Kronikë

Fadromat e IMT-së ‘zbarkojnë’ në Orikum, 1 restorant dhe 10 dhoma pushimi gati për shembje! Pronarja: Objektet të skualifikuara nga legalizimi, por jam në gjyq me Kadastrën

23 Shtator, 11:59| Përditesimi: 23 Shtator, 12:11

  • Share

Njësitë e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) kanë mbërritur në Orikum ku do të shembin dy objekte që nuk disponojnë leje ndërtimi. Bëhet fjalë për një restorant dhe 10 dhoma pushimi në pronësi të Emanuela Xhanaj, 8 prej të cilave sipas saj, janë të rezervuara me pushues.

Kjo e fundit për Report TV, ka deklaruar se për objektin në pronësi të saj që nuk disponon lejen përkatëse është hartuar një akt konstatimi në muajin janar dhe është skualifikuar nga procesi i legalizimit. Pas kësaj, Emanuela Xhanaj tregon se ka nisur një proces gjyqësor me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), proces i cili ende është në vijim dhe i papërfunduar me një vendim gjykate.

“Nuk kemi pasur asnjë lajmërim. Ka ardhur sot fugoni i policisë së Orikumit i pari dhe tani erdhën forcat e IKMT-së së Tiranës që më thonë që janë në mbështetje të IMT së Vlorës për një akt prishje.

Është bërë një porces verbal në Janar, janë skualifikuar, jemi në proces gjyqësor kundër ASHK-së dhe i kemi dërguar njoftim IMT-së që jemi në proces gjyqësor dhe nuk na ka ardhur asnjë njoftim. Bëhet fjalë për një restorant dhe për 10 dhoma, 8 prej të cilave janë të me pushues të huaj.

Është bërë një akt konstatimi në Janar nga IKMT, dhe më atë akt konstatimi kanë dhënë urdhër prishje. Ne nuk jemi njoftuar as për prishje e as për gjobë. Zotërinjtë që janë këtu të IMT Tiranë nuk më kanë dhënë asnjë dokument. Duan të futen të bëjnë prishjen. Ato zotërinjtë aty s’kanë asnjë dokumentacion, IMT Vlorë nuk ka ardhur dhe më thanë që e kemi urdhër nga lart. Unë kam letrën që jam në fazë gjyqësore kundrejt ASHK-së”, ka thënë Emanuela Xhanaj.

Xhanaj tregon se ditën e sotme IKMT ka sjellë fadromat në Orikum, por ajo nuk është lajmëruar më parë nga autoritetet. Për këtë arsye është dashur dhe ndërhyrja e policisë pasi Emanuela Xhanaj së bashku me disa persona të tjerë kanë penguar punën e IMT-së.

Ndërkohë, IMT ka kërkuar dhe ndërhyrjen e OSHEE-së për të bërë të mundur ndërprerjen e energjisë elektrike në objektet që do të shemben. Sakaq, pas një rezistence, vetë pronarët e objekteve në fjalë kanë filluar të zhvendosin disa prej orendive të bizneseve.

Burime për gazetarin e Report TV, Mandi Xhelili kanë bërë me dije se aksioni i IMT-së në zonën e Orikumit nuk përfundon ditën e sotme. Objekte të tjera janë në konstatim dhe se do të përfshihen në aksionin për shembjen e subjekteve pa leje ndërtimi.

K.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e re nis punën, besoni se do përmbushë pritshmëritë e qytetarëve?