Orë tmerri përjetuan paraditen e sotme banorët e fshatit Livinë në Bashkinë e Finiqit, ku zjarri i madh përfshiu zonën e banuar.
Gjithë fshati ishte mbuluar nga reja e zezë e tymit, ndërsa të moshuarit patën vështirësi me frymëmarrjen.
Rreth orës 10:00, policia dhe zjarrfikësja urdhëruan evakuimin e banorëve. Gratë dhe të moshuarit u mblodhën në qendrën e fshatit, ndërsa burrat luftuan për të shpëtuar pronat në bahçet e tyre.
Report Tv ndoqi nga afër operacionin për shuarjen e flakëve dhe evakuimin e banorëve. Një e moshuar u shoqërua me makinë policie drejt qendrës shëndetësore për shkak të problemeve me frymëmarrjen.
Në operacionin e vështirë të shpëtimit janë angazhuar dhjetëra forca tokësore, ndërsa ndërhyrja nga ajri u krye me helikopterin Black Haëk dhe avionin kroat Canadair, i cili erdhi përmes Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile.
Në orën 13:00 situata u përmirësua dhe kaloi rreziku për banesat, por fatkeqësisht u dogjën sipërfaqe të mëdha me ullinj dhe drurë frutorë.
“Sipas parashikimeve do të ketë vazhdimësi, kalon mbi malin e Livinës, mund të drejtohet në drejtim të fshatit Dhrovjan. Angazhimi për të vënë nën kontroll flakët duhet të jetë maksimal. Po bëjmë të pamundurën që të shpëtojmë jetët e njerëzve në radhë të parë dhe banesat e gjithçka tjetër. Nuk kemi vlerësime të sakta të dëmeve deri tani për shkak të situatës së vështirë. Në mëngjes në Navaricë, situata ishte e vështirë por ka kaluar rreth fshatit dhe nuk ka pasur dëme në banesa”, u shpreh nënprefekti i Sarandës, Kristaq Kiço.
Vatra e zjarrit është shfaqur pasditen e së martës në mali mbi fshatin Dhivër dhe përfshiu gjatë pesë ditëve disa fshatra të Bashkisë Finiq, përfshirë Dhivër, Leshnicë, Dhrocjan, Kularat, Cerkovicë, Shën Ndre dhe Janicat.
Komente
