Kronikë

7 vatra zjarri aktive në vend, kritike situata në Finiq, rrezikohen 3 fshatra, banorët evakuohen vullnetarisht! Flakë në Bolenë pranë shtëpive

9 Gusht, 09:25| Përditesimi: 10 Gusht, 07:07

  • Share

Shqipëria vijon të jetë e mbërthyer nga zjarret edhe këtë të shtunë, për shkak të temperaturave të larta që janë shfaqur sërish gjatë ditëve të fundit. Në të gjithë vendin janë 7 vatra aktive, gjatë 24 orëve të fundit.

Situatë alarmante zjarresh paraqitet në disa fshatra të Finiqit, pasi vatrat e zjarrit morën përmasa kritike, të favorizuara edhe nga era dhe kushtet atmosferike.

Pas orëve të ankthit në fshatrat Navaricë dhe Livinë, ku rreziku për banesat u shmang falë ndërhyrjes së forcave tokësore dhe ajrore, situata mbetet e rëndë në zona të tjera të Bashkisë. Zjarri është zhvendosur me shpejtësi, duke rrethuar fshatrat Velahovë, Krongj dhe Dhrovjan, ku era e fortë po favorizon përhapjen e flakëve. Shumë nga banorët po evakuohen vullnetarisht, teksa nëse era favorizon më tej, flakët mund të djegin edhe shtëpitë. Më herët flakët kishin përfshirë edhe Dhivrin.

Nga ajri po hedh ujë mbi zonën e banuar një helikopter. Flakët e zjarrit po favorizohen nga era e fortë. Kjo është dita e pestë e zjarrit në fshatrat e Finiqit.

Edhe në fshatin Lofkënd të Mallakastrës falë ndërhyrjes nga ajri është bërë i mundur izolimi i vatrës së zjarrit në pjesën më të madhe të saj. Zjarri mbetet aktiv vetëm në pjesën jugore dhe atë veriperëndimore. Ditën e sotme vijon puna për izolimin e vatrës së zjarrit  me mbështetjen e 25  efektivëve të FA dhe forcave të tjera nga strukturat e bashkisë.

Zjarri është aktiv edhe në fshatin Malaj të Epërm në Rrëshen në Bashkinë Mirditë. Flakët po djegin një sipërfaqe pyjore me pishë, lis, shkurre dhe bimësi të dendur, në një terren të vështirë dhe që nuk mundëson operimin me mjete ujëhedhëse. Gjatë ditës së djeshme në zonë u angazhuan 33 forca operacionale nga strukturat vendore. Zjarrfikësit po punojnë kryesisht në krijimin e brezave ndarës për pengimin e përhapjes së zjarrit. Ditën e sotme në mbështetje të forcave po operojnë edhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura. Momentalisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në vendin e quajtur “Mali i Allushit”, fshati Plani Bardhë i Bashkisë së Klosit, është riaktivizuar vatra e zjarrit të shuar ditë më parë. Zjarri është vënë nën kontroll dhe nuk përbën rrezik për përhapje.

Në fshatin Lleshaj të Gramshit, vatra e zjarrit po mbahet në monitorim nga punonjës të Shërbimit Pyjor për mosriaktivizime të mundshme.

Bërzhitë të Tiranës, zjarrfikësit vendosën nën kontroll vatrën e zjarrit dhe është drejt izolimit. Gjatë natës zona u mbajt në  monitorim. Ditën e sotme në terren ka vijuar puna për shuarjen përfundimtarë.

Së fundmi, midis fshatrave Turan dhe Dukaj të Tepelenës po punohet nga forcat për shuarjen e zjarrit që ra një ditë më parë.

Pasditen e sotme u regjistrua një vatër zjarri e madhe në Bolenë të Himarës, që përfshiu pyllin me pisha dhe rrezikon banesat. Forcat zjarrfikëse kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë kërkuar mbështetje shtesë.

Kujtojmë se gjatë të premtes, në vendin tonë erdhën 2 avionë nga Suedia dhe 1 avion Canadair nga Kroacia që u aktivizuan përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Europiane për të ndihmuar në luftën ndaj zjarreve.

