Gushti ka nisur me ritme të larta në Vlorë, duke përmbushur pritshmëritë për një sezon turistik të mbushur me vizitorë nga brenda dhe jashtë vendit. Vetëm në orët e para të mëngjesit të së dielës, 1236 pasagjerë kanë zbarkuar në Portin e Vlorës me dy tragetet e linjës detare që lidh qytetin me Brindisin.
Autoritetet portuale bëjnë me dije se fluksi ka qenë në rritje që prej fundit të korrikut, ndërsa piku pritet të arrihet gjatë javës së dytë të gushtit.
Masat e sigurisë dhe të menaxhimit të fluksit janë përforcuar. Në port janë vënë në funksion të gjitha sportelet dhe shërbimet mbështetëse, duke garantuar një proces të shpejtë dhe të sigurt zbarkimi për udhëtarët.
Operatorët turistikë dhe bizneset vendase e shohin këtë rritje si një sinjal pozitiv për ekonominë lokale. Sipas tyre, Vlorës i është shtuar dukshëm vëmendja e turistëve, falë përmirësimeve të vazhdueshme në infrastrukturë, bregdetit të pasur dhe ofertës së larmishme kulturore, kulinare dhe natyrore.
Ky muaj pritet të sjellë një numër të lartë turistësh, por edhe shqiptarë që jetojnë në vendet fqinje dhe zgjedhin të kalojnë pushimet në atdhe.
Komente
