Kronikë

Tre vëllezër nga Tropoja organizuan rrëmbimin dhe vrasjen e Dobrës në Mat, shkak konfliktet për drogën në Gjermani! 2 në pranga, 2 në kërkim (EMRAT+FOTO)

16 Korrik, 07:35| Përditesimi: 16 Korrik, 16:56

  • Share

MAT- Ishte mbrëmja e 8 korrikut, kur 23-vjeçari nga Dibra, Renis Dobra u rrëmbye dhe u vra me litar. 8 ditë pas vrasjes që tronditi jo vetëm fshatin e vogël Madhesh të Matit, por të gjithë vendin, zbulohen detaje të reja që hedhin dritë mbi vrasjen e të riut. Tre vëllezër nga Tropoja, me banim në Kamëz, dyshohet se fshihen pas ngjarjes së rëndë kriminale.

Të tre vëllezërit Bushgjoka, personazhe të njohur për Policinë, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë organizuar rrëmbimin dhe vrasjen e 23-vjeçarit Dobra, të cilin pasi e vranë me litar e hodhën bashkë me makinën e tij buzë liqenit të Shkopetit. Në ndihmë kanë pasur edhe persona të tjerë, ndërsa hetimet e bluve deri më tani kanë çuar në pranga 2 persona, 2 janë shpallur në kërkim dhe 4 janë shoqëruar.

Dëshmitë dhe pamjet e kamerave të sigurisë kanë çuar grupin hetimor në drejtim të tre vëllezërve nga Tropoja. Report Tv ka mësuar përmes burimeve se në pranga ka rënë Fatjon Bushgjokaj, ndërsa në kërkim janë shpallur dy vëllezërit e tij Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj. Po ashtu, blutë kanë arrestuar edhe një tjetër bashkëpunëtor, Petrit Çakrri banues në Tropojë, i cili rezulton të jetë edhe një prej dëshmitarëve okularë të vrasjes së ish-deputetit të PD-së, Azem Hajdari më 12 shtator 1998. Fatjon Bushgjoka është arrestuar në zonën e Astirit, Çakrri është kapur në Kukës, ndërsa dy vëllezërit e tjerë janë ende në kërkim. 

Eliminimi i 23-vjeçarit është vënë në jetë pas një plani të mirëmenduar. Për të kryer vrasjen, vëllezërit Bushgjokaj dhe Çakrri kanë marrë disa makina me qira, në Rinas dhe Yzberisht, të ndryshme çdo ditë për të paktën 72 orë me radhë kur kanë survejuar lëvizjet e Dobrës. Përmes kësaj skeme shpresonin të ishin të vështirë për t’u zbuluar nga autoritetet. Madje, makinave kanë tentuar t’u heqin edhe GPS-in, por nuk kanë mundur. Pasi policia identifikoi auromjetet përmes pamjeve, kuptoi se ishin marrë me qira, dhe më pas, përmes gjurmimit të GPS-së u dokumentuan me prova të gjithë lëvizjet kriminale për eliminimin e 23-vjeçarit. Vëllai më i vogël, Aleksandër Bushgjokaj, dyshohet se në krim ka bashkëpunuar për nxjerrjen për në Kosovë të vëllait tjetër, po me makinë të marrë me qira.

Mjetet i kanë ndërruar disa herë, ndërsa Report Tv arrituri të sigurojë fotot e dy prej tyre, një mjet i zi tip Range Rover dhe një tjetër i bardhë që është përdorur nga autorët natën e rrëmbimit. Në pamjet e siguruara nga Report Tv, në njërin fragment dallohen autorët që lëvizin në drejtim të fshatit Zenisht, ku kanë ndjekur të riun, dhe më pas në kthim, të marrë peng.

1752655845_vellezeritbushgjokaj.jpg

Mjeti i autorëve duke u larguar pas rrëmbimit

Në një konferencë për mediat, kryepolici i Dibrës, Artion Duka, tha se ka të tjerë të shoqëruar që po verifikohen, mes të cilëve Report Tv mëson se është edhe e dashura e Fation Bushgjokajt, e cila ishte me të në momentin e arrestimit.

