me gazetarët britanikë.

“Gazetarë të nderuar të huaj, shijojeni Tiranën, po luftojmë që nesër të ketë mot shqiptar e jo mot Londre. Nëse do ketë shi, fajin e keni ju”, tha Rama.

Ora 10:22
Kallas në Tiranë: Shqipëria ka bërë progres të shkëlqyer me reformat, të gjithë anëtarët e BE duan që Unioni të zgjerohet tani

 

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas, tha nga Sheshi Skënderbej në Tiranë se Shqipëria ka bërë progres të shkëlqyer me reformat dhe Unioni është serioz në qëllimin për t’u zgjeruar në kontinent e kryesisht në Ballkan.

“Po mendoj që Shqipëria po bën një progres të shkëlqyer për reformat, ne duam reformat sundimin e ligjit, ato që janë të nevojshme dhe kështu dhe për ne edhe nga ajo anë, nga ana e Europës duhen bërë hapat e duhur, ka një moment politik që të gjithë duan që procesi i zgjerimit të ndodhë, kjo nuk ka ndodhur më pare”,- tha Kallas për gazetarët në Tiranë.

E pyetur për dialogun Kosovë-Serbi, shefja e diplomacisë së Unionit tha se pret normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Pak më parë kemi emëruar përfaqësuesin e ri të posaçëm për dialogun dhe presim normalizimin e marrëdhënieve”,- tha Kallas.

Gjithashtu, ajo njoftoi se BE ka përgatitur paketën e 17 të sanksioneve për Rusinë, të cilët do ta shpallë dhe zbatojë së shpejti.

“E kemi paketën, gjithashtu po mendojmë për paketën tjetër, kemi sanksionet për Rusinë. Në këtë drejtim duhet të jemi të gjithë të bashkuar, sepse shohim se Rusia nuk do paqe”,-tha Kallas.

Ora 10:19
Rutte nga Tirana: Putin gaboi duke dërguar delegacion të nivelit të ulët në Turqi, s’do të marrë më asnjë kilometër të Ukrainës

Nga Tirana, kreu i NATO-s Mark Rutte foli për zhvillimet e fundit mes Rusisë dhe Ukrainës. Ai tha se presidenti rus gaboi duke mos shkuar në Turqi, ku pritej të takohej me Zelenskyn, por dërgoi një delegacion të nivelit të ulët.  

Rutte deklaroi gjithashtu se Rusia nuk do të mund të marrë më asnjë kilometër territor ukrainas.

“Ukraina të ketë çfarë i duhet për të qëndruar dhe për t’i dhënë fund me anë një paqeje afatgjatë. Putin duhet të kuptojë se pas një marrëveshje paqeje s’do të ketë mundësi të sulmojë dhe aneksojë territore të tjera të Ukrainës. Mendoj se Putin ka bërë gabim duke dërguar delegacion të nivelit të ulët në këtë takim. Tani topi është në fushën e tij, duhet të tregojë serioz për paqen që kërkojmë.

Ai e kupton situatën, ne kemi negociuar shumë kur isha kryeministër i Holandës. E di se është në telashe se ka gabuar duke dërguar delegacion të nivelit të ulët. Ukrainasit u ulën në tavolinë, dërguan një delegacion që është i gatshëm dhe tani është momenti për t’i dhënë fund këtij ngërçi dhe për të arritur një marrëveshje të rëndësishme. Putin nuk do të përpiqet më të aneksojë edhe një milje apo km tjetër nga Ukraina.”, u shpreh Rutte.

Ora 09:31
Samiti në Tiranë/ Rama pret Sanchez: Diskutuam për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe mbështetjen ndaj rrugës tonë evropiane  

 

Pas kreut të NATO-s, kryeministri Edi Rama ka pritur në kryeministri edhe homologun spanjoll Pedro Sanchez. Rama thotë se diskutuan për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, bashkëpunimin ekonomik dhe mbështetjen e vazhdueshme të Spanjës për integrimin evropian të vendit tonë.

“Kryeministria - Me kryeministrin e Mbretërisë së Spanjës, Pedro Sánchez, një takim miqësor e i rëndësishëm për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Spanjës, bashkëpunimin ekonomik, dhe mbështetjen e vazhdueshme të Spanjës për integrimin europian të Shqipërisë”, shkruan Rama.

Ora 09:15
Nga Meloni, Macron, Merz, Starmer, Zelensky te kreu i NATO-s/ Kush janë liderët që marrin pjesë në samitin që mbahet në Tiranë

47 liderët e vendeve evropiane si dhe 5 drejtues të institucioneve të larta do të marrin pjesë sot në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, që pritet të nisë në orën 10:00 në sheshin “Skënderbej”.

Kryeministri britanik Keir Starmer mbërriti në Tiranë një ditë më parë, ku edhe zhvilloi një vizitë zyrtare, e para e një lideri britanik në vendin tonë. Disa liderë mbërritën gjithashtu dje. Ndërkohë, sot mbërrijnë edhe të tjerët. Pak më parë kryeministri Rama priti edhe shefin e NATO-s, Mark Rutte.

