Ambasadori Gonzato dhe guvernatori Sejko

Ekonomi

Shqipëria në SEPA/ Ambasadori Gonzato takim me Sejkon: Moment historik, qytetarët dhe bizneset më afër tregut unik të BE

22 Nëntor, 11:21| Përditesimi: 22 Nëntor, 12:10

  • Share

Moment historik që afron qytetarët dhe bizneset shqiptare me tregun unik të BE-së, e konsideroi ambasadori i Bashkimit Evropian Silvio Gonzato futjen e Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro. Komentin e bëri gjatë një takimi me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejkon duke shtuar se ky institucion ka një rol shumë të rëndësishëm për ruajtjen e qëndrueshmërisë ekonomike të vendit.

Nga janari 2025, shqiptarët do të bëjnë transferta parash drejt BE-së dhe anasjelltas pa asnjë kosto financiare.

“Ky moment historik do t'i afrojë qytetarët dhe bizneset shqiptare me Tregun Unik të BE-së, duke mundësuar një proces që gradualisht do të sjellë transaksione me tarifa më të lira dhe më të shpejta me BE-në”, tha ambasadori Gonzato.

Gjatë takimit, guvernatori Sejko i shprehu mirënjohjen Ambasadorit Gonzato për hapjen zyrtare të negociatave për Grup-Kapitullin e parë me Bashkimin Europian që shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit me BE-në.

Guvernatori falënderoi Gonzaton për asistencën  teknike që BE ka dhënë për forcimin e kapaciteteve të Bankës së Shqipërisë nëpërmjet fondeve IPA dhe programeve Twinning, në fusha të rëndësishme të bankingut qendror si stabiliteti makroekonomik dhe financiar, auditimi, mbikëqyrja dhe sistemet e pagesave, në mbështetje të përgatitjeve të saj për anëtarësimin në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore dhe më pas në Eurosistem.

Ambasadori përgëzoi Guvernatorin Sejko për progresin e bërë në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe veçanërisht për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian për grup-kapitullin e parë. Përmbushja e kritereve të anëtarësimit çon në zhvillimin gjithëpërfshirës politik, social dhe ekonomik të vendit.

Ai vlerësoi punën e bërë kryesisht për Kapitullin 4 “Lëvizja e lirë e kapitalit” dhe Kapitullin 17 “Politika Ekonomike dhe Monetare”, të cilët drejtohen nga Banka e Shqipërisë, por dhe kontributin e kësaj të fundit në kapitujt e tjerë ku merr pjesë, si dhe nënvizoi vlerësimin e Komisionit Evropian në lidhje me procesin e përafrimit sipas kapitujve të acquis të BE-së, i cili konstatohej dhe në progres-raportin e fundit.

Gonzato vlerësoi punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në drejtim të përballimit me sukses të sfidave dhe garantimit të stabilitetit financiar në vend, si një parakusht i rëndësishëm për investitorët, me synim zhvillimin dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe investimeve të huaja në Shqipëri.

Ambasadori Gonzato konfirmoi vullnetin për të rritur më tej bashkëpunimin dhe mbështetjen e BE-së për Bankën e Shqipërisë nëpërmjet asistencës teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror dhe ndërmarrjes së projekteve të përbashkëta në të ardhmen.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?