Pista e hetimit janë konfliktet për trafikun e drogës. Policia thotë zyrtarisht se viktima Renis Dobra ka qenë i dënuar në Gjermani për shpërndarje të lëndëve narkotike, duke bërë disa muaj burg, nga ku më pas u deportua drejt Tiranës. Konflikti me 3 vëllezërit dhe Petrit Çakrrin dyshohet se ka ardhur pasi Dobra ka tentuar t’i mashtrojë disa herë për sasitë e lëndëve narkotike, detaje që me sa duket u kuptuan nga grupi kriminal.

“23-vjeçari ka qenë i dënuar në Gjermani për shpërndarje të lëndëve narkotike, dhe dyshohet se me 4 të sipërpëmendurit ka pasur mosmarrëveshje në fushën e narkotikëve”, tha ai. 

Gjatë mbrëmjes së krimit, policia thotë se u verifikua që autorët nuk kanë qenë të veshur me uniformë policie, si dhe nuk kanë përdorur asnjë logo apo automjet si të policisë.

Pasi e vranë, autorët e futën trupin e 23-vjeçarit në makinë dhe e hodhën në Liqenin e Shkopetit me qëllim për të fshehur ngjarjen, por trupi i pajetë i të riut ka dalë jashtë, ndërsa mjeti përfundoi në ujë. Ndaj Petrit Çakrri rëndojnë akuzat  “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”, ndërsa Fatjon Bushgjoka akuzohet për “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”.

34-vjeçari Bushgjoka rezulton emër i njohur për policinë, pasi është proceduar dhe dënuar disa herë për vjedhje në Shqipëri, shpërndarje droge, vjedhje dhe tregti droge në Itali, mbajtje pa leje të armëve e municioneve, kundërshtim të forcave të rendit. Në tetor të vitit 2019, ai u arratis nga burgu i Rrogozhinës, ku po vuante një dënim me 6 vite burg për vjedhje me dhunë të kryer në bashkëpunim. Në pranga asokohe kishin rëndë edhe dy vëllezërit e tij.

Policia gjatë periudhës hetimore ka sekuestruar 20 celularë, 7 automjete, një shumë eurosh, një sasi lënde narkotike Kokainë, si dhe prova të tjera të cilat do t’i shërbejnë hetimeve.

Të arrestuar 
Fatjon Bushgjokaj
Petrit Çakrri
Në kërkim
Kristi Bushgjokaj
Aleksandër  Bushgjokaj

Ora 11:31
Vrasja e Renis Dobrës, Policia jep detaje: Shkak dyshohet konflikti me autorët për drogë në Gjermani

Drejtori i Policisë së Dibrës, Artion Duka, ka dhënë detaje të tjera në lidhje me zbardhjen e vrasjes së 23-vjeçarit Renis Dobra, ngjarje për të cilën janë arrestuar 2 persona, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Operacioni i koduar “Bashkëfajësia” zgjati 1 javë dhe me anë të metodave speciale të hetimit u zbardh ngjarja.

Sipas policisë, vrasja dyshohet se ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve për drogë mes viktimës dhe autorëve të dyshuar; atyre të arrestuar e 2 të tjerëve në kërkim.

“23-vjeçari ka qenë i dënuar në Gjermani për shpërndarje të lëndëve narkotike, dhe dyshohet se me 4 të sipërpëmendurit ka pasur mosmarrëveshje në fushën e narkotikëve”.

 

Policia konfirmoi se të arrestuarit janë Fatjon Bushgjokaj 34 vjeç banues në Kamzë, i cili u prangos në zonën e Astirit në Tiranë, si dhe Petrit Çakrri 55 vjeç banues në Tropojë, i cili u arrestua në fshatin Golaj të Kukësit. Të dy akuzohen për vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim dhe rrëmbim personi.

Në kërkim janë shpallur vëllezërit e Fatjon Bushgjokaj; Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj.

Drejtori i Policisë së Dibrës ka treguar edhe dinamikën e krimit të rëndë.

“Më 8 Korrik 2025, në orën 22:10, në fshatin Zenisht, Burrel, është marrë peng dhe më pas  vrarë me mbytje me litar. Autorët e hodhën automjetin bashkë me trupin me qëllim që të binin në liqenin e Ulzës”.

