Poloni 1-0 Shqipëri

VIDEO/ Shqipëria krijon rastet, Polonia bën golin! Kombëtarja e nis me humbje fushatën Euro 2024, Sylvinho guxon në debutim

27 Mars 2023, 22:39| Përditesimi: 27 Mars 2023, 22:53

  • Share

FT/ Poloni 1-0 Shqipëri ( Swiderski 40')

Kualifikuese Euro 2024, grupi E 

Stadiumi "PGE Arena", Varshavë

Arbitër: Slavko Vinčić

Kombëtarja shqiptare e futbollit e nisi me humbje fushatën kualifikuese për Europianin 2024. Kuqezinjtë e Sylvinhos humbën 1-0 me Poloninë në Varshavë, teksa tanët bënë një lojë të mirë sulmuese dhe me katër raste të pastra shënimi. Portieri Szczęsny te vendasit ishte heroi i Polonisë, teksa ndali tre goditje që po shkonin në rrjetë. Për kuqezinjtë Sylvinho debuton me humbje, teksa guximi në lojën sulmuese u vu re në Varshavë. Jasir Asani dhe Anis Mehmeti ishin dy emrat e rinj që debutuan me Shqipërinë.

Ndeshja nisi mirë për tanët, me Sokol Cikalleshin që provoi në minutën e 21 nga largësia, teksa gardiani vendas e ndali 'predhën' nga 25 metra. Do duhej minuta e 40-të që Polonia në rastin e parë dhe të vetëm të rrezikshëm të shënonte me Swiderski.

Pas goditjes fillestare, sfera u stampua në shtyllën e majtë pingule të Strakoshës, me topin e kthyer që u shty në rrjetë nga futbollisti vendas. Mbrojtja kuqezi u tregua e pavëmendshme në një moment të tillë, me pjesën e parë që u mbyll me këtë aksion.

Pjesa e dytë ishte sërish e luftuar dhe me kuqezinjtë tanë që bënë një lojë të mirë, me qarkullimin e topit dhe driblimet që dukshëm ishin të përmirësuara. Në të 57 minutë, Uzuni u ndal nga Szczęsny, teksa edhe një minutë më vonë portieri i Juventusit bëri mrekullinë, këtë herë kundër Asllanit.

Fundi i ndeshjes dhe konkretisht e 88 minutë solli rastin më të mirë për Uzunin, me sulmuesin që nga brenda zone e dërgoi sferën ngjitur shtyllës. Edhe pas katër minutave shtesë, Shqipëria nuk mundi të siguronte qoftë edhe një pikë në këtë duel hapës për Euro 2024.

Me zero pikë, kuqezinjtë mbajnë vendin e fundit në grupin E, teksa kanë një ndeshje më pak, njëjtë si Ishuj Faroe. Çekia me katër pikë mban vendin e parë, me çekët që barazuan 0-0 me Moldavinë. Polonia me tri pikë gjendet në vendin e dytë. Përpara ndeshjes në Varshavë nuk munguan as tensionet mes tifozëve kuqezinj, me policinë që arrestoi dy prej tyre duke përdorur edhe gazin lotsjellës.

Formacionet:

Polonia: Szczęsny, Frankowski, Bednarek, Salamon, Kivior, Kaminskwi, Lineti, Zielinski, Zalewski, Swiderski, Lewandowski.
Trajner: Fernando Santos

Shqipëria: Strakosha, Balliu, Hysaj, Mihaj, Kumbulla, Gjasula, Ramadani, Asllani, J. Asani, Uzuni, Cikalleshi.
Trajner: Sylvinho

Ora 22:57
'Polonia asnjë rast, kanë portier të mirë', Cikalleshi: Kombëtarja ka hapur një kapitull të ri

Sokol Cikalleshi, sulmuesi i Kombëtares foli pas humbjes 1-0 me Poloninë në Varshavë. Ndeshja e grupit E për Euro 2024 u vendos nga një episod, me kavajasin që tregon se sot u hap një kapitull i ri për kuqezinjtë.

