Prokuroria e Sarandës ka nisur hetimet për një Oficer të Policisë Gjyqësore në këtë qytet, J.P., i cili dyshohet se ka fshehur të dhënat për një hetim në lidhje me trafikun e armëve.
Sipas Prokurorisë, ky OPGJ mendohet të ketë fshehur të dhëna hetimore me rëndësi për hetimin që ishin përftuar nga një celular.
Bëhet fjalë për një ngjarje të Shtatorit 2024, kur u arrestua zjarrfikësi i Këlcyrës, Klaudio Osmani 23 vjeç dhe shoku i tij Mehmet Canaj 24 vjeç, me 10 armë të cilat do t’i trafikonin në Sarandë dhe do të shiteshin në këtë qytet bregdetar. Porositësi i armëve nuk dihet.
Për OPGJ-në e Sarandës që ka nisur hetimi, Prokuroria kërkoi arrest në burg, por Gjykata nuk e pranoi dhe vendosi pezullim nga detyra.
Njoftimi i Prokurorisë Sarandë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka regjistruar procedimin penal nr. 696/2025 për veprën penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal në ngarkim të oficerit të policisë gjyqësore J.P.
Nga hetimet e kryera rezulton se oficeri i policisë gjyqësore dyshohet se ka fshehur të dhëna hetimore me rëndësi për hetimin, të përftuara nga kqyrja e aparatit celuar të sekuestruar në kuadër të një procedimi penal me nr.592/2024 të regjistruar për veprën penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/6 të Kodit Penal që lidhet me transportimin e dhjetë armëve “Glock” dhe njëqind e pesëdhjetë plumbave në drejtim të Sarandës në datë 13.09.2024.
Për sa më sipër, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Sarandë kërkoi caktimin e masës së sigurimit “Arrest me burg” parashikuar nga neni 238 të Kodit Penal.
Gjykata vendosi të caktojë ndaj personit nën hetim masën e sigurimit “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” parashikuar nga neni 242 të K.Pr.Penale.
Komente