 

Por trupi mbeti pa rënë në liqen, duke bërë që të gjendej.

Policia theksoi gjithashtu se në Komisariatin Nr.6 në kryeqytet janë shoqëruar 4 persona për t’u sqaruar përfshirja e tyre e mundshme ose jo në këtë ngjarje të rëndë.

Deklarata e plotë e drejtorit të Policisë së Dibrës:

Jam këtu, së bashku me drejtuesin e Prokurorisë, z. Abaz Muçaj dhe me prokuroren e çështjes zj. Alisa Spahja, për t’ju bërë prezente rezultatet e hetimit intensiv dhe kompleks, i cili u finalizua me zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të vrasjes së shtetasit R. D., 23 vjeç, trupi i pajetë i të cilit u gjet nga shërbimet e Policisë, në afërsi të liqenit të Ulzës, më datë 9 korrik 2025, pas kallëzimit të babait të tij, për largimin e 23-vjeçarit, nga banesa.

Menjëherë pas ngjarjes, grupi i posaçëm hetimor, i përbërë nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, të asistuara nga ekspertë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Departamentit të Policisë Kriminale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dhe të drejtuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, kreu një hetim intensiv njëjavor, me metoda speciale, në kuadër të procedimit penal të regjistruar në Prokurorinë e Dibrës, për këtë rast.

Si rezultat i një pune të mirëorganizuar hetimore, fiksimit dhe analizimit të provave nga vendngjarja, administrimit të shpejtë të informacioneve dhe pamjeve filmike të siguruara nga Policia në lidhje me autorësinë e rastit, si dhe i veprimeve të tjera profesionale policore, u bë e mundur zbardhja e autorësisë së vrasjes së shtetasit R. D..

Konkretisht, në kuadër të operacionit policor të koduar “Bashkëfajësia”, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e drejtorive vendore të Policisë Tiranë dhe Kukës, në zbatim të urdhrit të prokurorit, vunë në pranga shtetasit:

-P. H. alias P. C., 55 vjeç, banues në Tropojë, i cili u arrestua në fshatin Golaj, Kukës, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”;

-F. B., 34 vjeç, banues në Kamzë, i cili u arrestua në zonën e Astirit, Tiranë, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”.

Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit K. B. dhe A. B., vëllezërit e shtetasit të arrestuar F. B..

Vijojnë kontrollet dhe kërkimet, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Nga hetimet e thelluara të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e  Prokurorisë, rezultoi se më datë 08.07.2025, rreth orës 22:10 në fshatin Zenisht, Burrel, shtetasi R. D. është marrë peng dhe me pas është vrarë, nëpërmjet strangulimit (mbytjes me litar).

Autorët, pas vrasjes, e kanë hedhur automjetin e 23-vjeçarit, bashkë me trupin e pajetë të tij, me qëllim që të binin në liqenin e Ulzës. Gjatë rënies, trupi i 23-vjeçarit ka mbetur pranë sektorit "C", pa rënë në liqen, ndërsa automjeti ka rënë në liqen, ku dhe u gjet.

Nga informacionet e siguruara rezulton se 4 shtetasit që kanë marrë pjesë në vrasjen e 23-vjeçarit, nuk kanë qenë të veshur me uniformë policie, si dhe nuk kane përdorur asnjë logo apo automjet te Policisë.

23-vjeçari ka qenë i dënuar në Gjermani, për shpërndarje të lëndëve narkotike, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ai dyshohet se me 4 shtetasit e lartpërmendur, autorë të dyshuar të vrasjes, ka patur mosmarrëveshje që lidhen për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Gjatë periudhës hetimore dhe veprimeve operacionale u sekuestruan 20 celularë, 7 automjete, një shumë eurosh, një sasi lënde narkotike Kokainë, si dhe prova të tjera të cilat do t’i shërbejnë hetimeve.

Ndërkaq, në lidhje me ngjarjen, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale e Policisë së Shtetit ka shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, Tiranë, 4 shtetas të tjerë, për të cilët po kryhen hetime intensive për të përcaktuar dhe individualizuar përgjegjësinë penale.

