Finalja e Conference League mes Chelsea dhe Real Betis do të luhet të mërkurën (28 maj) në orën 21:00 në stadiumin e qytetit Wrocław, në Poloni. Në prag të ndeshjes, trajneri i Chelseat, Enzo Maresca foli për mediat, duke e cilësuar këtë përballje si një mundësi të artë për të rikthyer klubin londinez në majat e futbollit europian.
“Ka qenë një sezon i mrekullueshëm, por mund të bëhet fantastik nëse arrijmë të fitojmë këtë trofe. Do të ishte një mënyrë për të thënë se Chelsea është kthyer dhe se jemi sërish një klub që fiton në Evropë”, u shpreh trajneri italian.
Maresca nënvizoi edhe rëndësinë historike të suksesit të mundshëm në Poloni.
“Nëse fitojmë, Chelsea do të bëhet klubi i parë që ka fituar të tre kompeticionet kryesore të UEFA-s; Champions League, Europa League dhe Conference League. Kjo do të ishte shumë domethënëse”, shtoi ai.
Trajneri i ‘Bluve’ nuk i fshehu emocionet përballë faktit që në stolin kundërshtar do të jetë Manuel Pellegrini, njeriu që ka ndikuar më shumë në karrierën e tij. Maresca ka qenë lojtar i tij te Malaga dhe më pas pjesë e stafit te West Ham United.
“Nëse jam këtu ku jam sot, është edhe falë tij. Kam punuar me Manuelin për katër vjet, dy si lojtar dhe dy si pjesë e stafit të tij. I jam thellësisht mirënjohës për çdo këshillë, për marrëdhënien dhe mbështetjen që më ka dhënë”, tha ai mes vlerësimeve.
Trajneri 44-vjeçar ndau edhe një nga mësimet më të vlefshme që ka marrë nga Pellegrini.
“Më thoshte gjithmonë: ‘Mos ndrysho kurrë. Lojtarët dhe trajnerët shpesh nxitojnë të ndryshojnë, por më e mira është të qëndrosh besnik ndaj vetes’”.
Duke folur për emocionet e finales, Maresca bëri një krahasim mes përjetimit si lojtar dhe si trajner.
“Janë si nata me ditën. Si lojtar mendon vetëm për veten, ndërsa si trajner mendon për 30 persona dhe çdo detaj tjetër. Kam qenë pjesë e një finaleje Champions te Manchester City si ndihmës trajner, kështu që kam një ide se çfarë kërkon një moment i tillë”, tha Maresca.
Komente
