TIRANË- Një zjarr ka përfshirë një pyll pranë Liqenit të Sharrës në Tiranë. Zjarri ka marrë përpara shkurre e pemë, duke ndihmuar në përhapjen e flakëve. Nga zjarri rrezikohen seriozisht banesat përreth, pasi flakët janë përhapur në afërsi të shtëpive pranë Liqenit të Sharrës.
Në vendngjarje kanë mbërritur dy zjarrfikëse për të shuar flakët.
Zjarri ka rënë për rreth 30 minuta, duke u përhapur në një kohë shumë të shpejtë. Fillimisht me konstatimin e vatrës së zjarrit kanë qenë banorët ata që kanë ndërhyrë, por më pas kanë mbërritur zjarrfikësit. Disa banorëve që kanë qenë më afër zjarrit u është kërkuar që të lënë shtëpitë.
Forcat zjarrfikëse po bëjnë të pamundurën për të neutralizuar flakët, të paktën në pjesën ku zjarri u është afruar më shumë banesave. Po pritet edhe angazhim edhe nga forcat e tjera të zjarrfikësve në Tiranë.
Flakët që kishin mbuluar pyllin në Liqenin e Sharrës në Tiranë, duket se janë neutralizuar.
Zjarrfikësit kanë arritur që të shuajnë një pjesë të mirë të zjarrit, duke e larguar rrezikun nga banesat përreth.
Momentalisht zjarrfikësit po punojnë për të shuar edhe pjesën e mbetur të flakëve, të cilat kanë shkrumbuar pemët dhe shkurret. Për neutralizimin e vatrës së zjarrit janë angazhuar 6 zjarrfikëse nga të gjitha stacionet.