140 deputetët u rikthen në Kuvend pas zgjedhjeve të 11 majit. 83 prej tyre nuk do të ulen më në karrigen e ligjvënësit në shtator.
Këto foto tregojnë momentet ‘pikante’ që nuk u panë nga takimi mes deputetëve, ku s’kanë munguar përqafimet, të qeshurat apo edhe ngushëllimet.
Erion Braçe shfaqet dorë për dore me kolegun e tij socialist Vullnet Sinaj, të dy fitues nga lista e hapur. Më pas, Braçe dallohet teksa “ngushëllon” në supe Tritan Shehun, partia e të cilit pësoi disfatë elektorale, ndonëse vetë siguroi një vend në Kuvend nga lista e mbyllur.
Senatori i PS, Pandeli Majko, i cili s’do të jetë më në Kuvend, shfaqet krah Damian Gjiknurit, më i votuari në qarkun e Vlorës. Mes kolegëve shihen shtërngime duarsh e të qeshura. Dy ministret Anila Denaj e Delina Ibrahimaj dalin bashkë nga salla plenare. Ibrahimaj e Frrok Gjini u “fotografuan” ndërsa ministrja i hedh dorën kolegut mbi sup.
Nasip Naço i PS dhe Ferdinand Xhaferraj i PD, gjetën “ngushëllim” te njëri-tjetri, të dy të tërhequr nga gara e 11 majit.
Pavarësisht disfatës elektorale, deputetët demokratë “veshën” një buzëqeshje. Gazment Bardhi sheh me ngazëllim Elda Hotin. Por, lideri i tyre Sali Berisha nuk iu “bashkua” këtyre momenteve, pasi është i “zënë” si gjithnjë duke dhënë prononcime për të faktuar farsën elektorale.
Pamjet brenda Kuvendit nuk tregojnë asgjë të re. Socialistët ngrenë kartonin e kuq për kërkesat e demokratëve. Berisha ua bën me gisht se janë deputetë të zgjedhur nga krimi, Balla e përshëndet me dorë, për t’i kujtuar se “koha i perëndoi”./ Shqiptarja.com
Komente
