Tri llogari bankare me vlerë 14 mln lekë janë sekuestruar pasi dyshohet se janë përfituar nga veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Burime për Report TV bëjnë të ditur se llogaritë janë në emër të Lako Levanit nga Fieri, ndërsa paratë e sekuestruara dyshohet se janë produkt i veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, për të cilën djali i tij, shtetasi Artan Levani është dënuar në Itali.
"Nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, pas një hetimi disamujor, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për vendosjen e konfiskimit të tre llogarive bankare të shtetasit L. L., 66 vjeç, banues në Fier, llogari bankare që arrinin shumën 140 milionë lekë. Konfiskimi u krye për llogari të procedimit pasuror të filluar për këtë shtetas, pasi është subjekt i ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë vijojnë hetimet intensive për evidentimin e pasurive të tjera që mund të jenë në emër të këtij shtetasi dhe të personave të tjerë të lidhur me të.