Himarë- Ligjërimi i mandatit nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve dhe certifikimi nga Gjykata e Vlorës javën e kaluar, i kanë hapur rrugën edhe betimit të kryebashkiakut të ri të Himarës, socialistit Vangjel Tavo.
Mbledhja u mbajt sot në Këshillin Bashkiak të Himarës, në ambientet e institucionit, ku u ndoqën procedurat protokollare për të zgjedhurit vendorë dhe Tavo u betua para anëtarëve mbi Kushtetutë. Mbledhja është mbajtur në orën 10:00.
Në fjalën e tij ndër të tjera, menjëherë pas betimit, Tavo u shpreh:
“Dyert e Bashkisë do jenë të mbyllura për abuzimet, korrupsionin dhe paligjshmëritë dhe të hapura për bashkëpunimin me të gjitha palët. Do përkushtohem për zhvillimin e Himarës dhe do i ushtroj të gjitha aftësitë e mia për këtë qëllim”.
Pas kësaj procedure ai mori edhe zyrtarisht detyrën e re , teksa ulet në postin që la pas ndërprerjes së mandatit nga Fredi Beleri, i cili u dënua me 2 vite burgim me formë të prerë të GJKKO-së, për korrupsion zgjedhor.
Para godinës së Bashkisë Himarë ishin mbledhur prej mëngjesit të sotëm përfaqësuesit e këshillit nga të gjitha palët politike, që ndoqën më tej edhe ceremoninë e betimit.
Më 12 shtator KQZ certifikoi mandatin e Vangjel Tavos si kryebashkiak në Himarë. Tavo do të ushtrojë mandatin e tij për 3 vite, deri në 2027 kur mbahen zgjedhjet e radhës lokale.
Tavo vitoi me diferencë rreth 1500 votash ndaj rivalit të tij opozitar Petro Gjikuria. Zgjedhjet e parakohëshme lokale u mbajtën më 4 Gusht.
ipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pas numërimit të votave të 36 qendrave të votimit Vangjel Tavo mori 5022 vota (58,62%) kundrejt 3545 votave (41,38%) të Petro Gjikuria, kandidat i koalicionit opozitar “Bashkë fitojmë”.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale zoti Tavo vlerësoi votën e zgjedhësve dhe ftoi rivalin e tij të pranojë detyrën e nënkryetarit të bashkisë.