Ora 22:09
Finiq/ Kalon rreziku i zjarreve nga Navarica dhe Livina, por flakët rrethojnë Velahovën, Krongjin dhe Dhrovjanin! Nisin evakuimet e banorëve (VIDEO)

 Pas orëve të ankthit në fshatrat Navaricë dhe Livinë, ku rreziku për banesat u shmang falë ndërhyrjes së forcave tokësore dhe ajrore, situata mbetet e rëndë në zona të tjera të Bashkisë Finiq.

Gazetari i Report Tv, Limos Didani informon se zjarri është zhvendosur me shpejtësi, duke rrethuar fshatrat Velahovë, Krongj dhe Dhrovjan, ku era e fortë po favorizon përhapjen e flakëve.

Autoritetet kanë dërguar forca shtesë për të frenuar avancimin e zjarrit dhe për të mbrojtur banesat e këtyre komuniteteve. Banorët janë në gatishmëri të lartë, ndërsa disa prej tyre kanë nisur të evakuohen vullnetarisht për të shmangur rrezikun.

Report TV ka siguruar edhe pamjet e aksionit dhe vatrave të zjarrit. Një helikopter raportohet se ka punuar deri në orët e vona të mbrëmjes duke hedhur ujë nga ajri.

Nëse kushtet meteorologjike nuk përmirësohen, ekziston frika se flakët mund të afrohen më shumë drejt zonave të banuara, duke shtuar presionin mbi ekipet e emergjencës dhe banorët e fshatrave të rrezikuara.

Ora 19:34
Zjarri në fshatin Bolenë, nis operacioni nga ajri me helikopter për të shuar flakët (VIDEO)

Pas përpjekjes nga toka të zjarrfikësve për të shuar flakët në fshatin Bolenë të Himarës, është kërkuar ndërhyrja më e specializuar nga ajri, pasi vatra po merrte përmasa të rrezikshme, e favorizuar edhe nga era.

Në orët e vona të pasdites ka nisur edhe ndërhyrja me helikopter, i cili ka hedhur kova të mëdha uji nga ajri. Report Tv ka siguruar edhe pamjet e aksionit.

Zjarri ka përfshirë pyllin me pisha dhe ndodhet shumë pranë banesave të fshatit, duke i rrezikuar.

Ora 17:18
Himarë/ Zjarr i madh përfshin pyllin me pisha në Bolenë, rrezikohen dhe banesat e fshatit! (VIDEO)

Një vatër e madhe zjarri është shfaqur në fshatin Bolenë të Himarës pasditen e sotme.

Nga informacionet paraprake që ka siguruar gazetari i Report Tv, Armand Xhelili, mësohet se flakët kanë në pyllin me pisha dhe rrezikojn fshatin aty prnë.

Në vendngjarje kanë mbërritur një zjarrfikëse me forca dhe po niset dhe një tjetër nga Himara.

Ora 14:56
Zjarr në Fier-Shegan të Lushnjes, flakët djegin ullinj dhe shkurre! Shkak dyshohet shkëndija elektrike

Flakët e zjarrit kanë përfshirë ullishte dhe sipërfaqe me shkurre të thata në fshatin Sejmenas të njësisë administrative Fier-Shegan në Bashkinë Lushnje.

Tre zjarrfikëset e Lushnjes, dhjetëra efektivë policie si dhe banorët e fshatit që kanë banesat pranë ullishteve për dy orë kanë luftuar me flakët për t'i mbajtur larg banesave.

Aktualisht situata është nën kontroll të plotë dhe po monitorohen nga afër vatrat e zjarrit. Grupi i punës së Policisë së Shtetit, specialistët si dhe policia shkencore po punojnë njëkohësisht për të zbardhur shkaqet e zjarrit. Paraprakisht dyshohet se zjarri ka ardhur si rezultat i një shkëndijë elektrike në rrjetin shpërndarës të fshatit.

Nga zjarri i rënë në Sejmenas janë djegur qindra rrënjë ullinj dhe rreth 2 hektarë shkurre e sipërfaqe me bar të thatë. Fatmirësisht zjarri nuk është lejuar të prekë banesat e fshatit.

