Sot, më 15 gusht besimtarët orthodhoksë kremtuan me madhështi Fjetjen e Hyjlindëses së Tërëshenjtë Mari, të paraprirë nga dy javë kreshmimi.
Fortlumturia e Tij, Krepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Joani, drejtoi liturgjinë Hyjnore në Manastirin e Fjetjes së Hyjlindëses Mari në Boboshticë, Korçë.
Në Liturgjinë Hyjnore që drejtoi Fortlumturia i Tij, por edhe në kishat e mbarë vendit, me vendim të Sinodit të shenjtë të Kishës sonë u shtua një thirrje lutjeje për situatën e rënduar të zjarreve që po kalon vendi ynë:
“Për pushimin e shpejtë dhe pa pasoja të zjarreve, për shpirtrat e atyre që humbën jetën, për ndihmën e vëllezërve e motrave që gjenden në rrezik e në vuajtje për shkak të tyre, si edhe për ata që me vetëmohim luftojnë për shuarjen e tyre, me përgjërim dhe solidaritet, le t’i lutemi Zotit”.
Kjo lutje u bë sot në të gjitha manastiret dhe kishat e shumta që mbajnë emrin e Fjetjes së Hyjlindëses Mari në të gjitha dioqezat e Shqipërisë.
Kjo festë është një nga të kremtet më të ndjera e të festuara historikisht, gjë që e dëshmon edhe numri i madh i kishave e manastireve në vendin tonë dhe në gjithë botën orthodhokse, kushtuar kësaj ngjarjeje.
Në këtë festë ato bëhen vende pelegrinazhi me praninë e qindra dhe mijërave besimtarësh dhe veprimtarish të shumta.
Komente
