Firmosja e autorizimit për detin, Kodheli falënderon Metën

20 Mars 2018, 14:48| Përditesimi: 20 Mars 2018, 15:13

  • Share

Pas firmës së Presidentit për të autorizuar grupin negociator të Ministrisë së Jashtme për kufirin detar me Greqinë, kanë ardhur reagimet nga politika.

Kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli falënderon presidentin dhe e thotë se çështja e negociatorit Artur Mecollari si “spiun” është e tejkaluar, por Partia Demokratike i ruan ende këto dyshime.

“Sigurisht që takimi Rama-Meta ndikoi, ndikuan të gjithë faktorët që të mund të mbërrijmë në finalizimin e një procesi shumë të rëndësishëm, për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve, e pa dyshim edhe për të ardhmen e fqinjëve dhe gjithë rajonit.

Dua ta falënderoj Presidentin,ashtu siç dua të falënderoj në mënyrë të veçantë edhe kryeministrin dhe ministrin e punëve të jashtme, por edhe komisionin e politikës së jashtme për të gjithë kontributin, që ky proces të finalizohet, ashtu siç shpresoj shumë të finalizohet me përfitimin dypalësh, por sidomos me përfitimin e palës shqiptare.

Anglezët kanë një proverb ‘çdo gjë është mirë në qoftë se përfundon mirë’, dhe unë jam e bindur se ky proces do të përfundojë mirë. Unë besoj fort që ky proces do të përfundojë mirë, ashtu sikundërse ka nisur mirë.

Sa i takon z.Mecollari, unë besoj që kjo tashmë është një histori e tejkaluar tashmë. Kam besim tek grupi negociator, kam besim tek ekspertiza shqiptare, kam besim tek politika shqiptare në përgjithësi, e cila bashkohet në kohën e duhur për çështje të mëdha siç është kjo çështje kombëtare”,-tha Mimi Kodheli, kryetare e Komisionit të Politikës së Jashtme.

Në gjykimin tonë Presidenti ka ushtuar të drejtën që i jep ligji. Ka patur një periudhë konsultimi, ka ushtruar të drejtën e tij, dhe nuk kemi asnjë lloj komenti. Kjo nuk do të thotë se mbi grupin e negociatorëve të mos ketë hije dyshimi”,-tha Dhurata Çupi, deputete e Partisë Demokratike. 

Unë mendoj që presidenti ka kryer të gjitha detyrimet e tij kushtetuese, që në fillim për të pasur një opinion të plotë dhe për të marrë informacionet e duhura. Ky proces të jetë sa më transparent dhe gjithëpërfshirës. Presidenti i ka konsideruar të gjitha shqetësimet e palëve për grupin negociator. Duhet të përfshihen të gjitha kapacitetet intelektuale dhe shkencore në këtë drejtim në ekipin negociator, pasi Greqia është shumë më e organizuar dhe e fuqishme se ne në këtë drejtim, Nuk kishte ndonjë urgjencë, Presidenti bëri të gjitha veprimet e duhura”,-tha Fatmir Mediu, anëtar i Komisionit të Politikës së Jashtme. 
 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?