Presidenti Donald Trump duke ndjekur bombardimet ndaj Iranit në 'Situation Room'

Bota

Fotot historike nga 'Situation Room': Kështu ndoqi Trump (me kapele MAGA) bombardimet mbi Iranin

22 Qershor, 07:57| Përditesimi: 22 Qershor, 08:07

  • Share

Pesë presidentë dhe një vendim historik: Trump, i vetmi që urdhëroi një sulm ushtarak ndaj Iranit. Pamjet nga "Situation Room" dhe trashëgimia politike

Pesë presidentë amerikanë – Bill Clinton, George W. Bush, Barack Obama, Joe Biden dhe Donald Trump – janë përballur me dilemën nëse duhet përdorur ose jo forca ushtarake ndaj Iranit. Vetëm Donald Trump vendosi të ndërmarrë një sulm të drejtpërdrejtë ushtarak, dhe kjo, pavarësisht si do të zhvillohen ngjarjet në ditët e ardhshme, do të mbetet një pjesë kyçe e trashëgimisë së tij politike.

Pamjet e publikuara nga Shtëpia e Bardhë, të realizuara brenda "Situation Room" gjatë sulmit ndaj Iranit, pritet të bëhen po aq historike sa ato të Obamës që ndiqte në maj 2011 operacionin kundër Osama bin Laden, apo të Bush-it kur dha urdhrin për të nisur luftën në Irak në 2003. Por ndryshe nga ato raste, Trump shfaqet me kapele të kuqe “Make America Great Again”, simbol i lëvizjes së tij.

Fotografitë ofrojnë një vështrim të rrallë në dhomën e vendimmarrjes së krizave në Shtëpinë e Bardhë, e njohur edhe si “JFK Room”, e ndërtuar gjatë presidencës së John F. Kennedy.

Në një prej fotove, Trump qëndron i ulur, i qetë, i rrethuar nga ministrat e tij, duke ndjekur në ekran operacionin kundër tre objekteve iraniane të pasurimit të uraniumit. Në një tjetër foto, ai është në këmbë, pranë shefit të shtabit të përbashkët Dan Caine, i cili flet me Susie Wiles, shefen e stafit të Shtëpisë së Bardhë.

Mbi tavolinë duken shishe uji të gjysmuara, stilolapsa me ngjyra dhe dosje voluminoze, ndërsa në krah të Trump-it janë ulur nënkryetari J.D. Vance dhe sekretari i Shtetit Marco Rubio – ndoshta një tregues i ndikimit të tyre. Kreu i CIA-s, John Ratcliffe, shihet me duar të kryqëzuara, ndërsa drejtoresha e inteligjencës kombëtare, Tulsi Gabbard, mungon në foto – një detaj domethënës, duke marrë parasysh përplasjet që ajo ka pasur me Trump-in mbi çështjen iraniane. Në sfond lëvizin Dan Scavino, nënkryetar i stafit, dhe David Warrington, këshilltari ligjor i Shtëpisë së Bardhë, që ngrihet për të folur në vesh të shefit të Pentagonit.

Gjenerali në pension Dan “Razin” Caine, i emëruar nga Trump si shef i shtabit të ushtrisë dhe ish-pilot F-16, është një nga figurat qendrore të operacionit. Ai shihet në foto duke shpjeguar, edhe me gjeste, ecurinë e sulmit. Trump e lavdëroi publikisht në një deklaratë televizive drejtuar popullit amerikan, duke thënë se tani është radha e Iranit për të vendosur dhe se nëse do të bëjë zgjedhjen e gabuar, SHBA do të vijojë me sulmet.

Trump e kishte njohur Caine në vitin 2018 gjatë një vizite në Irak. Gjatë konferencës së konservatorëve amerikanë (CPAC), presidenti kishte treguar një bisedë me gjeneralin, i cili i kishte thënë se lufta kundër ISIS mund të përfundonte për një javë, jo për dy vjet, siç pretendonin të tjerët. “Na lejoni t’i godasim nga prapa, anash, nga të gjitha anët, Zoti President. Nuk do ta kuptojnë as se çfarë i goditi”, i kishte thënë gjenerali. Trump më pas e quajti atë “një gjeneral të vërtetë, jo një gjeneral televiziv”, duke nënvizuar mënyrën se si ai e sheh forcën ushtarake: si vendosmëri dhe efikasitet real në terren.

Megjithëse disa përkrahës të linjës “America First” (Amerika e para) ishin kundër një ndërhyrjeje ushtarake në Iran, duke e konsideruar jo në përputhje me filozofinë e Trump-it, kapelja MAGA në "Situation Room" ishte një mesazh i qartë. Në një intervistë të dhënë pak ditë më parë për The Atlantic, Trump kishte deklaruar:

“Unë e kam krijuar parimin 'America First' dhe unë vendos se çfarë do të thotë. Nuk mund të ketë paqe nëse Irani ka armë bërthamore. Kushdo që thotë se dëshiron paqe, duhet ta kuptojë këtë. Nuk mund të rrish jashtë kësaj situate nëse Irani ka një armë bërthamore – sepse kjo nuk është paqe.”

Pas sulmit, edhe pjesa më skeptike e republikanëve u rreshtua pas tij, duke e parë si një veprim të matur dhe të kufizuar ushtarak. Aktivisti Charlie Kirk, një zë i rëndësishëm i brezit të ri MAGA, deklaroi: “Irani nuk i la zgjedhje Trump-it”. Ndërsa ish-deputeti Matt Gaetz, i zgjedhur dikur nga Trump për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, e krahasoi bombardimin me atë që vrau Qassem Soleimani: “Nuk është luftë për ndërrim regjimi. Trump është një ndërmjetës paqeje!”

Në Kongres, një nga mbështetësit më të zjarrtë ishte senatori Lindsey Graham, një nga “skifterët” e Partisë Republikane, i cili tha: “Ishte zgjedhja e duhur. Ky regjim e meriton”. Edhe senatori Tim Sheehy, që kishte qenë skeptik ndaj sulmit ndaj Fordow-t, lavdëroi vendimin e presidentit:

“Trump mori vendimin e duhur. Për ata që e kritikojnë, them: kjo nuk është nisja e një lufte, por fundi i saj. Irani është në luftë me SHBA-në prej 46 vitesh. Populli iranian duhet të ngrihet dhe t’i japë fund këtij regjimi vrasës.”

Ndërkohë, Steve Bannon udhëhoqi një transmetim special gjatë gjithë natës në programin e tij War Room, ku foli për rrezikun e një Lufte të Tretë Botërore.

Ai e quajti ndërhyrjen: “veprimi më i madh dhe më i guximshëm i mandatit të parë ose të dytë të Trump-it”, por i bëri thirrje presidentit që të mos tërhiqet nga skifterët në një rrugë që mund të dominojë gjithë presidencën e tij dhe të dëmtojë objektivat e "America First":

“Kjo është një zgjedhje në stilin e Abraham Lincoln-it – sepse tani je pjesë e luftës. Edhe nëse e quan të kufizuar dhe thua se nuk do të ndryshosh regjimin, do jesh nën presion të vazhdueshëm.”

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni sulmin e SHBA-së ndaj impianteve bërthamore të Iranit?