I vetëvrari Ardian Kallami

Filmimi, i vetëvrari be në Zot para policit se s’është hajduti

30 Maj 2018, 07:56| Përditesimi: 30 Maj 2018, 08:16

  • Share

Ardian Kallami, njeriu që i dha fund jetës së tij vetëm pak orë pasi kishte dalë nga komisariati i Vaut të Dejës, ku kishte firmosur një deklaratë se pranonte që ishte autor i një vjedhje, ka filmuar veten e tij përpara se të ndërmerte aktin ekstrem.

47-vjeçari Kallmi ka filmuar veten e tij në prani të një efektivi policie, thonë burime pranë prokurorisë së Shkodrës, filmim ky që tashmë është administruar si provë e fortë në këtë dosje penale që ka nisur ndaj tre efektivë të policisë Paulin Çupi dhe dy policëve të zonës me inicialet Z. D dhe P. Zh. Në video-regjistrimin Ardian Kallmi përpara se të vriste veten rezulton se i ka deklaruar një efektivi të policisë, se ai nuk ka qënë autor i vjedhjes së materialeve, në banesën e komshiut të tij.

Përmbajtja e videos
Sipas përmbajtjes së kësaj video, dhe asaj që dëgjohet rezulton se Kallmi bën be në zot që nuk është autor i krimit,por dhunimi, presionet dhe keqtrajtimi në polici, e kanë detyruar të bëjë atë deklaratë të turpshme,duke i nxirë moralin vetes dhe familjes së tij. Burimet thanë se në këtë video, Ardian Kallmi shfaqet i tensionuar, revoltuar dhe për më tepër i penduar për firmosjen e asaj deklarate që pranonte krimin e vjedhjes.

Sipas burimeve të prokurorisë Kallmi i ka dhënë fund jetës, duke u gjendur në kushte shumë të vështira emocionale dhe morale, duke zgjedhur vetëflijimin. Momentalisht prokuroria e Shkodrës, ka marrë në pyetje tre policët e pezulluar nga detyra, të cilët në deklarimet e tyre nuk kanë pranuar të kenë ushtruar dhunë fizike apo psikologjike ndaj 47-vjeçarit Ardian Kallmi. Kjo vetëvrasje ka shkaktuar fortunë në Komisariatin e Vaut të Dejës. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, ka urdhëruar pezullimin e shefit të Komisariatit të Vaut të Dejës, Paulin Çupi dhe dy policë të zonës me inicialet Z. D dhe P. Zh. Gjithashtu mësohet se Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe ankesave ka nisur hetimin e 9 efektivëve të këtij komisariati, përfshirë edhe tre të pezulluarit. Dyshohet se efektivët që kanë trajtuar rastin kanë ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj 47-vjeçarit, i cili në çdo rast ka mohuar akuzën.

Por në një procesverbal të mbajtur nga oficerët e policisë që e morën në pyetje, që tashmë është administruar nga Prokuroria, Ardian Kallami ka firmosur mbi një deklarim ku pranon grabitjen dhe se sendet e vjedhura do t'i kthente brenda dy ditëve. “Unë Ardian Ndreli Kallami ju garantoj se brenda dy ditëve do shkojnë materialet tek banesa e fqinjit Mandit. Deklaroj nën përgjegjësinë time se çfarë deklarova më sipër ishin në vullnetin tim dhe që mos kryeja e kësaj pune që premtova jam dakord për të mbajtur përgjegjësi ligjore”-ka shkruar Kallami në polici.

Reagimi i Xhafaj e vajzës së viktimës
Edhe ministri i brendshëm Fatmir Xhafaj ka kërkuar nga Policia e Shtetit që të zbardh plotësisht këtë ngjarje dhe të marrë masa të ashpra ndaj personave përgjegjës. Nga ana tjetër, Romina Kallami, vajza e 47-vjeçarit Ardian Kallami, ka deklaruar se babai i saj është dhunuar nga uniformat blu dhe kjo është e faktuar edhe me një regjistrim të bërë nga ana e viktimës dhe që është administruar nga prokuroria. Ajo rrëfen mes dhimbjesh e lotëve se gjashtë muaj më parë ka humbur nënën e saj, dhe tashmë edhe të atin.

Ajo u shpreh e bindur se babai i saj nuk është vetëvrarë, por është dhunuar nga policia, duke shtuar se i ati i kishte treguar gjithçka. 47-vjeçari Ardian Kallami u shoqërua të shtunën nga policia, me dyshimin e grabitjes së një banese në Vaun e Dejës, por më pas u lirua. Ai u shoqërua sërish në polici ku dyshohet se efektivët që e kanë marrë në pyetje e kanë dhunuar. Pas lirimit për herë të dytë, 47-vjeçari është kthyer në banesë dhe pas disa minutash është gjetur i vetëvarur nga familjarët.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?