SEPA

Opinion

Fatos Çoçoli: Sa fitojmë nga SEPA si qytetarë?

22 Nëntor, 15:19| Përditesimi: 22 Nëntor, 15:33

  • Share

Nga data 21 nëntor 2024, Shqipëria është pjesë e kuadrit gjeografik të skemave të pagesave të Zonës Unike të Pagesave në Euro (në anglisht, Single European Payment Area, ose SEPA). Anëtarësimi efektiv do të ndodhë në prill 2025.

Nën drejtimin e Bankës së Shqipërisë, Shqipëria ka ndërmarrë hapa të ndjeshëm për të përshtatur sistemet dhe rregulloret e pagesave kombëtare me standardet e Bashkimit Evropian. Nga dje, vendi ynë u bë pjesë e grupit të parë të shteteve të Ballkanit Perëndimor, që janë bashkuar me kuadrin gjeografik të SEPA-s, duke arritur një përparim të rëndësishëm në rrugën e tij drejt anëtarësimit të plotë në BE.

Çfarë është SEPA?

SEPA ka nisur funksionimin në vitin 2008 dhe është plotësuar me 36 shtete anëtare në vitin 2016.

Çfarë është SEPA?
·SEPA do të thotë Zonë e Vetme e Pagesave në Euro.
·SEPA ka 36 vende anëtare.
· Të 27 vendet anëtare të BE-së janë në SEPA.
·Qytetarët me një llogari SEPA mund të bëjnë transferta në euro në të 36 vendet anëtare

Integrimi i pagesave, i realizuar nga SEPA, ka kontribuar në efiçiencën e pagesave të qytetarëve dhe bizneseve, si dhe ka përmirësuar konkurrencën e ekonomisë evropiane në tërësi.

Gjatë të 16 viteve të funksionimit të tij, sistemi i pagesave SEPA u ka dhënë qytetarëve të Bashkimit Evropian me qindra milionë euro përfitim, në tarifa më të ulura të pagesave ndërkufitare.

Harta e vendeve SEPA

Çfarë përfitojmë ne nga SEPA?

Si pjesë e Planit të Rritjes Ekonomike të Bashkimit Evropian për të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria ka marrë dritën jeshile nga Komisioni Europian, që të bëhet pjesë e SEPA-s, e sistemit unik evropian të pagesave.

SEPA ka eliminuar praktikisht dallimet midis pagesave kombëtare dhe atyre ndërkufitare. Këto të fundit, përpara vitit 2008 ishin disa herë më të larta se pagesat brenda një shteti të BE-së.

Kur aplikoi më 12 qershor 2024, Shqipëria u bë vendi i parë nga Ballkani Perëndimor, të cilit i pranohet aplikimi, për t’u bërë pjesë e Sistemit Unik Europian të Pagesave (SEPA). Kjo erdhi, falë harmonizimit të plotë të kuadrit rregullator nga ana e Bankës së Shqipërisë.

Ky përparim u evidentua edhe nga një raport i Bankës Botërore, ku cilësohet se vendi ynë ka plotësuar të nëntë kriteret e nevojshme për t’u futur në SEPA.

Përfitimet nga SEPA
1.Transferta të eurove në Evropë më të shpejta, më të sigurta dhe më të lira
2.Jo vetëm për individët, por edhe për bizneset.
3. SEPA i bën transfertat ndërkombëtare në Evropë po aq të thjeshta sa ato të brendshme

4.Vendos të njëjtat standarde për të gjitha vendet anëtare, duke eliminuar kostot dhe vonesat kohore e burokratike për transfertat ndërkombëtare.

Kuadri ligjor për SEPA-n, të cilin Banka Qendrore Evropiane ndihmoi për të hartuar, në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Evropian, bazohet në ligje-direktiva të BE-së, si Rregullorja e Pagesave Ndërkufitare, Direktiva e Shërbimeve të Pagesave (PSD/PSD2), Rregullorja e Datës së Fundit të Migrimit në SEPA dhe Rregullorja e Tarifave të Shkëmbimit.

Falë këtij sistemi të vetëm të pagesave, qytetarët tanë mund të bëjnë pagesa në euro pa para, nëpërmjet transferimit të kartës së kredisë apo debisë në euro që kanë, kudo në Bashkimin Evropian, njëlloj sikur të ishin në vendin e tyre. 

Pagesat kryhen në SEPA brenda ditës, po të jenë online dhe deri në dy ditë pune, po të jenë me urdhër fizik pagese, pavarësisht se ku je në Bashkimin Evropian.

20 milionë euro fitim nga SEPA vetëm në vitin e parë

Kosto e këtyre pagesave është shumë e vogël, me tarifa që shkojnë nga 1-2 euro për shuma të vogla deri në 500 euro, si dhe tarifa maksimumi 10-20 euro për shuma mbi 10 mijë euro.

Si i ul SEPA kostot?
1.Transfertë e sotme bankare në Berlin ose nga Berlini në Shqipëri
- Nën 500 euro                                    6-7 euro
- 500-5,000 euro                                 24-27 euro
- 5,000-20,000 euro                           85-140 euro
2. Transfertë bankare SEPA në Berlin ose nga Berlini në Shqipëri
- Nën 500 euro                                    1-2 euro
- 500-5,000 euro                                 6-8 euro
- 5,000-20,000 euro                           25-35 euro

Guvernatori i Bankës Shqipërisë ka theksuar se përfitimet e të qenurit pjesë e këtij sistemi janë të shumta për individët, bizneset, por dhe turizmin. Banka jonë qendrore punoi fort, që nga viti 2021, për të arritur afatet e aplikimit.

