Kronikë

Prefekti i Fierit flet për zjarrin në Darëzezë, Çuko: Flakët po vihen nën kontroll, ndërhyrje me helikopterin ‘Cougar’! Po hetohet edhe për zbardhjen e shkaqeve

2 Qershor, 20:27| Përditesimi: 2 Qershor, 21:01

  • Share

Prefekti i Qarkut Fier Arben Çuko, i pranishëm në operacionin e shuarjes së flakëve në masivin pyjor në Darëzezë, është shprehur sot (2 qershor) se me ndërhyrjen nga ajri të helikopterit ‘Cougar’ të Ministrisë së Mbrojtjes, flakët po vihen nën kontroll.

Çuko shpjegoi se ende nuk ka të dhëna paraprake për sipërfaqen e dëmtuar, ndërsa ka theksuar se policia e Fierit po punon për zbardhjen e shkaqeve të këtij zjarri masiv.

“Jemi këtu në terren bashkë me drejtuesit e zjarrfikëseve të Fierit dhe rretheve, me nënkryetarin e bashkisë dhe forcat e tjera. Fati i mirë ishte që dje nuk pati erë dhe gjithashtu vetësakrifikimi i forcave me ndërhyrjen e fuqishme. Edhe me bashkitë e tjera, u neutralizua zjarri, kurse sot për shkak të terrenit, u detyruam të kërkonim ndërhyrjen e forcave të ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët u përgjigjën menjëherë. Ata janë heronj, zjarrfikësit”, tha zyrtari i lartë vendor.

Prej disa ditësh po vijon puna për pastrimin e korridoreve brenda masivit pyjor ka thënë Çuko, por përmasat e zjarrit kanë qenë të mëdha, duke vështirësuar hyrjen e mjeteve zjarrfikëse.

“Bashkitë përreth, si dhe e Fierit, kanë filluar punën me mjete edhe për pastrimin e rrugëve pyjore, që të lehtësohet puna e zjarrfikëseve në këtë drejtim. Kam komunikuar edhe me drejtorin e policisë Fier, dhe besoj se policia po shton masat e saj parandaluese, hetuese dhe zbuluese për këtë rast”.

Zjarri ka përshkuar bimësinë poshtë kurorës së masivit pyjor të pishave, teksa prefekti ka vlerësuar edhe punën e efektivëve zjarrfikës, duke i cilësuar si ‘heronj të ditës’.


Lajmi kryesor:

Sërish zjarr në pyllin e Darëzezës, 7 mjete zjarrfikëse punuan në terren! 10 ha në flakë, ndërhyrje edhe nga ajri me helikopterin 'Cougar'


A.Q/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin për rinumërimin e kutive të Qarkut Tiranë?