Fatmir Mediu flet pas dëshmisë së Ylli Pinarit: Nuk e përcaktoi ministri vendin e ‘Gërdecit’, asnjë njohje me kompaninë amerikane dhe atë shqiptare

10 Janar, 13:49| Përditesimi: 10 Janar, 14:09

  • Share

 

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka folur për mediat pas seancës në GJKKO për masakrën e Gërdecit, ku dëshmoi edhe Ylli Pinari. Në fjalën për mediat, Mediu tha se dëshmia e Pinarit tregoi se nuk e ka përcaktuar ministri vendin e Grëdecit, por ka ardhur e përcaktuar nga kompania.

Ai deklaroi se gjatë kohës së mbante postin e ministrit nuk ka pasur njohje as me kompaninë shqiptare "MEICO" dhe as atë amerikane "SAC".

Fjala e Mediut

Sot në këtë seancë doli që Gërdecin nuk e ka përcaktuar Ministri i Mbrojtjes, ka ardhur e përcaktuar nga kompania. Ministri i Mbrojtjes as ka pasur dijeni dhe as nuk ka qenë në Gërdec, përfaqësues të lartë ushtarak kanë qenë dhe kanë vlerësuar Gërdecin më shumë se sa njëherë. Përsa i përket urdhrit 20/44, duhet t’iu them që është i përgatitur nga strukturat e shtabit të përgjithshëm, sektori armatim municioni, drejtoria logjististike, strukturat e shtabit, përcjellë nëpërmjet shefit të shtabit, drejtorisë juridike tek ministri i Mbrojtjes.

Çështjet që ngriti Pinari, nuk janë çështje të gjykimit të Ministrit të Mbrojtjes në aspektin e kalibrave apo të sigurisë. Dua ta bëj të qartë vendimi i këshillit të ministrave i përcakton ministrit disa detyra, MEICO disa detyra, forcave të armatosura lëvizjen, sigurinë e procesit, trajtimin e produkteve të demontimit dhe po ashtu përcakton që ka nevojë për çmilitarizimin, jo vetëm për urdhrin e ministrit, por edhe për një udhëzim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, i cili ka munguar.

Në FA nuk mund të ketë urdhër ministri që ngarkon shtabin e Përgjithshëm me detyra dhe mos të ketë një urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, autoriteteve të larta të tij apo komandave në zbatim, se përndryshe s’do të flisnim për FA.

E gjithë kjo situatë qartësoi një gjë, që ministri i mbrojtjes ka zbatuar detyrimet ndërkombëtare, ligjore, interesat e sigurisë së vendit, të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ka zbatuar vendimin e KM, me atë detyrë që i ka lënë vendimi i KM. Vendimi i Këshillit të Ministrave përcakton se kalimi i municioneve bëhet me urdhër ministri, ministri ndërton komision për çmimet, që është mik civil dhe ushtarak, dhe një komision të posaçëm  të kategorizimit, që është tërësisht ushtarak me specialistët më të mirë.

Pas këtyre veprimeve vihet në lëvizje ministri. Urdhri 20/44, siç u çmua edhe sot ka ardhur si një procedurë e iniciuar dhe e përgatitur e gjitha nga Shtabi i Përgjithshëm. Vlerën juridike të bazueshmërisë të këtij urdhri nuk jam unë që e çmoj.

Pse kërkuat të dëshmonte Pinari?

Kërkova dhe dua ta vlerësoj përgjigjen për faktin se Pinari ka qenë një ndër dëshmitarët më të rëndësishëm, e kërkova në emër të së vërtetës dhe drejtësisë. Shpresoj që në këtë logjikë të veprojnë të gjithë ata që thirren, pavarësisht në cilësinë se si janë thirrur. Të paktën në raport me këtë çështje të gjithë kemi detyrimin të themi se çfarë është thënë e vërteta. Unë nuk kam folur, kam qenë i kursyer në raport me këtë çështje. Për vite me radhe është hedhur baltë, janë bërë shumë aludime, por sot qartësisht duket se kjo çështje nuk ka të bëjë me implikimin e ministrit. Ministri nuk ka pasur njohje as me kompaninë shqiptare, as me kompaninë amerikane,  nuk ka pas asnjë kontakt me ta, nuk ka shkelur asnjëherë autoritetin e FA për t’i shmangur ato nga procesi.  


Lajmi kryesor:

Masakra e Gërdecit, dëshmia e ish drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari: Forcat e Armatosura janë përgjegjëse, nuk zbatuan detyrat që i ngarkonte ligji


SI.E.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?