Në drejtimin e Prokurorisë së Dibrës dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, grupi i posaçëm hetimor i DVP Dibër po vijon intensivisht hetimin, për zbardhjen e plotë të rrethanave te ngjarjes, si dhe për kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë kriminale.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër siguron qytetarët e qarkut Dibër, se po punon maksimalisht për të parandaluar dhe goditur çdo paligjshmëri që cenon jetën dhe pronën e qytetarëve.

Gjithashtu, në bashkëpunim të ngushtë me organet ligjzbatuese dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, po punohet për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushat e narkotikeve dhe trafiqeve të paligjshme. Përfitoj nga rasti që t’iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve të qarkut Dibër, që të bashkëpunojnë më shumë me Policinë, duke denoncuar çdo paligjshmëri.

Parandalimi dhe goditja e kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve, armëmbajtes pa leje, vjedhjes së pronës, ndërtimeve pa leje, si dhe garantimi në tërësi i sigurisë përgjatë sezonit turistik, janë prioritet i punës së Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër.

Ora 10:40
Report Tv siguron VIDEON, momenti kur autorët ndjekin Dobrën me makinën me qira! Largohen me shpejtësi pas rrëmbimit

Ky mjet i bardhë që shihni në video, është makina me qira e përdorur nga autorët e vrasjes së 23-vjeçarit Renis Dobra në Mat. Report Tv ka siguruar këto pamje nga momenti kur autorët e vrasjes, dyshohet të kenë ndjekur të riun nga Mati, të cilin më pas e rrëmbyen dhe e torturuan deri në vdekje. Mjeti i marrë me qira fillimisht shihet teksa ndjek një mjet, i cili dyshohet të jetë i të riut Dobra.

Autorët e dyshuar, tre vëllezërit Bushgjokaj nga Tropoja, e kanë ndjekur të riun për 3 ditë më radhe në Burrel, deri mbrëmjen e 8 korrikut kur e morën peng dhe pasi e mbytën me litar e hodhën në Liqenin e Shkopetit.

Më pas në video, dallohet momenti kur autorët me mjetin e bardhë largohen pasi kanë rrëmbyer të riun nga Mati. Ata kanë përdorur një mjet të marrë me qira, ndërsa në video dallohen teksa largohen me shpejtësi.

Ora 10:15
Vrasësit e të riut Dobra lëviznin me makina me qira, Report Tv siguron fotot! Tentuan të hiqnin GPS për të zhdukur gjurmët

1752653542_makinatmeqeravellezeritbushgjokaj.jpg

Report Tv ka siguruar foto e  dy prej makinave me qira që kanë përdorur vrasësit e dyshuar të 23-vjeçarit Renis Dobra në Mat. Burime për gazetarin e Report Tv, Sokol Dema bëjnë me dije se tre vëllezërit Bushgjokaj kanë marrë disa makina me qira në Rinas dhe Yzberisht disa ditë para kryerjes se krimit. Ata i kanë ndërruar makinat disa herë për të humbur gjurmët pasi fillimisht, për 3 ditë me radhë, kanë bërë vëzhgimin e lëvizjeve të Renis Dobrës në Burrel, deri mbrëmjen e 8 korrikut kur e morën peng dhe pasi e mbytën me litar e hodhën në Liqenin e Shkopetit.

Ora 10:09
I përfshirë në vrasjen e Renis Dobrës/ Petrit Çakrri, dëshmitar okular i ekzekutimit të Azem Hajdarit! Doli pak muaj më parë nga burgu

1752653602_petritakrri.jpg

Petrit Çakrri, i arrestuar si i përfshirë në vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra nga Mati, rezulton të jetë një prej dëshmitarëve okularë të vrasjes së ish-deputetit të PD-së, Azem Hajdari më 12 shtator 1998.

Çakrri u ndalua në Tropojë dhe akuzohet se bashkë me tre vëllezërit Kristi, Fatjon dhe Aleksandër Bushgjokaj kanë ndjekur, mbytur me litar 23-vjeçarin dhe më pas e kanë hedhur drejt liqenit të Shkopetit.

