Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1, Lewis Hamilton u shpreh i zhgënjyer pas vendit të 12-të në garën e Hungarisë. Britaniku këtë sezon po garon për Ferrarin dhe paçka avantazheve që ka njëvendëshja e "Kokëkuqes", ende nuk e ka treguar veten e tij, duke qenë shumë pas rivalëve për titullin kampion në Formula 1.
Hamilton u pozicionua vetëm në vendin e 12-të në GP e Hungarisë dhe pas garës ai pranoi se ky është sezoni më i keq në karrierën e tij, paçka pritshmërive që kishte ai dhe tifozët. Të paktën 40-vjeçari pranon se ende tërhiqet nga garat dhe nuk e ka humbur adrenalinën.
"Nuk jam veçanërisht i tërbuar, por nuk kishte asgjë më shumë që mund të bëja. Nuk prisja shumë nga gjysma e parë e këtij sezoni, por shkoi shumë më keq se çdo sezon tjetër i mëparshëm. Kur ke një ndjenjë... e ke. Ka shumë gjëra që ndodhin në sfond dhe nuk janë mirë . Por unë ende i dua garat", tha Hamilton.
Drejtori i Ferrarit, Frederic Vasseuer tha se diferencat nuk ishin të mëdha dhe se ishte i keqardhur që Leclerc humbi garën.
"Diferenca nuk ishte e madhe, por në dy xhirot e para ne e kishim kontrollin. Në të fundit, patëm një diferencë prej dy sekondash në shpejtësi dhe e humbëm garën. Është për të ardhur keq sepse Charles pati një pjesë të parë të shkëlqyer të Çmimit të Madh dhe ne prisnim më shumë. Ai pati një problem me shasinë që nga xhiroja e 40-të e tutje.
Në fillim të garës, patëm një shpejtësi të shkëlqyer, në të njëjtin nivel me McLaren-ët dhe një avantazh të mirë ndaj Russell. Pastaj humbëm gjithçka. Tani duhet të kuptojmë se çfarë ndodhi në gjysmën e dytë të garës. Por le të marrim edhe anët pozitive, në shumë aspekte ishim në të njëjtin nivel me McLaren-ët. Hamilton humbi dy pozicione në fillim, pastaj ngeci në trafik për tridhjetë xhiro dhe kur të gjithë kanë DRS nga makina përpara, nuk mund të bësh shumë", tha ai.
Lajmi kryesor:
Formula 1/ McLaren dominon Hungarinë, Norris triumfon! Podium edhe për Piastri e Russell, zhgënjen Ferrari
S.Dh/ReportTv.al