"Sot kemi hapur kapitull të ri. Me shpirtin që kemi treguar sot, besoj se i kemi bërë shqiptarët që të ndihen mirë. Portieri i Polonisë është shumë i mirë dhe nuk na lejoi të shënonim. Kemi sakrifikuar shumë në këtë takim. I pritëm në mesfushë dhe na shkoi mirë. Pësuam një gol nga gjysmë rasti. Përvec atij rasti, Polonia nuk pati ndonjë rast tjetër. Gol nuk na deshi sot, as mua, as Uzuni as Asllanit", tha Cikalleshi pas ndeshjes.

Ora 22:06
LIVE/ Asllani - Uzuni bëjnë 'lëmsh' polakët, Szczęsny hero te Polonia (VIDEO)

58' Poloni 1-0 Shqipëri/ Uzuni dhe Asllani patën dy raste të mira shënimi. Në të 56 dhe 57 minutë, kuqezinjtë u ndalën nga Szczęsny. Gardiani vendas ndali fillimisht Uzunin dhe më pas goditjen me të djathtë të Asllanit.

Ora 21:49
Sherr në Varshavë, shoqërohen në polici dy tifozët e kombëtares shqiptare

Kombëtarja shqiptare po luan në Varshavë kundër Polonisë për fazën eliminatore të Euro 2024. Të shumtë kanë qenë tifozët kuqezi në transfertë, teksa nuk kanë munguar problemet. Sipas asaj që mëson “Supersport”, dy tifozë shqiptar janë shoqëruar nga policia para ndeshjes, ndërkohë që është përdorur dhe gaz lotsjellës. Tifozët i janë nënshtruar kontrolleve të rrepta për mjete piroteknike, ndërkohë që nuk mungon atmosfera në shkallët e stadiumit në nisjen e kësaj sfide.

Ora 21:27
LIVE/ Mbrojtja e kuqezinjve shpërqëndrohet, Polonia gjen golin e avantazhit (VIDEO)

40' Poloni 1-0 Shqipëri/ Polonia gjen golin e avantazhit me Suiderski në minutën e 40-të. Pas goditjes që u stampua në shyllë, në topin e kthyer përfituan vendasit teksa mbrojtja kuqezi nuk mundi të bllokonte sferën.

Ora 21:11
LIVE/ Shqipëria rrezikon polakët, Sokol Cikalleshi 'flirton' me golin nga 25 metra (VIDEO)

21' Poloni 0-0 Shqipëri/ Rasti i parë i rrezikshëm i ndeshjes, Sokol Cikalleshi vendos në provë portierin vendas, juventinin Szczęsny. Nga 25 metra, e majta e kavajasit është grushtuar në këndore.

Ora 20:54
Marash Kumbulla ka fanse në Varshavë, bukuroshja polake i kërkon fanellën

Polonia dhe Shqipëria po luajnë në kualifikueset e Europianit 2024 në Varshavë. Futbollisti i kuqezinjve, Marash Kumbulla duket se ka fansa edhe në Poloni, teksa një tifoze polake i ka kërkuar fanellën me një pankartë. "Kumbulla mund ta kem fanellën tuaj?", shkruan tifozja.

Ora 20:16
'Ushtarët e Kombit', tifozët motivojnë lojtarët e Kombëtares në stadiumin e Varshavës

Gjysmë ore para nisjes së ndeshjes kualifikuese për Euro 2024 mes Polonisë dhe Shqipërisë në "PGE Arena" në Varshavë (20:45), tifozët kuqezi kanë hyrë në stadium dhe kanë mbështetur futbollistët tanë duke shpalosur banerin "Ushtarët e Kombit".

 

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Taulant: 28/03/2023 10:21

    Nese u thua raste te mira shenimi ketyre te Uzunit dhe Asllanit, jeni shume larg pritshmerive te tifozeve. Rastet ishin mediokre me sa pashe, lojen nuk munda.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?