Ora 13:08
Nënprefekti i Sarandës: Zjarri në Livinë rrezikon të përhapet drejt Dhrovjanit, angazhim maksimal për të vënë nën kontroll flakët

Nënprefekti i Sarandës, Kristaq Kico thotë se flakët që po vijojnë mbi fshatin Livinë të Finiqit rrezikojnë të përhapen drejt Dhrovjan. Ai tha se nga era, zjarri mori përmasa të mëdha duke vënë në rrezik edhe banesat. Në mëngjes, situata ishte kritike edhe në Navaricë, por nuk pati dëme në banesa.

Në terren, shtoi ai, janë forca të shumta dhe 9 mjete zjarrfikëse.

“Tani zjarri është pranë fshatit Livinë. Janë angazhuar forcat zjarrfikëse, 9 mjete zjarrfikëse, 3 të ushtrisë dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe bashkive përreth. Zjarri u shndërrua në përmasa të mëdha dhe për shkak edhe të kushteve të disfavorshme atmosferike mori përmasa të mëdha dhe është bërë rrezik serioz për fshatin Livinë.  Sipas parashikimeve do të ketë vazhdimësi, kalon mbi malin e Livinës, mund të drejtohet në drejtim të fshatit Dhrovjan. Angazhimi për të vënë nën kontroll flakët duhet të jetë maksimal. Po bëjmë të pamundurën që të shpëtojmë jetët e njerëzve në radhë të parë dhe banesat e gjithçka tjetër. Nuk kemi vlerësime të sakta të dëmeve deri tani për shkak të situatës së vështirë. Në mëngjes në Navaricë, situata ishte e vështirë por ka kaluar rreth fshatit dhe nuk ka pasur dëme në banesa”, u shpreh nënprefekti.

Ora 12:57
Vihet nën kontroll zjarri në Mirditë, digjen dhjetëra hektarë pisha

Zjarri i rënë dy ditë më parë në fshatin Malaj të Mirditës, vijon të jetë aktiv, ndërsa përpjekjet për shuarjen e tij u intensifikuan. Në ndihmë të strukturave vendore janë angazhuar edhe 30 forca ushtarake, me fokus kryesor mbrojtjen e banesave në zonat e rrezikuara.

Ndërkohë, për shkak të terrenit të thyer malor që ka vështirësuar ndërhyrjen nga toka, Mbrojtja Civile në Prefekturën e Lezhës ka kërkuar mbështetje me ndërhyrje nga ajri, me qëllim vënien nën kontroll të këtij zjarri.

Pas ndërhyrjes së avionit Canadair nga Kroacia, me 11 rrugë në orët e mesditës të së shtunës, u arrit vendosja nën kontroll e vatrës së zjarrit.

Por forcat zjarrfikëse dhe ato të emergjencave civile po vijojnë kontrollin e gjithë perimetrit për të shmangur çdo rindezje të flakëve.

Sipas të dhënave, deri tani janë djegur dhjetëra hektarë pyll më pisha, por fatmirësisht është arritur të shpëtohet prona e qytetarëve.

Ende nuk dihen shkaqet e këtij zjarri, i cili u shfaq mesditën e së enjtes, ndërsa kjo është vatra e vetme aktive në territorin e Qarkut e Lezhës.

Ora 12:09
Zjarri në Livinë të Finiqit, Ministria e Mbrojtjes: Evitohet rreziku për banesat

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se është shmangur rreziku i banesave për prekjen nga zjarri në fshatin Livinë të Finiqit.

Aktualisht flakët janë vendosur nën kontroll dhe nuk ka rrezik për shtëpitë.

Megjithatë, operacionet për shuarjen e flakëve po zhvillohen nga ajri me helikopterin Black Haëk dhe avionin kroat Canadair.

Ndërsa nga terreni, mjetet zjarrfikëse dhe forcat tokësore janë pozicionuar përreth fshatit, në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment.

Ndërkohë, në Mirditë vazhdon operacioni për shuarjen e flakëve. Deri tani, avioni “Canadair” nga Italia ka realizuar 7 hedhje mbi vatrat e zjarrit, duke lëshuar rreth 50 mijë litra ujë në terren.

