Pas orëve të ankthit në fshatrat Navaricë dhe Livinë, ku rreziku për banesat u shmang falë ndërhyrjes së forcave tokësore dhe ajrore, situata mbetet e rëndë në zona të tjera të Bashkisë Finiq.
Gazetari i Report Tv, Limos Didani informon se zjarri është zhvendosur me shpejtësi, duke rrethuar fshatrat Velahovë, Krongj dhe Dhrovjan, ku era e fortë po favorizon përhapjen e flakëve.
Autoritetet kanë dërguar forca shtesë për të frenuar avancimin e zjarrit dhe për të mbrojtur banesat e këtyre komuniteteve. Banorët janë në gatishmëri të lartë, ndërsa disa prej tyre kanë nisur të evakuohen vullnetarisht për të shmangur rrezikun.
Report TV ka siguruar edhe pamjet e aksionit dhe vatrave të zjarrit. Një helikopter raportohet se ka punuar deri në orët e vona të mbrëmjes duke hedhur ujë nga ajri.
Nëse kushtet meteorologjike nuk përmirësohen, ekziston frika se flakët mund të afrohen më shumë drejt zonave të banuara, duke shtuar presionin mbi ekipet e emergjencës dhe banorët e fshatrave të rrezikuara.
Lajmi kryesor:
7 vatra zjarri aktive në vend, kritike situata në Finiq, rrezikohen 3 fshatra, banorët evakuohen vullnetarisht! Flakë në Bolenë pranë shtëpive
A.Q/E.H/ReportTv.al