Liderët dhe zyrtarët që do të marrin pjesë:
1.       Antonio Costa, Presidenti i Këshillit Evropian
2.       Robert Abela, kryeministri i Maltës
3.       Albert II, princ i Monakos
4.       Ilham Aliyev, presidenti i Azerbajxhanit
5.       Luca Beccari, Ministër i Punëve të Jashtme, Bashkëpunimit Ekonomik Ndërkombëtar dhe Telekomunikacionit të San Marinos
6.       Alain Berset, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës
7.       Ilie Bolojan, Presidenti i Përkohshëm i Rumanisë
8.       Nikos Christodoulides, president i Qipros
9.       Zeljka Cvijanovic, kryetare e presidencës së Boshnjes dhe Hercegovinës
10.    Bart De Wever, Kryeministri i Belgjikës
11.    Rexhep Tayip Erdogan, president i Turqisë
12.    Xavier Espot Zamora, kryeministër i Andorës
13.    Petr Fiala, kryeministër i Republikës Çeke
14.    Robert Fico, kryeministër i Sllovakisë
15.    Mette Frederiksen, kryeministre e Danimarkës
16.    Luc Frieden, kryeministri i Luksemburgut
17.    Kristrún Mjöll Frostadóttir, kryeministre e Islandës
18.    Jonas Gahr Støre, kryeministri i Norvegjisë
19.    Robert Golob, kryeministri i Sllovenisë
20.    Brigitte Haas , kryeministre e Lihtenshtajnit
21.    Rosen Zhelyazkov, kryeministri i Bullgarisë
22.    Kaja Kallas, Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian
23.    Karin Keller-Sutter, Presidente e Konfederatës Zvicerane
24.    Irakli Kobakhidze, kryeministri i Gjeorgjisë
25.    Ulf Kristersson, kryeministri i Suedisë
26.    Emmanuel Macron, presidenti i Francës
27.    Giorgia Meloni, kryeministre e Italisë
28.    Friedrich Merz, kancelari i Gjermanisë
29.    Roberta Metsola, presidente e Parlamentit Evropian
30.    Kristen Michal, kryeministër i Estonisë
31.    Hristijan Mickoski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut
32.    Jakov Milatoviç, president i Malit të Zi
33.    Viktor Orban, kryeministër i Hungarisë
34.    Petteri Orpo, kryeministër i Finlandës
35.    Vjosa Osmani, presidente e Kosovës
36.    Gintautas Paluckas, kryeministër i Lituanisë
37.    Nikol Pashinyan, kryeministër i Armenisë
38.    Andrej Plenković, kryeministër i Kroacisë
39.    Mark Rutte, Sekretari i Përgjithshëm i NATO
40.    Maia Sandu, presidente e Moldavisë
41.    Dick Schoof, kryeministër i Holandës
42.    Evika Siliņa, kryeministre e Letonisë
43.    Feridun Sinirlioglu, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së
44.    Keir Starmer, kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar
45.    Christian Stocker, kancelari i Austrisë
46.    Pedro Sanchez, kryeministër i Spanjës
47.    Konstantinos Tassoulas, president i Greqisë
48.    Donald Tusk, kryeministër i Polonisë
49.    Ursula Von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian
50.    Aleksandër Vuçiç, president i Serbisë
51.    Volodymyr Zelensky, president i Ukrainës
52.    Bjellorusia – nuk përfaqësohet zakonisht në EPC, ndoshta përmes opozitës
Ora 09:04
Samiti në Tiranë, Rama pret në kryeministri kreun e NATO-s: Diskutuam për forcimin e rolit të Shqipërisë në aleancë

 

Kryeministri Edi Rama ka pritur kreun e NATO-s, Mark Rutte, i cili ka mbërritur në Tiranë në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian.

Teksa ka ndarë momentin kur shefi i NATO-s mbërrin në kryeministri, Rama shprehet se ishte kënaqësi të priste Rutten, me të cilin kanë biseduar për forcimin e mëtejshëm të rolit të Shqipërisë në aleancë, kontributin e vendit si edhe sigurinë në rajon.

“Kënaqësi të mirëpres Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, me të cilin diskutuam mbi forcimin e mëtejshëm të rolit të Shqipërisë në Aleancë, sfidat e sigurisë në rajon dhe kontributin tonë aktiv në NATO”, shkruan Rama.

 

 

Ora 08:21
Samiti në Tiranë, Rama ndan pamjet nga 'Shtëpia e Evropës': Do të mbajë sytë e gjithë bota

 

Kryeministri Edi Rama ka ndarë disa pamje nga "Shtëpia e Evropës" në sheshin Skënderbej, ku do të presë 47 liderët evropianë për Samitin e Komunitetit Politik Evropian.

"Mirëmëngjes dhe me Shtëpinë e Europës, krijuar me vizatimet e fëmijëve të Shqipërisë, ku sot ka zbritur e gjithë Europa e ku do të mbajë sytë e gjithë bota, ju uroj një ditë të mbarë", shkruan Rama.

 


 

Xh.D/A.A/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Samiti europian, besoni se do forcojë rolin ndërkombëtar të Shqipërisë?