Frikë për një skenar genovez? 5 urat më të amortizuara në Shqipëri, eksperti tregon problematikat në 'Report Tv' (FOTO-VIDEO)

16 Gusht 2018, 12:56| Përditesimi: 16 Gusht 2018, 19:13

  • Share

Në vendin tonë ekzistojnë një mori urash të cilat tashmë kanë kaluar më shumë se 50 vjet ndërtim. Në pjesën më të madhe të tyre ato janë të amortizuara dhe rrezikojnë që nga dëmtimet të shemben. Më problematiket janë ura e Vorës, ura e Kukësit, ura e Milotit, ura e Tapizës dhe ajo e Dragotit.

Inxhinieri infrastrutkurës, Xhevahir Ngjeqari në një intervistë për Report Tv nga Ura e Vorës shprehet se është qeveria ajo që duhet të marrë masa për të parandaluar katastrofa si ajo e Genovas me 39 viktima.

Tragjedia e Genovës ku nga shëmbja e urës humbën jetën 39 persona duhet të shërbejë si një alarm dhe plan pune edhe për qeverinë shqiptare shprehet inxhinieri infrastrukturës Xhevahir Ngjeqari.

Ngjeqari ka analizuar dëmtimet e urës së Vorës ku për mikrofonin e ReportTv ai po ashtu thotë se kjo urë duhet të mbyllet dhe të ndërtohet nga e para pasi është e rrezikshme.

Po ashtu Ngjeqari shprehet se institucionet shtetërore duhet të ngrejnë grupe që të kontrollojnë urat pasi vetëm në këtë mënyrë parandalohet bilance dhe dëme në jetë njerëzorë.


Report Tv është ndalur tek kjo urë ku fluksi i lëvizjes së mjeteve është i madh por packa restaurimit në pjesën e sipërme dhe asfaltimit, dëmet e padukshme nga poshtë saj e rrezikojnë seriozisht.

Në këtë urë është ndërtuar shërbimi zjarrfikës i Vorës si dhe funksionojnë një sërë biznesesh të ndryshme, ndërsa pranë saj ka dhe banesa.

Sipas tij, ura është në një gjendje tejet të amortizuar pasi nuk është mirëmbajtuar asnjëherë dhe se kjo urë është e keqndërtuar.Intervista e inxhinierit nga gazetari Arsen Rusta:

1. Inxhinier, është i rëndësishëm tonazhi?

Urat në hyrje të tyre kanë një kapacitet të caktuar. Ura për të cilën bëni fjalë nuk përballon kapacitetet 3.5 ton, pas maksimumi përballon një furgon të vogël. Ura që iu shihni, është e amortizuar. Problematika e saj është e njohur nga pushteti lokal dhe vendor. Kjo urë do ndërtuar nga e para.

2. Problemet e urës janë mbuluar me asfalt, e bën kjo më të sigurt?

Veshja me asfalt nuk e forcon strukturën, kjo është përshtyje e gabuar. Jemi nën urë ku duket qartë amortizimi. Është normale që çdo urë të ketë amotizimin e saj. Por kjo urë nuk është llogaritur saktë. Skema e saj është pak e prapambetur. Besoj që shumë shpejt kjo urë do të dalë jashtë funksionit. Skema e kësaj urë është keqzbatuar. Trarët e saj nuk punojnë si një bllok i vetëm dhe janë të realizuar shumë keq që në fillimet e ndërtimet e saj. Ura është ndëtruar me cilësi shumë të vogël, kjo mbase edhe sepse është ndërtuar mbas viteve ‘90. Teknikisht kjo nuk është e kalueshme. E keqja i vjen nga këmbët. Duket qartë që ka marrë një hark prej 15 cm.

3. Si kontrollohen urat në Shqipëri? Kush i kontrollon?

Po prekni një plagë të organizimit të shtetit shqiptar. Këto që kërkoni ju nuk realizohen në Shqipëri. Aktualisht nuk bëhen, ndoshta në të ardhmen... Kjo urë nuk është mirëmbajtur asnjëherë. E kanë mbushur me material jo të përshtatshëm dhe mund të jetë një nga urat më të dobëta në vend. Është jashtë kushteve teknike.

Ora 18:46
Rrezik për katastrofa, 5 ura në Shqipëri në gjendje të amortizuar

Në vendin tonë ekzistojnë një mori urash, të cilat tashmë kanë kaluar më shumë se 50 vjet ndërtim. Në to aktualisht kalojnë mjete të tonazheve të ndryshem, por që nuk ka një raport për peshën që ato mund të përballojnë duke pasur parasysh edhe vitet që kanë kaluar.Përveç urës së Vorës që sipas specialistit Xhevahir Ngjeqari rrezikon të shembet, ka edhe ura të tjera që janë problematike në vendin tonë. Në Kukës, ura që lidh të gjithë pjesën verilindore të vendit, duke përfshirë edhe Kosovën e vendet e tjera, është mjaft e amortizuar.

Pamjet e marra nga Report tv tregojnë qartë gjendjen, në të cilën ndodhet ura e ndërtuar mbi Drinin e Zi. Intensiteti mjete që kalojnë në këtë urë është mjaft i lartë. Ndërkohë në asnjërën anë të urës nuk ka një tabelë informuese për tonazhin që mund të përballojë kjo urë. Qytetarët shprehen të rrezikuar gjatë kohës që kalojnë në këtë urë.

Një problem mjaft të madh paraqet edhe ura, e cila lidh Milotin me Lezhën, urë e cila lidh mjaft fshatra të Mirditës. Edhe në këtë urë intensiteti është mjaft i lartë. Sikur të mos mjaftojnë vitet që ka kaluar kjo urë dhe mungesa e rikonstruksionit, shumë pranë urës kompanitë që nxjerrin inerte kanë shkaktuar probleme mjaftë të mëdha në këmbët e urës. 

Intensitet mjaft të lartë të kalimit të automjeteve ka edhe ura e Tapizës, e cila është pjesë e nyjes kryesore që lidh kryeqytetin me shumë zona të tjera. Këmbët e kësaj ure prej vitesh janë të konsumuara, por askush nuk është përkujdesur për ta rikonstruktuar atë, apo edhe për të ndërtuar një urë të re. I vetmi investim në këtë urë janë hedhja e pak metër kubve asfalt për të evituar gropat e krijuara herë pas here.

Një urë tjetër që paraqet mjaft rrezik është edhe ura e Dragotit e cila lidh jugun e vendit me juglindjen. Kjo urë është e ndërtuar në vitin 1936 nga italianet, por në atë kohë ka pasur edhe një tabelë në të cilën shkruheshin edhe udhëzimet e përdorimit të urës, por që më pas janë larguar nga të rinjtë e autoritet të rrugëve. Ura e dragoit lidh Gjirokastrën me Përmetin, Këlcyrën, Lesovikun, Ersekën dhe Korçën prej më shumë se 70 vjetësh nuk ka parë rikonstruksion, rikonstruksioni i fundit është bërë në vitin 1947. Qe prej asaj kohe askush nuk ka marrë asnjë masë për të.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Shqipetari: 17/08/2018 04:02

    o gazetar o Arsen po e di ti o djale se ai inxhinieri nuk ta tha pune e tij ta them une . Ato ura i ka ndertuar Xhaxhi Enver per jete te jeteve po do vije edhe nje dite qe do prishen ashtu qe vjen nje dite qe njeriu vdes

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?