Çakrri dyshohet se pas daljes nga burgu disa muaj më parë, ka ndryshuar mbiemrin, duke e bërë Hoxha.
 

Ora 09:58
FOTO/ Grabitje, drogë e arratisje nga burgu, kush janë tre vëllezërit Bushgjokaj që dyshohet se rrëmbyen dhe torturuan për vdekje 23-vjeçarin Dobra

1752653210_fationbushgjokaj.jpg

Fatjon Bushgjokaj

Fatjon, Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj janë tre vëllezërit nga Kamza që dyshohet se kanë organizuar rrëmbimin dhe vrasjen e Renis Dobrës në Mat. Një prej tyre tashmë ka rënë në prangat e Policisë dhe dy vëllezërit e tjerë, Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj janë në kërkim nga blutë. Të tre kanë të shkuar të shkuar kriminale dhe rezultojnë me precedentë kryesisht në vjedhje, shpërndarje droge dhe arratisje nga burgu.

Fatjon Bushgjokaj rezulton më i njohur për uniformat blu, pasi është proceduar dhe dënuar disa herë për vjedhje në Shqipëri, shpërndarje droge, vjedhje dhe tregti droge në Itali, mbajtje pa leje të armëve e municioneve, kundërshtim të forcave të rendit si dhe arratisje nga burgu.

Në tetor të vitit 2019, Bushgjokaj është arratisur nga burgu i Rrogozhinës, ku po vuante një dënim me 6 vite burg për vjedhje me dhunë të kryer në bashkëpunim. Ai kishte dalë me leje nga burgu i Rrogozhinës disa ditë, por nuk është kthyer më duke u arratisur.

Ai u arrestua në vitin 2017, si pjesë e një grupi që mashtronin, grabisnin dhe dhunonin qytetarët. Në skemë ishte e përfshirë asokohe edhe e dashura e tij dhe dy vëllezërit e tjerë.

Fatjon Bushgjokaj, dhe e dashura e tij e cilësonin njëri-tjetrin si Bonnie e Clyde, (çifti i famshëm i grabitësve amerikanë), ndërkohë që grabitjet e tyre tmerruan Tiranën.

Ndërkohë, Fation Bushgjokaj, bashkë me një prej kushërinjve të tij, Elson Bushgjokaj, në vitin 2011 janë vënë nën akuzë për grabitjen me dhunë të një ish-efektivi të policisë së burgjeve në Mamurras.

Rastet për të cilat u akuzua Fatjon Bushgjoka

Më datë 23.03.2017, në Kodër Mëzes, kanë vjedhur shtetasen R. M., të cilës i kanë marrë një telefon të markës “Alfa 5”

Më datë 23.03.2017, në rrugën “Kasem Shima”, kanë vjedhur shtetasin E. A., të cilit i kanë marrë një telefon të markës “Samsung S3” dhe një xhp lëkure

Më datë 28.03.2017, në “Fushë Mëzes”, kanë vjedhur shtetasin I. T., të cilit i kanë marrë një telefon të markës “iPhone 6 S plus”

Më datë 29.03.2017, tek rrethrrotullimi “Vorës”, kanë vjedhur shtetasin Xh. L., të cilit i kanë marrë një telefon të markës ” iPhone 4S” dhe 4 mijë Lekë të reja

Më datë 31.03.2017, pranë ish “C. Italia”, kanë vjedhur shtetasin O. H., të cilit i kanë marrë një telefon të markës “Doogee” dhe 12 mijë Lekë të reja

Më datë 01.04.2017, në rrugën dytësore të autostradës Durrës–Tiranë, kanë vjedhur shtetasin R. Ç., të cilit i kanë marrë një telefon të markës ” iPhone 6 S plus”

Më datë 01.04.2017, në rrugën “Sokrat Mio”, kanë vjedhur shtetasin S. M., të cilit i kanë marrë një telefon të markës “iPhone 6”, një varse, një orë dore, 15 mijë Lekë të reja dhe xhupin

