Sociale

Fjala E PLOTË e presidentit Begaj në ceremoninë e fronëzimit të Kryepeshkopit Joan: Kapitull i ri në jetën shpirtërore të vendit tonë! Kisha Ortodokse ka qenë e mbetet udhërrëfyese dhe mbrojtëse e vlerave kombëtare 

29 Mars, 12:58| Përditesimi: 29 Mars, 15:17

  • Share

Kryepeshkopi i Shqipërisë, Joan Pelushi, është fronëzuar në Katedralen Ngjallja e Krishtit. I pranishëm në ceremoni dhe si i vetmi përfaqësues shtetëror që mbajti fjalim, presidenti Bajram Begaj u shpreh se Kisha ortodokse në "trojet tona nuk është vetëm një institucion fetar, por ajo ka qenë dhe mbetet gjithmonë një udhërrëfyese dhe mbrojtëse e vlerave shpirtërore, kulturore dhe kombëtare".

Fjala E PLOTË e presidentit Bajram Begaj: 

I nderuar Sinod i Shenjtë, 
Fortlumturi Kryepeshkop Joan, Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, 
Të nderuar besimtarë ortodoksë dhe të pranishëm,
 
Është kënaqësi e veçantë për mua të jem sot mes jush në këtë ditë të shënuar dhe historike për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
 
Dita e sotme është një ditë historike për Autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare dhe për gjithë shoqërinë shqiptare.
 
Me fronëzimin tuaj sot si Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Ju, Fortlumturi, radhiteni krahas Prelatëve, paraardhësve tuaj: Visarion Xhuvani, Kristofor Krisi, Pais Vodica, Damian Kokoneshi dhe Anastas Janullatosi. 
 
Secili prej tyre, me veçantinë dhe dhuntinë e  tij ka luajtur një rol të çmuar në shpalljen dhe njohjen e Autoqefalisë së Kishës sonë Ortodokse. 
Fronëzimi i Fortlumturisë së Tij, Kryepeshkop Joan, shënon një kapitull të ri në jetën shpirtërore të vendit tonë, një kapitull që nis me shpresë, me besim dhe me përgjegjësi.
 
Ky është një moment solemn, i cili përmbledh në vetvete vazhdimësinë dhe përkushtimin. 
 
Në këtë udhëtim të ri nuk mund të mos ndalem për të shprehur mirënjohjen time të thellë për Kryepeshkopin e mëparshëm Anastas, i cili për dekada me radhë shërbeu me urtësi dhe përkushtim, duke i dhënë Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë forcë, dritë dhe një trashëgimi shumë të vlefshme.
 
Kisha ortodokse në trojet tona nuk është vetëm një institucion fetar. Ajo ka qenë dhe mbetet gjithmonë një udhërrëfyese dhe mbrojtëse e vlerave shpirtërore, kulturore dhe kombëtare. 
 
Në kohë paqeje apo trazirash ka qenë pranë besimtarëve si një zë që  i mbron dhe i jep shpresë dhe  i ngushëllon dhe si shembull që frymëzon. Ajo ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në formësimin e një shoqërie të drejtë, të dashur e të ndershme.
 
Shtetet e reja që kishin në përbërje edhe besimtarë ortodoksë, pasi shpallnin pavarësinë politike, gjeja e parë që bënin ishte shpallja e autoqefalisë kishtare, sipas parimit: “një kishë e lirë në një shtet të lirë”, e cila pasohej me njohjen zyrtare nga Patriarkana Ekumenike. 
 
Të njëjtën rrugë ndoqi dhe bëri të mundur nga besimtarët ortodoksë  shqiptarë me mbajtjen e kongresit historik të Beratit gati 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, (10-12 shtator 1922).
 
Nga ky kongres mori udhën themelimi i autoqefalisë shqiptare, me kontribut të çmuar të Theofan Noli, Visarjon Xhuvani, Jerotheo Jaho, Kristofor Kisi e shumë të tjerë. 
 
