Kronikë

Sërish zjarr në pyllin e Darëzezës, 7 mjete zjarrfikëse punuan në terren! 10 ha në flakë, ndërhyrje edhe nga ajri me helikopterin 'Cougar'

2 Qershor, 13:08| Përditesimi: 2 Qershor, 22:54

  • Share

Një vatër masive zjarri u rikthye sërish këtë të hënë në pyllin e Darëzezës, ku u vendosën në mobilizim të gjitha strukturat vendore dhe qendrore. Për të bërë të mundur neutralizmin e flakëve u bë edhe ndërhyrja nga ajri me helikopterin Cougar. 

Por, operacioni nga ajri u ndërpre mbrëmjen e sotme pas izolimit të vatrave aktive. Gjatë natës situata do të mbahet nën kontroll nga shërbimet zjarrfikëse dhe nesër do të bëhet kontrolli i gjithë perimetrit.

Nga njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes u konfirmua se rreth 10 hektarë pyll dhe bimësi e dendur u përfshirë nga flakët.

Zjarri u riaktivizua mesditën e sotme në fshatin Darëzezë e Re, njësia administrative Dërmenas, vetëm një ditë pasi ishte raportuar se ishte shuar plotësisht. Tereni ranor, era e fortë dhe përmasat e mëdha të flakëve bënë që mjetet zjarrfikëse ta kishin të vështirë ndërhyrjen në zonë.

Në terren shkuan 7 automjete zjarrfikëse me 40 efektivë të MZSH, si dhe një buldozer dhe një fadromë.

“Në vendngjarje ndodhen 7 automjete zjarrfikëse me 40 efektivë të MZSH, një buldozer dhe një fadromë, por për shkak të terrenit ranor dhe përmasave të mëdha që ka marrë zjarri, situata në ekonominë pyjore të Darëzezës nuk është vënë ende nën kontroll.”-thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Për ngjarjen reagoi edhe prefekti i Fierit, Arben Çuko, që ndjek nga afër operacionin e shuarjes së flakëve.

Ai tha se paralelisht me aksionin nga ajri të helikopterit "Cougar" të Ministrisë së Mbrojtjes, veprohet edhe nga terreni me forca zjarrfikëse, edhe pse terreni është i vështirë. Prefekti shpjegoi edhe se po hetohen shkaqet që shkaktuan vatrën e zjarrit, kurse dëmet nuk janë ende të qarta në përmasën e tyre dhe mbetet të vlerësohen më pas.

Në vendin e përfshirë nga flakët ishin edhe forcat zjarrfikëse nga Fieri, Patosi, Roskoveci, si dhe punonjës të pyjores dhe banorë të zonës, të cilët janë përfshirë në ndalimin e përhapjes së zjarrit. Bashkia Fier vuri në dispozicion një traktor me zinxhir, duke hapur korridore emergjente për lehtësimin e operacioneve në brendësi të masivit pyjor.

Paralelisht me flakët në Darëzezë, një vatër tjetër aktive u përhapu në kodrat me ullishte të Zhupanit, në vendin e njohur si “Takodrom”. Banorët kanë sinjalizuar flakët që janë përhapur me shpejtësi dhe kanë rrezikuar masivet e ullinjve, megjithëse banesat ndodhen larg. Ndërhyrja në këtë zonë është e kufizuar për shkak të terrinit të thyer, ndërsa dy mjete zjarrfikëse ndodhen në gatishmëri.

Ora 20:27
Prefekti i Fierit flet për zjarrin në Darëzezë, Çuko: Flakët po vihen nën kontroll, ndërhyrje me helikopterin ‘Cougar’! Po hetohet edhe për zbardhjen e shkaqeve

Prefekti i Qarkut Fier Arben Çuko, i pranishëm në operacionin e shuarjes së flakëve në masivin pyjor në Darëzezë, është shprehur sot (2 qershor) se me ndërhyrjen nga ajri të helikopterit ‘Cougar’ të Ministrisë së Mbrojtjes, flakët po vihen nën kontroll.

Çuko shpjegoi se ende nuk ka të dhëna paraprake për sipërfaqen e dëmtuar, ndërsa ka theksuar se policia e Fierit po punon për zbardhjen e shkaqeve të këtij zjarri masiv.

