Egnatia fitoi 1-0 të martën kundër Breidablik për ndeshjen e parë në turin e parë kualifikues të Champions League. Djemtë e Edlir Tetovës gazuan 5 mijë tifozët në stadiumin e Rrogozhinës, ndërsa qyteti i vogël në zemër të Shqipërisë shijoi një mbrëmje evropiane me ritmin e himnit të Champions League. Sfida u vendos nga goli i Ildi Grudës në minutat shtesë të ndeshjes.
Pas përballjes, trajneri i rrogozhinasve, Edlir Tetova tha se do jetë ndeshja e kthimit një javë më vonë ajo që do vendos për kualifikimin, ndërsa atij iu prishën planet nga dëmtimi i Edison Ndrecës.
"E prisja të vështirë, duke parë edhe largimin e Ndrecës, ishim të detyruar të fusnim Selmanin mbrojtës linje. Na u prishën ekulibrat, nuk e kishim përgatitur ndeshjen kështu. Pjesën e dytë ishim superiorë, ishim përpara portës.
Jam i kënaqur nga rezultati. I vetmi shqetësimi është ritmi i kundërshtarëve. Në transfertë do të jetë një ndeshje më e kujdesshme. Egnatia e menaxhoi shumë mirë, goditëm traversën. Gjithçka ngelët e hapur në ndeshjen tjetër.
Nuk mendoj se ndikoi euforia. Na u prish një plan, por kishim planin B. Për momentin nuk kishim zëvendësues për Ndrecën. E kemi marrë mbrojtësin, por nuk është në këtë turn për çështje dokumentash", tha mes të tjerash Tetova për Supersport.
Ndërkohë, heroi i futur nga stoli, Ildi Gruda tha se e ndjente se do shënonte. Shkodrani u bashkua vetëm pak ditë më parë me Egnatian, duke lënë jo pa polemika Vllazninë. Megjithatë ai i uron fat shkodranëve në ndeshjen e tyre në Conference League.
"Ishte ndeshje shumë e rëndësishme, ndeshje e luftuar dhe në fund ia dolëm. Të tregoj të drejtën besova shumë se do shënoja dhe ia arrita qëllimit. Ky gol shkon për familjen time. Shpresoj që Vllaznia të kualifikohet", tha Gruda pas ndeshjes.
Komente
