Shëndeti

Fryrja e barkut, alarmi i heshtur i trupit tonë! Altin Joka tregon arsyet pse na fryhet barku dhe si të shpëtojmë

28 Maj, 16:15| Përditesimi: 28 Maj, 16:28

  • Share

I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte nutricionisti nga Suedia Altin Joka, i cili foli për fryrjet e barkut, fryrjet e zorrëve, për gazrat që krijohen dhe si mund t’i stabilizojmë.

“Fryrja e barkut është një proces kompleks që nis që nga momenti që kemi futur ushqimin në gojë, kalimi në stomak, e më pas fermentimi”, tha Altini në fillim të bisedës, duke shtuar se kur ushqimi arrin në zorrët e trasha, formohen gazrat, pasi të gjitha bakteret tona duan të ushqehen dhe teprica e gazrave mund të shkaktojë probleme.

Problemi me gazrat mund të shkaktohet nga mungesa e disa enzimave në organizëm, apo mund të kemi intolerancë ndaj laktozës. Ushqimi me shumë kripë është gjithashtu një element që krijon gazra dhe fryrje të barkut, pasi reduktohet sasia e ujit në organizëm. Konsumimi i ushqimit në mënyrë të shpejtë është një element tjetër që ndikon, pasi gjatë ushqimit mund të gëlltisim gazra që krijojnë probleme. Një element tjetër janë çrregullimet e zorrës, si sindroma e zorrës së irrituar, apo rritja e baktereve të këqija në zorrën e hollë. Problem tjetër janë edhe ulçerat që shkaktohen te zorrët e holla. Përdorimi i ilaçeve në sasi të mëdha është një tjetër element që krijon probleme me fryrjen e zorrëve. Stresi dhe ankthi gjithashtu kanë shumë ndikim në fryrjen e zorrëve dhe barkut, pa harruar dhe kequshqyerjen.

“Çdo njeri duhet të jetë doktori i vetvetes, duke testuar ushqimet që i krijojnë probleme”, theksoi Joka.

Por cilat ushqime na bëjnë më mirë për të evituar gazrat dhe fryrjen e barkut?

Rekomandohen ushqimet e gatuara sa më mirë, ushqime që kanë nivele të pakta të fruktozës, si bananet, pjepri. Duhen shmangur drithërat; duhen konsumuar kuinoa dhe çajrat si xhinxheri, mentja, kamomili. Kryesisht lakra, qepa, produktet e qumështit krijojnë gazra, pa harruar pijet me gaz dhe ushqimet me fruktozë. Në aspektin e ushqimit, kur konsumojmë ushqim shpejt apo kur flasim, marrim ajër dhe kjo krijon fryrje në zorrë.

“Nëse zvogëlohet numri i baktereve të dobishme në zorrë, krijohen gazra të tepërt pas çdo ngrënie”, shtoi Altini, duke theksuar se konsumi i duhanit dhe alkoolit e irriton zorrën.

Por cilat janë disa këshilla naturopatike për të normalizuar situatën?

Së pari, përdorimi i uthullës së mollës; një tjetër element është përzierja e xhinxherit, disa fetave molle dhe mjaltit me limon. Çaji i karafilit, vaji i karafilit apo i qymyrit të aktivizuar. Nuk duhet të harrojmë ushqime që kanë nivele të larta të probiotikëve. Konsumi i koprës, finokut, borzilokut është shumë efikas, sikurse çaji i mentes. Ananasi gjithashtu është shumë i mirë.

 

MC/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kuvendi, si e vlerësoni punën e legjislaturës që po mbyllet?