Pas shumë përpjekjeve, negociatave e kongreseve të tjera,  vetëm në vitin 1937 u dha Tomosi Patriarkal dhe Sinodial, që njohu zyrtarisht Autoqefalinë e Kishës Ortodokse të Shqipërisë. 
Faktkeqësisht, në vijim, atë që nuk mund ta bënin dot as pushtuesit e huaj, e bëri regjimi diktatorial me anë të persekutimit të brendshëm komunist. Shqipëria u shpall shteti i parë dhe i vetëm ateist në botë, duke rrafshuar çdo objekt fetar në vend e zhveshur çdo klerik. 
 
Regjimi zhbëri edhe Autoqefalinë.
 
Pas 23 vitesh ateizëm shtetëror dhe pas 33 vitesh veprimtari misionare historike të Kryepeshkopit Anastas, më në fund ne po përjetojmë me gëzim fronëzimin e Fortlumturisë suaj, Kryepeshkop Joan, të zgjedhur me vota unanime, nga një Sinod, me shumicë peshkopësh shqiptarë. 
I dashur Fortlumturi, 
Fronëzimi juaj përkon me një vit të veçantë, ku i gjithë krishterimi kujton 1700-vjetorin e Koncilit të Parë Ekumenik të Nikeas.
Aty, ndër të tjera, u formuluan nenet e para të kredos kristiane, u vendos parimi i sinodalitetit të Kishës Universale si një parim demokratik dhe mënyra e saktë e përllogaritjes së datës paskale, si dhe u sanksionua festimi i Pashkëve nga  të gjithë krishterët e të gjithë botës në të njëjtën ditë.
 
Zoti e bëri të mundur që në këtë vit përkujtimor të gjithë të krishterët e botës do ta festojnë bashkërisht Pashkën, duke na rikujtuar rëndësinë e përafrimit, të bashkimit dhe kungimit të plotë, ashtu siç ishte për një mijë vitet e para të historisë së krishterimit. 
 
Nga kjo katedrale e shenjtë le të përcjellim sot një mesazh që tejkalon kufijtë e besimit dhe fton të gjithë  qytetarët  e vullnetit të mirë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të përulur, më të bashkuar, më të vëllazëruar. 
 
I dashur Fortlumturi,
 
Në këtë ditë të bekuar  ju uroj që shërbesa juaj të jetë e qetë, e gjatë, e ndritur dhe frymëzuese!
 
Lutem që Zoti t’ju japë forcë, mençuri dhe përulësi në këtë rrugëtim fisnik! Qofshi gjithmonë shembull i përkushtimit dhe i dashurisë për besimtarët dhe për gjithë shoqërinë tonë. 
 
Qofshi një udhëheqës që ndërton ura, që nxit bashkëjetesën, që forcon besimin, që përhapni dashuri, paqje, shpresë dhe drejtësi mes njerëzve.
 
Në këtë mision të madh ju nuk do të jeni vetëm. Kisha besimtarët dhe shqiptarët do të jenë gjithmonë me ju dhe shteti do të mbështesë gjithçka që shërben për të mirën e njerëzve, që forcon harmoninë dhe bashkëjetesën mes besimeve, që forcon mirëkuptimin dhe vlerat që na bashkojnë.
 
Në fund, më lejoni të bashkohem edhe unë me lutjet dhe urimet e besimtarëve të Shqipërisë e më gjerë, që vitet tuaja në drejtimin e grigjës ortodokse shqiptare të jenë të shumta, të bekuara e të frytshme, në mbrojtje të të drejtave dhe interesit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, si dhe të kombit shqiptar.
 
Zoti qoftë me ju në çdo hap të këtij udhëtimi fisnik!
Urime Fortlumturi Kryepeshkop Joan!


Lajmi kryesor:

Fronëzohet Kryepeshkopi Joan: Do forcoj unitetin e Kishës, mos braktisini vendin! Të pranishëm qindra besimtarë e krerët e shtetit! Greqia sjell 2 ministra (VIDEO)


K.M/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?