Festa e Lando Norris pas suksesit

Sport

Formula 1/ McLaren dominon Hungarinë, Norris triumfon! Podium edhe për Piastri e Russell, zhgënjen Ferrari

4 Gusht, 08:47| Përditesimi: 4 Gusht, 11:20

  • Share

Lando Norris konfirmon formën e tij të shkëlqyer të dielën duke fituar Çmimin e Madh të Hungarisë, në një garë ku strategjia dhe menaxhimi i gomave bënë diferencën. Piloti britanik i McLaren e menaxhoi garën me një ndalesë të vetme në bokse dhe arriti fitoren e tij të gjashtë për sezonin dhe të tretën në katër garat e fundit.

Pas tij, në vendin e dytë u rendit shoku i skuadrës, Oscar Piastri, i cili tentoi një manovër parakalimi në xhirot e fundit, por pa sukses ndaj britanikut më të shpejtë të fundjavës.

Charles Leclerc, i cili e nisi garën nga 'pole-position', mbajti kryesimin në gjysmën e parë, por u penalizua nga një strategji e gabuar e gomave dhe probleme me makinën, duke përfunduar në vendin e katërt.

George Russell i Mercedes u rendit i treti në pistë, por një penalizim me pesë sekonda për tejkalim të kufijve të pistës mund t'i i rrezikonte podiumin. Megjithatë, diferenca ishte e mjaftueshme për të mbajtur vendin e tretë pas pilotëve të McLaren.

McLaren shënon historinë - Kjo ishte fitorja numër 200 për McLaren në Formula 1, një arritje madhore për një nga skuadrat e famshme të garave.

Fernando Alonso me Aston Martin përfundoi në vendin e pestë, ndërsa Gabriel Bortoleto me Sauber surprizoi me një paraqitje solide, duke u renditur i gjashti. Hamilton vetëm në vendin e 12-të.

Pas 14 garave (nga 24 në total), Oscar Piastri me 284 pikë mban kryesimin, ndjekur nga shoku i tij i McLaren, Lando Norris me 275 pikë, duke bërë që të ketë konkurrencë te skuderia britanike për titullin kampion për pilotë, teksa për konstruktorë duket se e kanë siguruar. Verstappen, Russell, Leclerc dhe më pas Hamilton në renditjen e përgjithshme.

Ora 11:19
Kalimi te Ferrari një makth, shfryn Hamilton: Është sezoni më i keq në karrierë, më pëlqen të garoj

Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1, Lewis Hamilton u shpreh i zhgënjyer pas vendit të 12-të në garën e Hungarisë. Britaniku këtë sezon po garon për Ferrarin dhe paçka avantazheve që ka njëvendëshja e "Kokëkuqes", ende nuk e ka treguar veten e tij, duke qenë shumë pas rivalëve për titullin kampion në Formula 1.

Hamilton u pozicionua vetëm në vendin e 12-të në GP e Hungarisë dhe pas garës ai pranoi se ky është sezoni më i keq në karrierën e tij, paçka pritshmërive që kishte ai dhe tifozët. Të paktën 40-vjeçari pranon se ende tërhiqet nga garat dhe nuk e ka humbur adrenalinën.

"Nuk jam veçanërisht i tërbuar, por nuk kishte asgjë më shumë që mund të bëja. Nuk prisja shumë nga gjysma e parë e këtij sezoni, por shkoi shumë më keq se çdo sezon tjetër i mëparshëm. Kur ke një ndjenjë... e ke. Ka shumë gjëra që ndodhin në sfond dhe nuk janë mirë . Por unë ende i dua garat", tha Hamilton.

Drejtori i Ferrarit, Frederic Vasseuer tha se diferencat nuk ishin të mëdha dhe se ishte i keqardhur që Leclerc humbi garën.

"Diferenca nuk ishte e madhe, por në dy xhirot e para ne e kishim kontrollin. Në të fundit, patëm një diferencë prej dy sekondash në shpejtësi dhe e humbëm garën. Është për të ardhur keq sepse Charles pati një pjesë të parë të shkëlqyer të Çmimit të Madh dhe ne prisnim më shumë. Ai pati një problem me shasinë që nga xhiroja e 40-të e tutje.

Në fillim të garës, patëm një shpejtësi të shkëlqyer, në të njëjtin nivel me McLaren-ët dhe një avantazh të mirë ndaj Russell. Pastaj humbëm gjithçka. Tani duhet të kuptojmë se çfarë ndodhi në gjysmën e dytë të garës. Por le të marrim edhe anët pozitive, në shumë aspekte ishim në të njëjtin nivel me McLaren-ët. Hamilton humbi dy pozicione në fillim, pastaj ngeci në trafik për tridhjetë xhiro dhe kur të gjithë kanë DRS nga makina përpara, nuk mund të bësh shumë", tha ai.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çfarë mendoni për ndryshimet e propozuara me draftin për Kodin e ri Penal?