FIER- Policia e Fierit arrestoi sot (11 Shtator) edhe 2 persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në krimin e rëndë brenda fisit që ndodhi dje në Kurjan të Roskovecit, ku kushëriri vrau dy vëllezër pas sherrit që kishin nisur më herët fëmijët e tyre.
Të arrestuarit mësohet se janë të afërm të autorit të krimit, që u vetëdorëzua dje pas ngjarjes, dhe 2 kushërinj të tij. Autori Altin Kukaj, 49 vjeç, është arrestuar bashkë me dy djemtë e tij Ervis Kuka 21 vjeç dhe Emaurisio Kuka, 18 vjeç.
“Dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë me armë zjarri automatik, shtetasit Lavdimir Kurtaj, 46 vjeç, dhe Gramoz Kurtaj, 52 vjeç, për motive të dobëta”, njoftoi policia vendore sot.
Gjithashtu ka nisur hetimi në gjendje të lirë për shkak të moshës, për babanë e autorit T. Z., 67 vjeç, banues në fshatin Çukalat (Berat), për veprën penale "përkrahja e autorit të krimit".
“Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shkak të moshës, për shtetasin Y. K., 79 vjeç, banues në fshatin Kurjan, babai i autorit të dyshuar, për veprat penale "mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", dhe "prodhimi dhe mbajtja pa leje i armëve të gjuetisë dhe sportive", sqaroi policia, teksa gjatë kontrollit iu gjetën edhe armë që mbaheshin pa leje.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu, 4 krehra, municion luftarak, 5 automjete dhe 1 motoçikletë. Hetimet mbeten aktive dhe i vijon prokuroria vendore. Po hetohet nëse krimi ka motive të tjera.
Lavdimir Kurtaj 46 vjeç
Gramos Kurtaj 52 vjeç
Altin Kuka, 49 vjeç, autor i dyshuar
Ervis Kuka, 21 vjeç, djali i autorit
Emaurisio Kuka, 18 vjeç, djali i autorit