Kanë kaluar dy muaj nga vlerësimi, me Çmimin e Madh në Festivalin e Filmit në Varshavë. Bëhet fjalë për filmin “Delegacioni” me skenar të të ndjerit Artan Minarollit dhe regji të Bujar Alimanit, që gjatë këtyre ditëve po prezantohet në kinematë shqiptare.
Filmi që u vlerësua në Festivalin e Kategorisë A në Poloni, ka në qendër ish-të persekutuarit politikë shqiptarë. Ngjarjet zhvillohen në vjeshtën e vitit 1990, kur, regjimi komunist po bënte përpjekjet e fundit për të mbajtur pushtetin. Në Tiranë vjen një delegacion nga Europa, për të vëzhguar sesa po zbatohen reformat e qeverisë, kusht ky i vendosur nga OSBE-ja.
Leon, prej 15 vitesh i burgosur politik në një vend të largët, e sjellin në kryeqytet. Arsyeja? Sepse, mund t’i shërbejë qeverisë. Delegacioni evropian udhëhiqet nga një shok, të cilin Leo e ka pasur në shkollë. Qëllimi është që Leo ta bindë delegacionin, se të drejtat e njeriut në Shqipëri janë drejt progresit. Por, realisht gjithçka del jashtë planifikimit.
Filmi do të vazhdojë të prezantohet në kinematë e kryeqytetit deri në datë 17 janar.