FT/ Kroaci 4-1 Kanada (Kramaric 36', 70', Livaja 44', Majer 90+4' / Davies 2')
Kroacia fitoi 4-1 me Kanadanë në raundin e dytë të grupit F në Kupën e Botës. Ballkanasit përmbysën kundërshtarët, teksa marrin kryesimin e grupit. Nga ana tjetër, pas dy humbjeve dhe zero pikëve në këtë Botëror, Kanadaja i jep lamtumirën eventit të Katarit.
Në stadiumin ndërkombëtar të "Khalifa" në Doha, Davies gjeti golin e parë të ndeshjes në minutën e dytë, duke kaluar në avantazh Kanadanë pas vetëm 68 sekondave lojë. Lojtari i Bayern Munich shënon kështu golin më të shpejtë në Kupën e Botës së këtij viti, teksa ia doli që të shënojë emrin e tij me gërma të arta në historinë e futbollit kanadez, duke gjetur golin e parë në një Kupë Bote për shtetin nga Amerika e Veriut.
Goli i pësuar shpejt "zgjoi" kroatët, që shënuan me Kramaric në minutën e 36 pas asistit të Perisic. Vetëm tetë minuta më vonë, në të 44 ishte radha e Livaja që të përmbyste Kanadanë me një gol nga jashtë zone. Pjesa e dytë nisi sërish nën "diktatin" e kroatëve, teksa Kramaric me dopietën personale në të 70 minutë dërgoi ndeshjen në 3-1.
Në minutën e 90+4 golin e katërt te kroatët e gjeti Majer. Dopietë e Kramaric dhe dy asiste nga Perisic bëjnë që Kroacia me katër pikë të jetë e para në grupin F. Po me katër pikë edhe Maroku që mundi Belgjikën. Belgët vetëm të tretët me tre pikë, teksa Kanadaja me zero pikë eleminohet nga kompeticoni paçka se luan ndeshjen e tretë me Marokun. Belgjika do diskutojë kalimin më tej kundër Kroacisë, ndërsa në këtë grup tre ekipet e para kanë shanse të sigurojnë dy vende për fazën me eleminim.
Renditja:
VIDEO:
Kroaci 3-1 Kanada. Kramaric ka shënuar golin e tretë për Kroacinë në minutën e 70 të ndeshjes. Një asist nga Perisic dhe një stopim i bukur nga Kramaric bën që sulmuesi të gjejë golin e dytë personal dhe të tretin e ndeshjes për ballkanasit, duke siguruar kështu tri pikët.
Kroaci 2-1 Kanada. Livaja në minutën e 44 shënon golin e dytë për Kroacinë. Ballkanasit përmbysin brenda tetë minutave Kanadanë, që shënoi golin e parë me Davies pas dy minutash lojë. Pas Kramaric në të 36 minutë, Livaja me një gol të bukur dërgon Kroacinë në avantazh.
Kroaci 1-1 Kanada. Andrej Kramaric ka barazuar rezultatin për kroatët në minutën e 36 të ndeshjes. Një aksion i bukur dhe asisti i Perisic u shfrytëzuan nga sulmuesi ballkanas për të barazuar golin e Davies në minutën e dytë.
Kroaci 0-1 Kanada. Amerikanoveriorët kalojnë në avantazh me Davies pas vetëm 68 sekondave lojë. Një krosim i Buchanan nga e djathta e sulmit është shfrytëzuar mirë nga Davies, që veçse kalon në avantazh Kanadanë shënon golin më të shpejtë deri tani në Botërorin e Katarit.
Kroacia dhe Kanadaja luajnë në 17:00 për grupin F të Kupës së Botës. Për ballkanasit në stadium është edhe ish-miss Kroacia, Ivana Knoll. Si një fanse e zjarrtë e futbollit, Knoll nuk mund të mungonte në Doha në mbështetje të skuadrës së saj. Për shkak të veshjes provokuese, Knoll mori qortim disa ditë më parë nga organizatorët, teksa edhe këtë herë duket se ka të njëjtin stil veshjeje. Kujtojmë se në Katar nuk lejohet alkooli dhe veshjet "jo të përshtatshme" në stadium.