Ahmad al-Sharaa

Bota

Rënia e Asadit/ Fillon epoka e al-Jolani, militantit pragmatik: Po pastrojmë vendin

9 Dhjetor 2024, 09:27| Përditesimi: 9 Dhjetor 2024, 10:09

  • Share

Abu Mohammed al-Jolani nuk është më. Udhëheqësi xhihadist që sfidoi regjimin sirian nuk ka më nevojë për një emër lufte dhe dje hyri në Damask me identitetin e tij të vërtetë: Ahmad al-Sharaa, tani i përshëndetur nga turma si “Pushtuesi”.

"Kjo fitore, vëllezërit e mi, është një fitore për të gjithë kombin islam," deklaroi ai para muxhahedinëve të tij duke theksuar se ky triumf shënon një kapitull të ri në historinë e rajonit.

Ai mbajti fjalimin në xhaminë e lashtë të Omejadëve, dinastia e parë e kalifëve që, midis viteve 661 dhe 750, sundoi mbi rajonet më të pasura të perandorisë bizantine dhe asaj perse.

Al-Sharaa studioi me kujdes historinë e Umejadëve në shkollën e mesme të Damaskut, e cila ishte vetëm për fëmijët e borgjezisë së pasur, dhe shumë besojnë se kjo e frymëzoi strategjinë e tij: në atë kohë, popujt preferonin t’i nënshtroheshin Islamit sesa të duronin despotizmin dhe intolerancën e perandorëve të tyre, pasi të krishterët e të gjitha besimeve, hebrenjtë, zoroastrianët dhe nomadët paganë e dinin se do të trajtoheshin më mirë.

Për më tepër, kalifët e parë rigjallëruan qytetet dhe ndërtuan nga e para një ushtri të pathyeshme - veprime që lideri sunit sirian i përsëriti në fortesën e tij në Idlib dhe tani premton t’i zgjerojë në të gjithë vendin.

"Vëllezërit e mi, e lashë këtë tokë më shumë se njëzet vjet më parë, dhe zemra ime dëshironte këtë moment," tha Pushtuesi dje pas puthjes së barit para xhamisë.

Ahmad al-Sharaa u bë al-Jolani në vitin 2003. Vetëm 21 vjeç ai shkoi në Irak për të luftuar kundër amerikanëve: një emër i zgjedhur në nder të rajonit të Golanit, nga i cili familja e gjyshërve të tij ishte dëbuar nga izraelitët pas luftës së vitit 1967. Gjatë këtyre dy dekadave luftë, ai është përballur me shumë armiq arabë, iranianë dhe perëndimorë. Ai ka mësuar nga gabimet e dy brezave të parë të mjeshtrave të terrorit, me të cilët ka bashkëpunuar, duke kaluar nga një konflikt në tjetrin: al-Zarqawi, al-Baghdadi dhe al-Zawahiri.

Strategu i ri, vetëm 42 vjeç, është paraardhësi i një brezi të tretë xhihadistësh që mund të revolucionarizojnë botën islame. Al-Jolani kuptoi se koha e Bin Ladenit kishte përfunduar në momentin kur sulmoi Shtetet e Bashkuara, duke shkatërruar Kullat Binjake, ndërsa disfata e Kalifatit të Mosulit ishte shkaktuar nga absolutizmi dhe brutaliteti, që i kishte bërë të gjitha popullatat armiq dhe kjo gjë kishte çuar deri në ndërhyrjen e Pentagonit.

Siç theksoi Hassan I. Hassan, themelues dhe drejtor i Neëlinesmag: "Njëzet vjet pas 11 Shtatorit, Amerika nuk i shkatërroi grupet xhihadiste, por e ndryshoi në mënyrë thelbësore mënyrën se si ata mendojnë".

Al-Jolani beson se disfata që kanë pësuar ushtritë islamiste mund të shpëtohen duke përditësuar mësimet e një profesori, Abu Musab al-Suri, i cili ishte ndër frymëzuesit e kryengritjes së shtypur në mënyrë të dhunshme në vitin 1982 nga Hafez al-Assad, babai i Basharit: ofrimi i shërbimeve për popullin; shmangia e dukjes si ekstremistë; ruajtja e lidhjeve të forta me komunitetet dhe me grupet e tjera luftuese; përqendrimi në luftën kundër regjimit.

Kështu, që nga viti 2017, ai ka krijuar në Idlib laboratorin e një fundamentalizmi të ri, të kalibruar për të pushtuar mendjen dhe zemrën para shpirtit. Ai bashkoi trembëdhjetë grupe në një entitet politik dhe ushtarak, pastaj ndihmoi në ndërtimin e rrugëve dhe spitaleve: embrioni i një Shteti Islamik, ku vlerat e xhihadit janë të brendshme.

Dje në Damask, ai përsëriti mesazhin e tij: dëshiron një Siri demokratike, me hapësirë për çdo etni dhe çdo fe. Ai e di që populli është lodhur nga konflikti: "Nuk ka asnjë familje në Siri që lufta nuk e ka prekur. Vendi ka qenë një fushë loje për ambiciet iraniane, duke përhapur sektarizëm dhe duke nxitur korrupsionin, por tani po pastron nga hiri i Perëndisë të Plotfuqishëm."

Në Idlib, lideri është mësuar të negociojë me dërguarët e të gjitha vendeve të tjera të rajonit-turq, sauditë, jordanezë dhe emiratë - dhe ka zhvilluar negociata në hije me amerikanët dhe evropianët, madje edhe me shërbimet sekrete italiane. Ai gjithmonë e bën të qartë që nuk i konsideron ata armiq dhe nuk do të bëjë gabimin të ndeshet me Perëndimin. Ai ka shprehur gatishmërinë për të çmontuar armët kimike që ka kapur në kazermat e diktaturës: izraelitët nuk i besojnë dhe i po i bombardojnë ato.

Xhihadisti i brezit të tretë ka ide të qarta për si të pacifikojë Sirinë. Fundamentalizmi i tij i moderuar, i shoqëruar nga qeverisja e mirë, është revolucionar dhe i tremb më shumë qeveritë arabe sesa organizatorët e ISIS-it: mund të bëhet një shembull konkret për salafistët egjiptianë, jordanezë, irakianë dhe sauditë, pasi ofron një alternativë fituese ndaj sektarizmit të armatosur. Pikërisht siç ndodhi në agimin e Islamit me marshimin e fuqishëm të kalifëve Umajadë nga Meka në Bagdad, duke kaluar përmes Aleksandrisë.

Pushtuesi i Damaskut tani, megjithatë, do të duhet të përballet me shumë sfida: të frenojë dhunën e brezave të dy të mëparshëm të xhihadistëve, terroristët e çliruar nga burgjet e regjimit ose anëtarët e bandeve tribale që iu bashkuan kryengritjes. Këta janë njerëz që nuk kanë plane afatgjata për të ardhmen, por duan menjëherë hakmarrje për të kaluarën./La Repubblica

Xh.K/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çfarë prisni në vitin 2025?