“Jemi këtu në terren bashkë me drejtuesit e zjarrfikëseve të Fierit dhe rretheve, me nënkryetarin e bashkisë dhe forcat e tjera. Fati i mirë ishte që dje nuk pati erë dhe gjithashtu vetësakrifikimi i forcave me ndërhyrjen e fuqishme. Edhe me bashkitë e tjera, u neutralizua zjarri, kurse sot për shkak të terrenit, u detyruam të kërkonim ndërhyrjen e forcave të ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët u përgjigjën menjëherë. Ata janë heronj, zjarrfikësit”, tha zyrtari i lartë vendor.

Prej disa ditësh po vijon puna për pastrimin e korridoreve brenda masivit pyjor ka thënë Çuko, por përmasat e zjarrit kanë qenë të mëdha, duke vështirësuar hyrjen e mjeteve zjarrfikëse.

“Bashkitë përreth, si dhe e Fierit, kanë filluar punën me mjete edhe për pastrimin e rrugëve pyjore, që të lehtësohet puna e zjarrfikëseve në këtë drejtim. Kam komunikuar edhe me drejtorin e policisë Fier, dhe besoj se policia po shton masat e saj parandaluese, hetuese dhe zbuluese për këtë rast”.

Zjarri ka përshkuar bimësinë poshtë kurorës së masivit pyjor të pishave, teksa prefekti ka vlerësuar edhe punën e efektivëve zjarrfikës, duke i cilësuar si ‘heronj të ditës’.

Ora 17:20
Zjarri në pyllin e Darëzezës, Ministria e Mbrojtjes: Vatra ende aktive, helikopteri i FA nis ndërhyrjen nga ajri

1748877840_aa.JPG

Zjarri në pyllin e Darëzezë, i cili nisi ditën e djeshme është riaktivizuar sërisht sot.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në vendngjarje ndodhen 7 automjete zjarrfikëse me 40 efektivë të MZSH, një buldozer dhe një fadromë, por për shkak të terrenit ranor dhe përmasave të mëdha që ka marrë zjarri, situata në ekonominë pyjore të Darëzezës nuk është vënë ende nën kontroll.

Ministria bënë me dije, se një helikopter i FA është nisur nga ajri për të bërë të mundur shuarjen e flakëve. 

'Rreth orës 14:00, vatra e zjarrit është përhapur më tej dhe është bërë e pamundur ndërhyrja me mjete zjarrfikëse. Në koordinim me Qendrës së Bashkuar Operacionale (QBO), është nisur në mbështetje helikopteri tip Cougar i Forcës Ajrore për ndërhyrje nga ajri', thuhet në njoftim. 

Sipërfaqja e përfshirë nga flakët është rreth 10 hektarë, ndërsa era po favorizon avancimin e zjarrit në pjesën veriore të pyllit.

Ora 16:48
Zjarri në Darëzezë/ Shtohen forcat për shuarjen e flakëve, kërkohet ndihmë nga ajri (VIDEO)

Forcat zjarrfikëse të Fierit, Patosit, Roskovecit, punonjës të pyjores dhe banorë të zonës janë angazhuar në shuarjen e flakëve që kanë shpërthyer përsëri në masivin pyjor të Darëzezës. Zjarri i djeshëm u shua në mëngjes, por në mesditë vatrat e zjarrit u riaktivizuan, duke u përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe të konsiderueshme.

Terreni i vështirë ranor ka bërë të pamundur ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse, duke detyruar efektivët të përdorin mjete rrethanore. Ndërkohë, Bashkia Fier ka vënë në dispozicion një traktor me zinxhir për hapjen e korridoreve. Riaktivizimi i vatrave të zjarrit në Darëzezë ka ndodhur paralelisht me një tjetër vatër zjarri në kodrat e Zhupanit, ku edhe në këtë zonë ndërhyrja e mjeteve zjarrfikëse ka qenë e kufizuar.

Burime pranë Prefekturës Fier bëjnë me dije se është bërë kërkesë për ndërhyrje nga ajri. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa forcat në terren po luftojnë me flakët për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.

H.K/S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Bëri mirë Berisha që akuzoi Shqipërinë si narkoshtet në samitin e PPE?