Fabrika e çimentos në Krujë makth, banorët: 'Titan'-i punon në errësirë pa filtra (VIDEO)

23 Qershor 2019, 14:49| Përditesimi: 10 Shtator, 16:42

  • Share

Prej vitesh retë e zeza të tymit që dalin nga oxhaqet e fabrikave të çimentos mbulojnë natë e ditë qytetin e Krujës dhe rrethinat duke u kthyer në makth për banorët. Por një nga ndotësit më të mëdhenj sipas banorëve është fabrika gjigante me emrin e frikshëm TITAN e cila është inauguruar në vitin 2010. Referuar Qendrës Kombëtare të Biznesit, shoqëria greke TITAN Grup është regjistruar në Shqipëri në vitin 2006 si Antea Cement sha. Ajo ka një kapital prej 10.6 miliardë lekë të reja dhe zotërohet nga dy kompani: 80% të aksioneve i zotëron Alvacim Limited, një kompani off-shore e regjistruar në Qipro, ndërsa 20 %  të aksioneve e ka kompania IFC, administrator i saj është Mario Braçi. Situata e ajrit ka shkaktuar  shumë frikë tek njerëzit që banojë afër TITAN-it, pasi çdo herë që përballen me sëmundje pulmonare apo kancerogjene, dyshojnë që fajin e ka fabrika e çimentos. Nga një vëzhgim i bërë nga Report TV shihet qartë se gjatë natës shtëllungat e tymit që dalin nga fabrika çuditërisht shtohen, ndërsa gjatë ditës pushojnë. Qytetarët dyshojnë që ky fenomen tregon që fabrika shfrytëzon errësirën për të punuar pa filtra. Frika është se bashkë me retë e tymit, në atmosferë shkarkohen edhe sasi të dioksidi karboni, pluhurash e tymrash, bloze e silikate të ndryshme.

Të dhënat pë shoqërinë tregatare ANTEA CEMENT

Një denoncim të tillë e ka bërë Drejtori i Zyrës së Ankesave të Konsumatorëve të Shqipërisë, Hasan Stafa, në varësi të ministrisë së Ekonomisë. "Unë jam këtu sot për të përcjellë ankesën e mbi 40 mijë qytetarëve,  janë konsumatorët që ankohen përditë dhe dergjen në dyert e spitaleve duke analiza, skaner dhe rezonanca për sëmundje ende të dyshushme që vijnë nga kontaminimi i ajrit, i tokës dhe bimëve. Kjo fabrikë çimentoje e ndërtuar këtu, mes kësaj zone këtu, jo vetëm po rrezikon bimësinë, por edhe shëndetin e konsumatorëve. Asnjë nga filtrat e kësaj fabrike nuk është funksional në 30 ditët e muajit çlirojnë karbonin, cianurin, plumbin dhe shumë mbetje të tjera që janë vdekjeprurëse për konsumatorin. Jemi në një moment kur ka filluar sezoni turistik dhe sapo shohin thonë, cfarë është kjo mjegull? Mjegulla fillon në 12:00 të natës deri në 07:00 të mëngjesit kur rrezet e diellit e ndajnë në disa pjesë" tha  Hasan Stafa, Drejtori i Zyrës së Ankesave të Konsumatorëve të Shqipërisë.

Por shqetësimi nuk vjen vetëm nga Drejtori i Zyrës së Ankesave të Konsumatorëve të Shqipërisë, Hasan Stafa. Ky fakt denoncohet edhe nga vetë banorët e zonës. Ata shprehen se gjatë natës fabrikat punojnë pa pushim duke çliruar në hapësirë tym që  dyshohet se është i dëmshëm për shëndetin e tyre. "Përderisa në këtë fshat është ndërruar fabrika e çimentos ka një ndotje të tmerrshme. Thonë kemi vendosur filtra, por ne e shohim që pas orës 12 të natës ato hapen dhe bëhet një tym që nuk dihet. Edhe në bujqësi bie ndotje dhe bimët nuk po realizojnë atë që duan fshatarët. I kemi ngritur problemet, por akoma asnjë zgjidhje. Duam fiksimin e filtrave që të mos hiqen dhe të mos ketë ndotje" tha njëri prej tyre. "Fabrika ka ndotje për arsye se është jashtë kontrollit, punëtorët që janë atyre nuk i hapin filtrat, i mbyllin, rrinë brenda, nuk rrinë në detyrat e caktuara. Këtu ka edhe më pak, por duke parë malet, grykat dhe luginat janë të mbytura fare, janë për faqe të zezë. Te bujqësia të gjitha dalin të sakatuara. Si puna e njeriut, janë tuberkuloz të gjitha" tha një tjetër.

