Dy pikë në pesë ndeshje, asnjë fitore dhe vendi i fundit në klasifikim. Këto janë statistikat e Flamurtarit të trajnerit Carlos Garcia. Paçka se në Vlorë presin shumë nga ekipi, kjo pas një mungese prej pesë vitesh në elitën e futbollit shqiptar, skuadra nuk po ndjek dot hapin e tifozëve.
Për këtë, bordi i kuqezinjve është duke parë mundësinë e shkarkimit të trajnerit spanjoll, Carlos Garcia dhe zëvendësimin e tij me Thomas Brdaric. Nëse gjithçka konkretizohet, për gjermano-kroatin do të ishte aventura e tretë në Shqipëri pas dy përvojave të para me Vllazninë (në dy periudha).
Flamurtari luan sot në kryeqytet kundër Dinamos, duke nisur nga ora 15:30 në stadiumin 'Selman Stërmasi'. Nëse nuk ka reagim, Garcia e di që duhet të bëjë gati valixhet për në Barcelonë, pasi Flamurtari ka nisur kontaktet me Brdaric.
Sipas medieve, edhe Serse Cosmi ka qenë një prej dëshirave të Sinan Idrizit, por italiani i ka refuzuar. Megjithëse ndeshja luhet 90 minuta, përballja kundër Dinamos mund të jetë e fundit për Garcian. Flamurtari po kërkon trajner, duke qenë gjithmonë e më pranë Brdaric.
Carlos Garcia dhe Thomas Brdaric
Komente
