Ky është 32-vjeçari Zef Lorenci nga fshati Merqi i Lezhës, i cili humbi jetën pasditen e së shtunës pasi ra në kontakt ne energjinë elektrike teksa po montonte një skenë për zhvillimin e një koncerti në shëtitoren e Shëngjinit.
Pas kryerjes së ekspertizës mjeko-ligjore në morgun e Spitalit Rajonal të Lezhës, trupi i pajetë i të riut është tërhequr nga familjarët. Ceremonia mortore do të zhvillohet ditën e hënë.
Sipas të dhënave paraprake, Zef Lorenci humbi jetën pasi ra në kontakt me energjinë elektrike. Në lidhje me ngjarjen, hetimet janë ende në vijim.
Policia njofton se ka arrestuar Zef Shtjefnin, pronar i subjektit - ku ishte punësuar 32-vjeçari që humbi jetën - i cili kishte marrë përsipër montimin e skenës. Subjekti në fjalë rezulton të jetë një fabrikë tullash, e quajtur "Milis".
I riu punonte në fabrikë, por pasdite ishte angazhuar për të ndihmuar në vendosjen në funksion të skenës, pasi Zef Shtjefni, së bashku me një person tjetër, kishin qenë sponsorë të koncertit.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më datë 19.07.2025, lidhur me ngjarjen e ndodhur në shëtitoren “Willson”, në Shëngjin, ku gjatë punimeve në një strukturë për ngritjen e një skene humbi jetën një punëtor, ju informojmë se: Nga veprimet hetimore të kryera nga strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Lezhë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Z. Sh., 64 vjeç, banues në Shëngjin, me detyrë përgjegjës i subjektit (ortak) që po kryente punimet në vendngjarje. Nga hetimet e deritanishme rezulton se më datë 19.07.2025, rreth orës 16:30, shtetasi Z. L., 32 vjeç, punëtor në këtë subjekt, duke punuar mbi një strukturë për ngritjen e skenës, aksidentalisht ka rënë në kontakt me rrymën elektrike dhe për pasojë ka rënë nga një lartësi prej 5-6 metrash, duke marrë dëmtime të rënda trupore, i cili humbi jetën gjatë transportimit për në spital.
Komente