Ndërsa një tjetër i moshuar theksoi se "Po vdesin njerëzit, edhe në bujqësi ka shumë dëme. Nuk ka prodhim sa të jetë fabrika, edhe njerëzit jo më prodhimet. Edhe të fikët u bie njerëzve në mëngjes. Tymi është shumë i madh". "Natën u heqin filtrat, kjo fabrikë na zhduku, prandaj kërkojmë ndihmë nga shteti që të mos heqin filtrat. Kemi shumë probleme shëndetësore, të gjithë njerëzit. Ose filtra ose ta zhdukin" tha një tjetër.

Banor i zonës

Por a e konfirmojnë statistikat zyrtare alarmin e banorëve mbi shëndetin?  E vetmja që ka pranuar të flasë para kamerave për Report Tv është kryeinfermierja e qendrës shëndetësore Krujë, Elmira Xheka. Sipas saj rastet e të sëmurëve nga astma bronkiale, i bronkeve, mushkërisë, ezofagut, te njohur ndryshe si sëmundjet Pulmonare  Obstruktive  Kronike ose SPOK, por edhe kanceri i gjirit dhe i qafës së mitrës janë gjithmonë e në rritje.

"Në qytetin e Krujës sëmundshmëria kronike është goxha e lartë, ndotja e ambientit ka ndikim të lartë te shëndeti i popullit. Kjo gjë tek ne vërtetohet nga statistikat dhe rastet e shtuara te sëmundjes e frymëmarrjes dhe kancerit. Një ndikim të madh e ka fabrika, që herë punojnë me filtër dhe herë pa filtër dhe ndotin ambientin.  Bëjnë që cdo javë sëmundshmëria të rritet dhe të ketë goxha vizita dhe rekomandime për te specialisti për sëmundje të ndryshme me azma bronkiale, kancerit dhe të tjera. Rastet e sëmundshmërisë kronike janë shtuar. Rastet me kancer dhe azëm dihet që në Krujë janë të shpeshta. Fabrika janë problem madhor, banorët ankohen që natën është një ajër i ndotur, një tym i zi. Detyrohen që të mbyllin dhe dritaret dhe të flenë me koncidioner, pasi ajri është shumë i ndotur dhe nuk arrijnë që të marrin frymë. Rastet me sëmundje të mushkërive është më i madh. Janë shtuar infarktet, leucemi, por edhe të tjera" tha ajo.

Nga statistikat e siguruara në këtë qendër shëndetësore vetëm gjatë vitit 2018, për qytetin e Krujës janë regjistruar 139 raste të reja me Astmë Bronkiale dhe 32 raste të reja të prekura nga tumori malinj i gjirit te femrat.  Ndërkohë edhe nga Drejtoria e shëndetit publik në Krujë, Report Tv ka mundur të  sigurojë statistika mbi shkallën e të prekurve nga sëmundjet Pulmonare por edhe kancerogjene nga viti 2010 deri në viti 2019. Këto shifra janë shënuar në një bllok me stilolaps, si në vitit e monizmit, pasi duket që moderniteti dixhital ende nuk ka ardhur deri këtu. Nga statistikat vlen të theksohet se nga 2014 deri në vitin 2018 zona e Thumanës, ku janë dhe kompanitë e çimentos ka numrin më të lartë të të prekurve nga Sëmundjet Pulmonare Obstruktive Kronike, sëmundjeve kronike të mushkërive apo Astma Bronkiale.

Statistiakt shëndetësore në Krujë

Shqetësues është fakti se kjo rritje duket se ka marrë hapa të shpejtë për vitin 2019. Pavarësisht se jemi në pjesën e parë të këtij viti numërohen 39 raste të prekurve me Astma Bronkiale dhe 31 të prekur me sëmundje kronike e mushkërive, e cila shkaktohet prej grimcave  të pluhurit  ose  gazeve  si për shembull dioksodi i karbonit  që gjendet në ajër.  Ndërkohë edhe në zonat e tjera si Fushë-Krujë, Bubq, Nikël e Nuoje numri i të prekurve nga Spok, Astma Bronkiale apo sëmundjet kancerogjene në vitet e fundit shihet se ka një tendencë në rritje. Pavarësisht se gjatë natës fabrika e çimentos vazhdon ta shpërndaje në ajër tym të erret, askush nuk jep ndonjë shpjegim, dhe as garanci që nuk bëhet fjalë për ndotje helmuese. Report Tv ka kontaktuar me përfaqësues të firmës Titan duke i pyetur mes të tjera pse gjatë natës shtohet sasia e tymit nga fabrika dhe nëse është e vërtetë që filtrat çaktivizohen?

