Teksa IKMT po vijon me shembjen e objekteve pa leje në Theth Famulltari i kësaj zone i ka bërë thirrje qeverisë që mos të ndërmerret asnjë lloj aksioni për shkatërrimin e kasolleve prej druri, të ndërtuara për mikëpritjen e turistave apo i shtëpive për banim.
Në letrën drejtuar qeverisë ai nënvizon se banorët duhet të pajisjen me dokumenta pronësie për tokat dhe shtëpitë që kanë trashëguar nga paraardhësit e tyre.
Kërkesa e plotë:
REAGIM NË LIDHJE ME SHKATËRRIMIN E SHTËPIVE NË THETH
Drejtuar: Qeverisë së Shtetit Shqiptar.
E kam detyrim, nën shembullin e Famullitarve, që i kanë shërbyer zonës së Shalës dhe krejt Dukagjinit përgjatë shekujve, në luftë e në paqe, në gëzime e në hidhërime, të them fjalën time në lidhje me shkatërrimin e shtëpive dhe kasolleve të drurit në Theth në muajin korrik, e siç po përflitet, për një aksion të dytë shkatërrimi.
Prandaj, si Famullitar i Thethit dhe i fshatrave të tjerë përreth (Nderlysaj, Breg- Lumi, Lekaj, Abat, Gimaj, Lotaj), bëj thirrje që të mos ndërmerret më asnji lloj aksioni për shkatërrim të kasolleve prej druri, të ndërtuara për mikëpritjen e turistave apo i shtëpive për banim. E në të njëjtën kohë bëj thirrje për pajisjen me dokumenta pronësie të shtëpiave dhe tokave, që kanë trashëguar banorët e Thethit dhe krejt Dukagjinit, prej t'Parëve të tyne, proçes që tashmë ka nisur dhe është në fazen fillestare. Eshtë e drejtë natyrore që çdokush që ka të trashëguar shtëpinë dhe tokën, të ketë edhe dokumentin përkates. Nëse një ligj pengon banorët e Thethit të mos pajisen me dokumenta pronësie, për shtëpitë dhe tokat e tyre, ai është një ligj që cenon të drejtat dhe dinjitetin e njeriut, e si i tillë, nuk duhet të jetë. Alpet kanë bukurinë e vet, por më së pari jeta dhe dinjiteti i njeriut.
Duke e përmbyllur këtë reagim, ju ftoj që fadromat t'i përdorni për me hapë rrugë e për të krijuar kushte të përshtashme për jetëse në Dukagjin, ashtu siç keni nisë të veproni, me rinovimin e rrugës që përshkon krejt Dukagjinin, duke filluar nga Prekali, e jo të bëni të njëjtin gabim, si në korrik, duke shkatërruar me fadroma shtëpitë dhe kasollet e drurit në Theth.
Jepuni mundësinë banorve të Shalës dhe krejt Dukagjinit t'i rinovojnë shtëpijat e vjetra, të braktisura për shkak të kushteve të vështira të jetesës, sepse me ndërtimin e rrugës, banorët do të kenë mundësi të rikthehen në tokat e t'Parëve të tyre. E me ndërtimin e rrugës, edhe turizmi do të rritet në krejt zonen e Dukagjinit, pasi çdo fshat i Dukagjinit, ashtu si Thethi, ka bukurinë e vet, që do të shihet më qartë kur rruga të bëhet e përshtatshme për të gjitha mjetet automobilistike.
Duke shpresuar që nuk do të bëhet edhe një herë gabimi i korrikut, pres një reagim pozitiv nga ana e autoriteve përgjegjëse.
FR KASTRIOT DEMAJ, O.F.M.
Famullitar i Theth-Breglumi
Lajmi kryesor:
IKMT rikthehet në Theth, faza e dytë e shembjes së objekteve pa leje. Do të prishen 30 ndërtesa (VIDEO)
Xh.K/ReportTv.al
