Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, është paraqitur në Gjykatën e Posaçme pas një padie të ngritur ndaj tij për shpifje. Padia është bërë nga Gjergji Vishkuli, një punonjës i burgut të Peqinit, i cili pretendon se është akuzuar në mënyrë të rremë nga Noka.
Sipas kallëzimit, sekretari i përgjithshëm i PD-së e ka përfshirë Vishkulin publikisht në një grup punonjësish policie që, sipas tij, po bënin fushatë për Partinë Socialiste më 11 maj. Përveç shpifjes, padia përfshin edhe akuzën për fyerje.
Lidhur me këtë çështje ka komentuar dhe avokati Edmond Petraj në Report Tv, i cili i ka thënë se Noka mund të gjobitet.
'Duhet parë pjesa për të cilën është aktivizuar neni 120 i Kodit Penal, si është shpifja, apo përhapja me dashje e informatave të rreme që cenojnë nderin dhe dinjitetin e një personi, përbën kundërvajtje penale ose dënohet me gjobë dhe kjo është pjesa për të cilën bazohet. Nëse shpifja faktohet nga gjykata, dënimi është me gjobë, nuk ka burgim në këtë rast. Shuma e gjobës zakonisht caktohet nga vlera e dëmit të shkaktuar, bëhet një analizë financiare përsa i përket rastit, ku lajmi apo shpifja e thënë varet se çfarë informacioni ka përhapur. Kjo lëviz nga disa shifra, nga qindra lekë deri në mijëra euro.'-tha avokati Edmond Petraj.
Komente