Drejtori i Përgjithshëm Mario Braçi na ka sa sjellë një përgjigje në email duke shmangur një përgjigje të drejtpërdrejtë për pyetjet tona, por duke garantuar qe fabrika është ndërtuar dhe operon sipas standardeve dhe teknikave më të larta në lidhje me efikasitetin e energjisë dhe performancën mjedisore. Ndërsa të gjitha të dhënat në lidhje me emetimet monitorohen në mënyrë të rregullt dhe të vazhdueshme nga një sistem monitorimi i pavarur të cilat janë publike në faqen e internetit  anteacement.com. Ku po këto të dhëna sipas tyre raportohen në mënyrë të rregullt edhe në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit .

Ne kemi hapur portalin e kompanisë kur dalin rezultatet e monitorimit të ajrit, që në fakt ato janë realizuar vetëm njëherë në vit. Nga grafiqet që boton vetë kompania duket qartë se shumica e parametrave janë përkeqësuar në këto vitet e fundit, por pa kaluar limitet e vendosura nga Bashkimi Europian që në grafiqet tregohet nga vjia e verdhë. Bie në sy që parametrat kundër ndotjes të vendosur nga shteti shqiptar që këtu e shikoni të treguar me vija të kuqe, janë disa herë më të larta se sa ata të vendosura për vendet e Bashkimi Europian. Pra nuk kuptohet pse qytetarët europiane janë më të mbrojtur nga shteti kundër ndotjes sesa qytetarët shqiptarë? I vetmi parametër tek fabrika TITAN që duket jashtë standardit evropian edhe qe për pak pika e verdhë për viti 2019  ka kaluar limitin është PM10, të cilat janë presencat e pluhurit në ajër, të cilat mund të jenë të dëmshme për shëndetin. Në përgjithësi parametrat e ndotjes të botuara nga kompania duken mirë, por problemi është që nuk ka asnjë formë transparencë mbi origjinën e të dhënave, dhe në cilën formë apo nga kush janë matur.

Grafika me rezultatet e monitorimit të ajrit

Për këtë çështje kemi trokitur edhe në derë të bashkisë së Krujës, por atje nuk na kanë pritur. Kemi shkuar edhe në ministri të Mjedisit, por edhe në këtë institucion askush nuk ka pranuar të flasë për mikrofonin tonë. Kështu që ende nuk dimë nëse Ministria e Mjedisit realizon apo jo matjet e pavarura dhe zyrtare mbi nivelin  e ndotjes së shkaktuar nga fabrika ose i beson njëqindpërqind të dhënave të furnizuara nga kompania. Por ende mbeten pa përgjigje pyetjet kryesore: A i përdor filtrat edhe gjatë natës fabrika TITAN? Dhe a ka monitorim nga ana e shtetit ndaj fabrikave të çimentos?  Për këto pyetje autoritetet shtetërore që kanë për detyrë mbrojtjen e qytetare, deri më tani nuk na ka dhënë asnjë përgjigje. Ne po presim!

Statistikat në qendrat shëndetësore

Fushë-Krujë

Nikël

Bubq

Thumanë

Nuoje

 

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Beni: 28/03/2020 14:48

    E gjithe ndotja ne zonen e Thumanes vjen nga gropat e gelqereve te cilat operojne ne afersi te fabrikes Antea dhe nga guroret e shumta ilegale. Antea eshte fabrike e re dhe e paisur me filtra te cilat nqs nuk ndizen nuk te lene te vesh ne pune paisjet. Gazrat e shkaktuara nga fabrika jane te gjitha 24 ore ne matje dhe kontrollohen online nga shteti. Nqs ka fabrike cimentoje qe shkakton ndotje ne Kruje eshte fabrika e vjeter e cimentos e fushe krujes e cila leshon gjithe kohes nje shtellunge tymi.

    Përgjigju
  • Altini: 24/06/2019 13:27

    Me letra e vizore akoma qendra e shendesis? Nje dokumentim me te sakte ska? Per fabriken ska shtet se shteti eshte kthyer paraprodhues per Argatet e PS.

    Përgjigju
  • Miri: 24/06/2019 11:08

    Bojkotoni cimenton Titan,bleni cimento vendi.Mos bleni cimento qe shkakton kancer dhe vdekje!

    Përgjigju
  • Popull: 23/06/2019 17:53

    Pse nuk del njeri ne proteste per ajrin qe ndotet e semundjet qe vijne me pas. Po dali per karriget e njerezve. Popull me te trashe se ne, sbesoj se ka. Mire na e bejne.

    Përgjigju
  • majmuni: 23/06/2019 15:13

    Qelbësirat, mirë na e bëjnë se jemi popull pa gjak, vjen turku e të vret 500 vjet edhe e quajmë vëlla, vjen serbi e të vret e përdhunon edhe e quajmë mik, vjen greku e të helmon edhe e quajmë mik. E kemi mendjen të vritemi për miliardat e politikanëve që i bëjnë karshillëk fukarallëkut tonë me vila, pallate e makina luksoze. Do vdesim me dy gishtat lart, e 'rilindjen' në mendje.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?