Si e ul SEPA kohën?
1. Transfertë bankare e sotme nga Shqipëria për në BE dhe anasjelltas
-Nën 500 euro                                    1-3 ditë pune
- 500-5,000 euro                                 1-5 ditë pune
- 5,000-20,000 euro                            2-7 ditë pune
2. Transfertë bankare SEPA nga Shqipëria për në BE dhe anasjelltas
-Nën 500 euro                    në 24 orë nëse transfertë fizike, në pak sekonda online
-500-5,000 euro                 në 24 orë nëse transferte fizike, në pak sekonda online
-5,000-20,000 euro            1-2 ditë pune nëse transfertë fizike, në pak orë online

E gjitha kjo përfaqëson një përfitim mjaft të madh për individët, bizneset dhe emigrantët. Po ashtu, edhe për turistët.

Kjo, pasi komisionet brenda në SEPA do të jenë me herë më të ulëta dhe transaksionet më të shpejta. Brenda një dite pune do të vijë çdo transfertë nga seicili vend anëtar i SEPA-s, ndërsa deri tani kërkohej edhe një javë kohë.

Bizneset do të përfitojnë, importuesit dhe eksportuesit do të përfitojnë, por edhe qytetarët. Përfituesit e parë më të mëdhenj do të jenë emigrantët që sjellin para në Shqipëri në familjet e tyre këtu.

Sipas Bankës së Shqipërisë, ngritja e sistemit ndërbankar në vend, për transfertat në euro, që nga viti 2022, u kurseu qytetarëve rreth 47 milionë euro. Me integrimin në Zonën Unike Evropiane të Pagesave, kursimet do të rriten në disa herë. Vetëm për vitin e parë, pra për vitin 2025, do të kemi rreth 20 milion euro kursime nga ulja e komisioneve, si në tabelën 3, duke përfshirë individët dhe bizneset.

Mbi 120 milionë euro fitim nga tre vite në SEPA

Në vitet e tjera që vijnë, shifrat e kursimeve do të jenë akoma më të mëdha, ndoshta në progresion gjeometrik. Për vitin 2026 parashikohet një përfitim të paktën 44 milionë dhe në vitin 2027 mbi 60 milionë euro.

Futja e Shqipërisë në SEPA do të ndikojë fort edhe në formalizimin e ekonomisë sonë, në rritjen e përfshirjes financiare, në modernizimin e pagesave dhe paralelisht, në edukimin financiar, që banka jonë qendrore e ka projekt madhor.

Puna disavjeçare e Bankës së Shqipërisë për integrimin në SEPA pritet të finalizohet edhe me zbatimin e një sistemi të ri dhe të shpejtë pagesash, të quajtur “Pagesa të menjëhershme(në anglisht, “Instant payments”).

Ky sistem do u mundësojë të gjithë qytetarëve dhe sipërmarrësve të transferojnë para në kohë reale. Ai do të nxisë më tej konkurrencën mes institucioneve bankare dhe jo-banka, duke ulur kostot dhe rritur cilësinë e shërbimit për qytetarët.

Futja në SEPA i afron shumë tek ne “Pagesat e menjëhershme. Ajo shërben për të modernizuar edhe më tej sistemet e pagesave tona, për të qenë në përputhje të plotë me sistemet moderne të Bashkimit Europian. Me arritjen e kësaj faze në prill 2025, vendi ynë nuk do të ketë asnjë ndryshim me sistemet moderne të pagesave që përdor, në krahasim me vendet evropiane anëtare të Bashkimit Evropian.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në SEPA, jo vetëm që shënon një hap tejet të rëndësishëm në rrugëtimin e integrimit tonë evropian, por do të krijojë lehtësira për bizneset dhe konsumatorët shqiptarë në terma të kostos, kohës dhe thjeshtësisë me të cilën do të kryejnë pagesa bankare, transaksione ndërkufitare brenda vendeve të Bashkimit Evropian.

Zbatimi me sukses i këtij sistemi, do të na krijojë kushtet për integrimin tonë në sistemin evropian TIPS, ngaqë SEPA i jep mundësi vendeve anëtare të realizojnë pagesa në euro, transferta,  kreditim dhe debitim direkt, njëlloj si pagesat kombëtare, duke eliminuar diferencat mes pagesave kombëtare dhe atyre ndërkufitare, si dhe duke harmonizuar standardet dhe kushtet e funksionimit në të gjitha vendet pjesëmarrëse.

Nga ana tjetër, integrimi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në SEPA do të sillte përfitime të mëdha ekonomike për rajonin, si reduktimi i kostove të tregtisë, ulja e kostove të transfertave bankare, reduktimi i cash-it në ekonomi, duke i bërë pagesat elektronike më të thjeshta dhe më të lira, si edhe duke nxitur njëkohësisht përfshirjen financiare dhe aksesin në financë për qytetarët e vendeve tona.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Po mër po: 22/11/2024 20:03

    Këto paratë që merrte SEPA, kush do i marri tani? Se sekser/bankier gjithandej biznesmen të parasë qyl

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?