Problematiku Fation Bushgjokaj, me një karrierë të gjatë në krime, është një prej personave kryesorë në akuzë për eliminimin e 23-vjeçarit Renis Dobra në Mat, mbrëmjen vonë të 8 korrikut.
34-vjeçari, tashmë i arrestuar, nuk pranon autorësinë për vrasjen, përkundër provave që ka në dorë policia.
I pyetur nga hetuesit, më i madhi prej 3 vëllezërve tropojanë nën akuzë, pranon se viktimën e ka njohur më herët në Gjermani, dhe bashkë punuan muaj më parë në trafikun e drogës.
Bushgjokaj pranoi para hetuesve se me Dobrën kishin nisur konflikte në biznesin e errët të drogës, por që sipas tij tashmë janë sqaruar.
I prangosuri tjetër për vrasjen makabre me litar rreth qafës të matjanit 23-vjeçar, Petrit Çakrri, i dha dëshmi më rëndësi grupit hetimor.
Pjesërisht, 55-vjeçari pranon se mbrëmjen e krimit ka qenë në zonë, dhe dëshmia e tij gjen përputhje me pamjet e kamerave të sigurisë që janë këqyrur dhe zbardhën vrasjen e rëndë.
Çakrri, i njohur edhe si një prej dëshmitarëve kyç të vrasjes së Azem Hajdarit në shtator të 1998-ës, deklaroi se nga vëllezërit Bushgjokaj, të parin ka njohur Kristin, 29 vjeç, akoma në kërkim për vrasjen, gjatë kohës që të dy ishin në burg, miqësi e cili vijoi edhe pas daljes nga qelia.
Për ditën e ngjarjes dëshmitari i vrasjes së Hajdarit, thotë se 3 vëllezërit Bushgjokaj i thanë të shkonte me ta pasi do kërkonin drogë në fshatra të Burrelit. Gjatë rrugës, sipas tij, u ndanë në dy makina, siç në fakt tregojnë edhe pamjet e kamerave në distancë.
55-vjeçari shtoi se në një moment, vëllezërit Bushgjokaj u futën në një tjetër makinë, që sipas grupit hetimor, mendohet të jetë automjeti i 23-vjeçarit.
Në këtë pikë, Çakrri rrëfen para hetuesve se Bushgjokajt i thanë të largohej dhe sipas tij kështu bëri.
Ai mohoi çdo përfshirje në vrasje, duke deklaruar se çfarë ndodhi me Renis Dobrën më pas e mori vesh vetëm nga mediat.
Renis Dobra u mbyt me litar mbrëmjen e 8 korrikut, pasi fillimisht u mor peng. Trupi i tij u gjet buzë lumit të Shkopetit, ndërsa makina në ujë.
Policia zbardhi vrasjen me pamje kamerash, të cilat i çuan te makinat me qira që grupi mori për disa ditë me radhë për kryerjen e krimit.
Në kërkim për ngjarjen janë 2 vëllezërit Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj.
Komente
