Endri Shabani dhe Adriatik Lapaj

Politikë

Frika për mandatin, Shabani qetëson Lapajn! Kërkesë KQZ-së: Njihni 46 dorëheqjet tona të listës së mbyllur, jepjani fituesit të listës së hapur! Jo lojëra politike

11 Korrik, 17:48| Përditesimi: 11 Korrik, 19:28

  • Share

Nisma e ndërmarrë nga kandidati i listës së mbyllur të koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, Zeqir Kordhoni, ka trembur jo pak drejtuesit e këtij formacioni politik.

Ndërsa ai i kërkonte informacion KQZ-së me një shkresë ku të verifikohej firma e tij e dorëheqjes për 11 majin nga lista e mbyllur, pasi nuk e mbante mend, reagimi i parë ishte i Adriatik Lapajt, fituesit të listës së hapur që e rrezikon mandantin, duke thënë se do ishte deputet. Ai sqaroi se Kordhoni ishte kandidat i aleatit të tij të Nismës Thurje, Endri Shabani.

Pas krizës së re brenda koalicionit, ky i fundit i është drejtuar me një kërkesë kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, duke i kërkuar që të mos lejojë lojërat politike dhe të njohë dorëheqjet e dorëzuara nga të 46 kandidatët e listës së mbyllur të Nismës Shqipëria Bëhet dhe të shpërndajë mandatet e kandidatëve fitues të zgjedhjeve të 11 majit sa më parë për Tiranën dhe qarqet e mbetura.

Shabani duket se ka qetësuar aleatin e tij Lapaj duke i dalë në mbrojtje, teksa në kërkesë nënvizon se mandati i Nismës Shqipëria Bëhet duhet t’i jepet fituesit të listës së hapur, që ka marrë edhe më shumë vota dhe që është pikërisht Lapaj.

Adriatik Lapaj tha dje për Report Tv se nuk ka krisje në koalicion me Shabanin, por theksoi se kandidati që kërkon verifikimin e firmës është i këtij të fundit.

Koalicioni në shenjë proteste për dy partitë e mëdha PD-PS dhe Kodit Zgjedhor për listat e mbyllura që bënë, përfshiu familjarë në to, të cilët dorëzuan dorëheqjet, në një manovër elektorale politike.

Por që këto dorëheqje të njihen, ata duket se duhet ta shprehin edhe nëpërmjet refuzimit të mandatit të fituar. Nisma Shqipëria Bëhet fitoi 1 mandat në Tiranë, teksa mori në shkallë vendi 65 mijë vota.

Dhe kërkesa e Kordhonit duket se e ka vendosur jo pak në rrezik mandatin e Lapajt në këto momente, derisa KQZ të shprehet dhe të bëjë certifikimin e zgjedhjeve në Tiranë, si dhe shpërndarjen e mandateve.

Kërkesa e Endri Shabanit drejtuar KQZ-së:

“Lënda: Kërkesë për njohjen e dorëheqjeve të dorëzuara në 11 Maj 2025

Drejtuar: Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, kryetarit Ilirjan Celibashi

I nderuar Z. Komisioner,

Në emër të Partisë Nisma Thurje dhe Koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, ju drejtohem për të kërkuar zyrtarisht që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shpallë sa më shpejtë rezultatin e zgjedhjeve të 11 Majit 2025 dhe të shpërndajë mandatet sipas vullnetit të zgjedhësve. Kanë kaluar dy muaj nga dita e zgjedhjeve dhe këto vonesa po krijojnë hapësira për lojra politike, të cilat po delegjitimojnë procesin duke u kthyer në telenovelat e verës. Gjithashtu, kërkoj që KQZ-ja të njohë vullnetin e zgjedhësve të koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, ku mbi 54,000 vota u dhanë drejtpërdrejt për kandidatët e listës sonë të hapur. Këto nuk janë thjesht shifra, por një shprehje e qartë e vullnetit të qytetarëve për të zgjedhur direkt përfaqësuesit e tyre në parlament.

Më lejoni t’ju rikujtoj se ky garim me lista të hapura, erdhi në kushtet kur partitë e vjetra u bënë bashkë për të na imponuar një kod zgjedhor anti-demokratik. Ne e sfiduam këtë përpjekje duke e çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, dhe më pas duke u detyruar të përdornim një artificë, e cila gjithësesi është brenda hapësirës që na jep ligji. Prandaj, për të vendosur një standard demokratik në Shqipëri, do duhet të krijohen kushte kur partitë politike të garojnë me lista të hapura. Dhe për këtë qëllim, kërkoj nga KQZ-ja që të njohë dorëheqjet e dorëzuara me datë 11 Maj 2025 nga 46 kandidatët e listës së mbyllur të koalicionit tonë, të cilët me vullnet të plotë deklaruan se nuk synojnë të marrin mandatin e deputetit.

Dua t’ju rikujtoj se veprimet tona janë marrë në bashkërendim të plotë me KQZ-në. Pikërisht për këtë arsye insistojmë që KQZ-ja të veprojë në përputhje me praktikën e mëparshme të tij, ku dorëheqjet e paraqitura janë njohur pa pengesa apo interpretim selektiv. Çdo devijim nga ky standard në rastin tonë do të përbënte jo vetëm shkelje të parimit të barazisë, por do të cënonte besueshmërinë e institucionit.

Prandaj, i bëjmë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që:

• Të njohë zyrtarisht dorëheqjet e 46 kandidatëve të listave të mbyllura të paraqitura në datë 11 Maj 2021, në përputhje me vullnetin e kandidatëve;

• Të vijojë me procedurat për t’i dhënë mandatin kandidatit të renditur i pari në listën e hapur, në përputhje me ligjin dhe normat demokratike;

• Të mos lejojë asnjë manipulim apo vonesë që do të përbënte mungesë respekti ndaj 65,000 qytetarëve që i besuan koalicionit tonë dhe kandidatëve tanë.

Besojmë se nën drejtimin tuaj, KQZ do të qëndrojë në lartësinë e misionit të saj për të mbrojtur procesin demokratik dhe për të mos lejuar asnjë devijim nga vullneti i votuesve”.

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama kërkon shkarkimin e administratorëve e nënkryetarëve, si e vlerësoni?