Komisioni i Vettingut ka vendosur sot shkarkimin e nga detyra të gjyqtarit të Vlorës, Ken Dhima, për shkak të problemeve të rënda me pasurinë dhe vendimmarrjet në konflikt interesi. Vendimi i shkarkimit mban firmën e trupit gjykues të kryesuar nga Brunilda Bekteshi, Pamela Qirko relatore dhe Suela Zhegu anëtare. Ky vendim nuk është i formës së prerë, por nga sot Ken Dhima nuk mund të hyjë më si gjyqtar në Gjykatën Administrative së Shkallës së Parë Vlorë. Dhima është i pezulluar, ndërsa mund ta apelojë vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Dhima, me një karrierë 18-vjeçare në sistemin e drejtësisë, zgjodhi që të mos përballej me Vettingut, të cilin në vitin 2018 e konsideroi si Sorosit. Gjyqtari paraqiti në seancën e 27 korrikut 2021 një raport mjekësor sikur ishte sëmurë. Por, raporti hodh poshtë nga trupa gjykuese si pabesueshëm.
Pse u shkarkua?
Sipas trupës gjykuese, gjyqtari Ken Dhima nuk justifikonte burime të ligjshme parash një pasuri me vlerë rreth 600 mijë USD si dhe ka bërë përpjekje për të fshehur edhe dy pasuri të paluajtshme me vlerë 300 mijë euro.
Një person me iniciale R.H i kishte dhuruar një makinë Benz gjyqtarit me vlerë 700 mijë lekë në vitin. Nga ana tjetër gjyqtari i kishte shqyrtuar një çështje dhuruesit. Një vit më pas, në vitin 2009, gjyqtari kishte marrë sërish një makinë Audi në përdorim pa asnjë pagesë nga subjekt. Në vitin 2015, gjyqtari Ken Dhima kishte marrë sërish një makinë Audi në përdorim pa asnjë pagesë nga subjekt tjetër. Dy makinat kishin një vlerë rreth 45 mijë euro. Në konflikt interesi, Ken Dhima kishte marrë në shqyrtim çështje ku dy subjektet ishin palë.
Komisioni i Vettingut ngriti dyshime se gjyqtari kishte fshehur në emër të të afërmve edhe dy pasuri të paluajtshme, një apartament në Shëngjin si dhe njësi shërbimi me sipërfaqe 188 m2 në Tiranë. Komisioni i Vettingut konstatoi se çifti Dhima-Çela nuk justifikonin edhe një apartament të blerë në vitin 2005 për 74 mijë euro. Trupa gjykuesi vuri në dyshime të gjitha lëvizjet e gjyqtarit për të mbuluar pasurinë që nga kursimet tek huat. Me probleme rezultoi edhe një tjetër apartament i blerë nga Dhima, me paratë e vjehrrit të tij. Edhe blerja e dy garazheve nga gjyqtari rezultoi me probleme, bashkë me dhurata dhe të ardhura nga kontrata jo logjike.
Incidenti i fundit
Në mars të këtij viti, gjyqtari Ken Dhima është përplasur fizikisht me gjyqtarin Bevis Shehaj në korridoret e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë. Shkak i përplasjes është bërë një vendim i gjyqtarit Shehaj, i cili në dhjetor të vitit 2020, kishte vendosur të pranonte një kërkesë për përjashtimin e gjyqtarit Dhima nga gjykimi i një çështje, e cila ka të bëjë me një konflikt pronësie në një pallat të ri në Lushnje.
I kallëzuar për fshehje pasurie
Ken Dhima është kallëzuar në Prokurori në vitin 2014 për fshehje dhe mashtrim me pasurinë, bashkë me bashkëshorten e tij Klorinda Çela, e cila është gjithashtu gjyqtare dhe është në proces verifikimi. Në atë kohë, ministri i Drejtësisë Nasip Naço, i kërkoi Këshillit të Lartë të Drejtësisë që të shkarkimin e gjyqtarit nga Drejtësia. Por, KLD-ja me në krye Bujar Nishanin refuzoi kërkesën, duke e shpëtuar kështu gjyqtarin. Më pas dosja e pasurisë së Ken Dhimës është mbyllur nga prokuroria. Rezultatet e hetimit nga Vetingu tregoi se kjo dosje është mbyllur në mënyrë të dyshimtë.
KLD-ja e shpëton për herë të dytë
Në maj të vitit 2018, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, i kërkoi Këshillit të Lartë të Drejtësisë sërish shkarkimin e Ken Dhimës nga detyra për shkelje që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës. Por, KLD-ja, këtë herë me në krye Ilir Metën, refuzoi shkarkimin e tij nga detyra. Në mbledhjen e përballjes në KLD, Ken Dhima shpërtheu duke e konsideruar reformën në drejtësi si vepër të George Soros, ndërsa Vetingun si Sorosian.
Lajm i mire.
Përgjigju