Degët e pemëve janë ‘çatia’ për tre fëmijë dhe prindërit e tyre, që zgjohen e ngrysen në parkun “Miqësia”, pranë shatërvanit në Sarandë.
Batanijet dhe rrobat e lagura thahen në park pas stuhisë së fundit.
‘Mbrëmë na u lagën të gjitha rrobat. Dimri është pranë dhe fëmijët e mi janë të sëmurë. Nuk i kam të tepërt fëmijët, dua vetëm t’i strehoj”, tha Eglantina Mustafaj.
Fëmijët qëndrojnë ditë e natë në rrugë ndaj vuajnë nga sëmundje të mushkërive. Nëna e tyre, Eglantina Mustafaj, kërkon një strehë për të vegjlit e saj.
Që nga tetori i vitit të kaluar familja 5 anëtarëshe qëndron në rrugë edhe pse ka aplikuar për strehim në bashkinë e Sarandës. Zyrtarët lokalët, në përgjigje të interesimit të Report Tv thanë se i kanë ofruar kësaj familje bonus qiraje me vlerë 17 mijë lek në muaj, por për shkak se nuk kanë plotësuar dokumentacionin është skualifikuar.
Eglantina shpjegon se për të është shumë e vështirë të gjejë banesë me qira në qytetin turistik ku çmimet janë tejet të larta. Dhe si të mos mjaftonte kjo, janë të paragjykuar pasi i përkasin komunitetit rom.
“Kam shkuar disa herë në bashki, më kanë thënë që do të më japin ndihmë për qiranë. Por nuk më pranon askush, vetëm se jemi romë. Shtëpi nuk gjejmë dot, pasi kanë frikë se nuk u paguajmë qiranë dhe se kemi shumë fëmijë”, tha ajo.
Bashkia e Sarandës, e kontaktuar nga Report TV thotë se për vitin 2025 kanë aplikuar 38 familje dhe nga këto vetëm 29 familje trajtohen me subvencionim të qerasë, familje të cilat kanë plotësuar dokumentacionin e nevojshëm.
Pjesë e familjeve të cilat nuk plotësuan dokumentacionin sipas bashkisë është edhe familja Mustafaj, e cila përkundër këtij fakti bëhet e ditur se përfiton ndihmë ekonomike në vlerën e 12 mijë lekëve në muaj.
Komente
