Stadiumi në Leskovac para ndeshjes Serbi - Shqipëri

Sport

Federata serbe mbështet arrestimin e tifozit shqiptar, njoftim të rëndësishëm para ndeshjes me Shqipërinë: Bileta të personalizuara dhe kontrolle të rrepta

10 Tetor, 11:41| Përditesimi: 10 Tetor, 12:52

  • Share

Federata e Futbollit të Serbisë (FSS) ka publikuar një njoftim të rëndësishëm për tifozët në prag të ndeshjes Serbi - Shqipëri, e cila do të zhvillohet më 11 tetor në qytetin e Leskovacit, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026.

Sfida është cilësuar me rrezikshmëri të lartë, ndaj autoritetet serbe kanë parashikuar masa të forta sigurie, për të shmangur çdo incident që mund të dëmtojë zhvillimin e takimit. Federata serbe e nis komunikimin me mbështetjen e arrestimit të tifozit 53-vjeçar shqiptar në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, pasi në makinë iu gjetën pesë çanta me flamuj, fanella dhe simbole kombëtare shqiptare.

Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të FSS-së, theksohet se biletat do të jenë të personalizuara dhe hyrja në stadium do të jetë e mundur vetëm nëse emri në biletë përputhet me dokumentin e identifikimit të tifozit.

“Biletat për ndeshjen janë të personalizuara dhe hyrja në stadium nuk do të jetë e mundur nëse emri në biletë nuk përputhet me dokumentin personal”, thuhet në deklaratë.

Federata serbe njofton gjithashtu se kontrollet e sigurisë do të jenë të shumëfishta, me dy pika kontrolli përpara hyrjes në stadium.

“Të gjithë çakmakët, monedhat metalike dhe objektet e tjera të forta do të konfiskohen. U bëjmë thirrje tifozëve që të vijnë herët, për të shmangur vonesat dhe për të hyrë në stadium në kohë”, shton njoftimi.

Në komunikatën e FSS-së theksohet se siguria e lojtarëve, zyrtarëve dhe tifozëve është përparësi absolute, ndërsa çdo tentativë për prishje të rendit do të ndëshkohet menjëherë.

“Federata e Futbollit të Serbisë dhe autoritetet shtetërore nuk do të lejojnë asgjë që mund të rrezikojë ndeshjen ose të shkaktojë pasoja për kombëtaren, federatën apo shtetin. Të gjitha agjencitë ligjzbatuese do të reagojnë profesionalisht dhe me vendosmëri ndaj çdo incidenti”, përfundon njoftimi.

Bie në sy se pas portave në stadiumin e Leskovacit nuk do ketë tifozë, me FIFA-n që ka dënuar Serbinë me reduktimin e 20 përqind të kapacitetit për shkak të thirrjeve raciste në humbjen 0-5 nga Anglia në Beograd një muaj më parë.

SIGURIA DHE MASAT NGA FIFA

Ndeshja në Serbi është vlerësuar si e një rrezikshmërie të madhe nga FIFA, duke dërguar dy oficerë sigurie. Veç zhvendosjes së sfidës nga Beogradi në Leskovac për shkak të frikës nga huliganët serbë dhe klimës së tensionuar politike, Federata Serbe e Futbollit nuk nxorri në shitje asnjë biletë.

6500 tifozët serbë në Leskovac do jenë me ftesa dhe të përzgjedhur, përfshi futbollistë nga akademitë e futbollit. Serbia është e dënuar që këtë duel ta zhvillojë me reduktim të 20 përqind të kapacitetit të stadiumit. Në bazë të një marrëveshjeje mes dy federatave, në ndeshjet Serbi - Shqipëri dhe anasjelltas nuk do ketë tifozë kundërshtarë.

Pas pesë sfidave të luajtura në Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026, Anglia me 15 pikë mban kreun duke lënë pas Shqipërinë me tetë pikë. Serbia me shtatë pikë ndodhet në pozitën e tretë, por ka një ndeshje më pak. Më pas vijnë Letonia (4 pikë) dhe Andorra me zero pikë.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kushtetuesja pezullon dekretin për zgjedhjet në Tiranë, si e vlerësoni?