Ndërhyrja nga ajri po kombinohet me punën e forcave tokësore dhe mjeteve zjarrfikëse, të cilat po operojnë për izolimin dhe shuarjen e plotë të flakëve.

Ora 11:39
Zjarri në Finiq/ Flakët afrohen pranë banesave në Livinë, banorët grumbullohen në qendër të fshatit

Vazhdon të jetë problematike situata nga zjarri në Finiq, teksa flakët kanë depërtuar nga fshati Navaricë drejt Livinës, ku është afruar pranë banesave. Banorët e fshatit kanë lënë banesat dhe janë mbledhur në qendër të fshatit.

Ndërkohë, po operohet me një helikopter dhe një avion për të bërë të mundur shuarjen e flakëve.

Ora 11:00
Vijon prej 5 ditësh zjarri në Finiq/ Rrezikohet fshati Navaricë, flakët drejtohen drejt Livinës! Në terren një avion dhe një helikopter

Vijon të jetë aktiv prej pesë ditësh zjarri në fshatin Navaricë në bashkinë e Finiqit. Mbrëmjen e së premtes, vatra e zjarrit u vu nën kontoll, por sot situata është përkëqësuar për shkak të erës. 

Aktualisht rrezikohet fshati Navaricë ndërsa flakët po shkojnë drejt Livinës. Në terren po operojnë një helikopter dhe një avion. 
Sakaq, një zjarr u raportua pak çaste më parë edhe pranë stadiumit në Delvinë, por u neutralizua me ndërhyrjen në kohë.
 

Ora 10:51
Zjarri në fshatin Malaj të Epërm të Mirditës, në ndihmë vjen një avion Canadir i BE-së

Mbërrin një avion Canadir nga Mekanizmi Europian i Mbrojtjes për të shuar flakët që vijojnë në fshatin Malaj të Epërm në Rrëshen në Bashkinë Mirditë.

“Sapo njoftohemi nga Drejtuesi i Operacionit se në vatrën e zjarrit në fshatin Malaj, njësia administrative Rreshen,  bashkia Mirditë,  sapo erdhi avioni CANADIR,  nga Mekanizmi Europian i MC,  po kryen rikonicionin dhe për të  filluar operacionin.”, thuhet në njoftim.

Ora 10:05
Fier/ Vijon prej 4 ditësh zjarri në zonën pyjore Lofkend-Drenie, terreni vështirëson ndërhyrjen

1754726845_zjarrinefr.JPG

Vijon të jetë aktive prej 4 ditësh vatra e zjarrit në zonën pyjore Lofkend-Drenie në qarkun e Fierit. Sipas autoriteteve, aktualisht në terren ndodhen 3 mjete zjarrfikëse, 30 efektivë të MZSH-së, 20 trupa të Forcave të Armatosura dhe 20 forca bashkiake.

Vatra është aktive në një zonë të masivit pyjor, ku terreni është i vështirë dhe është i pamundur operimi me mjetet zjarrfikëse apo me trupat operacionale.

Aktualisht, zjarri vazhdon me intensitet të ulët, por me fillimin e erës rreth mesditës, rritet risku i agravimit të situatës. Aktualisht nuk ka banesa apo njësi ekonomike në rrezik.

Ora 07:41
Zjarret/ Shuhet vatra që shpërtheu mes fshatrave Humelicë e Picar në Gjirokastër

Shuhet zjarri masiv mes fshatrave Humelicë e Picar të Gjirokastrës.  Zjarri shpërtheu në zonën mes këtyre dy fshatrave, duke rrezikuar seriozisht mjedisin dhe pronat.

Falë ndërhyrjes së menjëhershme nga zjarrëfikësit e Gjirokastrës, sot në mëngjes u bë e mundur fikja e plotë e tij pavarësisht përmasave të mëdha që kishte marrë.

Ndërkohë, mbrëmjen e djeshme, në përditësimin e fundit të situatës, ministria e Mbrojtjes bëri me dije se vijonte të ishin aktive edhe 7 vatra të tjera zjarri.

V.GJ /SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se hapësirat publike që po çlirohen do 'ripushtohen' sërish?