Kristi Bushgjokaj
Ora 09:31
E vëzhguan për 3 ditë dhe ndërruan makinat me qira disa herë, zbardhet dinamika e lëvizjes së autorëve të vrasjes së Renis Dobrës! Të përfshirë tre vëllezër dhe një tjetër

1752648436_renisdobra.jpg

Tre vëllezërit Kristi, Fatjon dhe Aleksandër Bushgjokaj nga Tropoja, të cilët jetonin në Kamëz, dhe Petrit Çakrri kanë përdorur makina me qira për te kryer krimin. Gazetari Sokol Dema raporton se ata, sipas policisë, kanë marrë disa makina me qira në Rinas dhe Yzberisht disa ditë para kryerjes se krimit.

Ata i kanë ndërruar makinat disa herë për të humbur gjurmët pasi fillimisht, për 3 ditë me radhë, kanë bërë vëzhgimin e lëvizjeve të Renis Dobrës në Burrel, deri mbrëmjen e 8 korrikut kur e morën peng dhe pasi e mbytën me litar e hodhën në Liqenin e Shkopetit.

Një prej vëllezërve Bushgjokaj akuzohet për përkrahje të autorit të krimit pasi rezulton se ka dërguar në Kosovë 2 vëllezërit e tjerë pas ngjarjes. 2 të tjerët akuzohen se kanë bashkëpunuar në kryerjen e krimit.

Autorët rezulton se kanë tentuar të heqin disa herë GPS e makinave me qira por nuk ia kanë arritur. Dyshimi i parë i policisë është se autorët kanë pasur konflikt të drejtpërdrejtë me Dobrën, por nuk përjashtohet mundësia ta kenë bërë për llogari edhe të personave të tjerë, po për drogën në Gjermani.

Ora 08:50
E mbytën me litar dhe e hodhën drejt liqenit të Shkopetit, si u gjurmuan autorët e vrasjes së Renis Dobrës! Kishin marrë makina me qira

1752648522_renisdobra.jpg

Dy autorët e vrasjes së Renis Dobrës nga Mati u ‘tradhtuan’ nga automjetet që kishin marrë me qira. Gazetari Sokol Dema raporton se ata janë gjurmuar nëpërmjet kamerave të sigurisë.

Pasi është zbuluar se automjetet me të cilët lëviznin ishin marrë me qira në Rinas, autorët janë zbuluar nëpërmjet GPS-së nga qiradhënësi.

Ora 08:50
E mbytën me litar dhe e hodhën drejt liqenit të Shkopetit, si u gjurmuan autorët e vrasjes së Renis Dobrës! Kishin marrë makina me qira

1752050740_renisdobra.jpg

Dy nga autorët e vrasjes së Renis Dobrës nga Mati u ‘tradhtuan’ nga automjetet që kishin marrë me qira. Gazetari Sokol Dema raporton se ata janë gjurmuar nëpërmjet kamerave të sigurisë.

Pasi është zbuluar se automjetet me të cilët lëviznin ishin marrë me qira në Rinas, autorët janë zbuluar nëpërmjet GPS-së nga qiradhënësi.

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Askushi: 16/07/2025 16:45

    Me gjithe ket skede te pasur me krime dhe bredhin rrugeve?!shteti nuk funksionon.te tjerat dihen i ka mbyt koruosioni

    Përgjigju
  • TRANS -RAPID: 16/07/2025 13:33

    Rrethet Tropojë Dukagjin Deqan dhe Peshkopi të parat në Ballkan dhe Europë për krime dhe kriminalitet duhej të ktheheshin në Kampe se për dekada pa ndërprerë qelbën Europën

    Përgjigju
  • dori: 16/07/2025 12:21

    Punë shpellarësh....janë kafshë...

    Përgjigju
  • Droga: 16/07/2025 11:46

    Tani do hapen varre te tjera per pun droge se nuk duan te punojn shpellaret me banim ne kamez me prejardhje nga shpellat e vrasin njeri tjetrin

    Përgjigju
  • Bushgjoka: 16/07/2025 10:54

    Ordineri meret me kalamaj perjetshem do ikesh or malok i degjenerum

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Përplasja mes Lapajt e Shabanit për mandatin, kush mendoni se ka të drejtë?