Flamurtari fitoi këtë të dielë 2-0 kundër Korabit për raundin e 21-të në Kategorinë e Parë. Duket se klubi vlonjat është hedhur në kundërsulm ndaj FSHF-së, pasi akuzon organin e futbollit se ndikon në arbitrimet kundër skuadrës së tyre.
Dy javë më parë, pas barazimit 1-1 ndaj AF Elbasanit në "Elbasan Arena", vlonjatët zhvilluan një mbledhje dhe duket se ai takim ka dhënë efektet e para.
Në kanalet e komunikimit, FC Flamurtari bën me dije se ka denoncuar në policinë e Vlorës delegatin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Bujar Pregjën. Si njeriu direkt për mbikëqyrjen e arbitrave, Pregja akuzohet nga kuqezinjtë për "Nxitje të dhunës, prishje të rendit publik dhe fyerje të tifozerisë vlonjate". Në Vlorë akuzojnë Bujar Pregjën se gjatë ndeshjes ka kryer veprime ndaj tifozerisë vendase.
Bujar Pregja ka qenë delegat në përballjen e sotme në Vlorë dhe te Flamurtari kanë nisur me ankesat zyrtare, duke mos mbetur më vetëm me reagimet në media.