Goli i Rey Manajt në minutën e 45+1 i dha tri pikë kombëtares shqiptare të futbollit për të ëndërruar Botërorin 2026 që do zhvillohet verën që vjen në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Fitorja 0-1 kundër Serbisë në Leskovac, e para në fushë kundër serbëve, ka nxjerrë në rrugë dhe sheshe shqiptarët kudo ku jetojnë, me ngjyrat kuqezi që dominuan festën.
Interesante është edhe festa e Kombëtares fill pas fërshëllimës së arbitrit rumun Istvan Kovacs. Shumica e djemve kuqezi nuk kanë mundur t'i mbajnë lotët, me sytë e tyre që duken më të qeshur se kurrë. Në lot shihet edhe kreu i FSHF-së, Armand Duka, që thotë se kjo fitore 'nuk paguhet me asnjë çmim, as me jetën e tij'.
Në dhomat e zhveshjes atmosfera ka qenë më shumë se e zjarrtë, me ekipin që ka festuar mbi tavolina, duke mos munguar edhe Sylvinho. Futbollistët i kanë bërë një surprizë trajnerit duke e mbajtur peshë.
Kthimi për në Tiranë nga Nishi është bërë me 'Naimin', i cili 'valviti' flamurin kuqezi në aeroportin serb. Më pas, në orët e para të mëngjesit të sotëm (pas orës 03:00) ekipi dhe delegacioni mbërritën në Rinas, ku u pritën nga qindra tifozë.
Nuk munguan fotot dhe përqafimet me stafin e aeroportit, duke e kthyer këtë fitore në një ditë historike për futbollin shqiptar. Tani radhën e ka Andorra më 13 nëntor dhe Anglia në Tiranë tre ditë më vonë, për të shpresuar vendin e dytë që të dërgon në play-off e Botërorit 2026.
Komente
