TIRANË - Të premten e 18 korrikut në ambientet e 'Shtëpisë së Futbollit', Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) organizoi hedhjen e shortit për sezonin e ri të Superligës, i cili është i 87-ti në histori. Kampionati elitar në vend do të nisë më datën 23 gusht 2025 dhe është planifikuar të përfundojë në muajin maj 2026. Skuadrat e Superligës për edicionin 2025-26: KF Egnatia, KF Vllaznia, FC Dinamo City, KF Partizani, AF Elbasani, KF Teuta, FK Bylis, KF Tirana, FK Vora dhe KF Flamurtari.
Bie në sy se gjatë javës së parë luhet Vllaznia - Egnatia, sfida finale e edicionit të shkuar ku rrogozhinasit fituan 0-4 dhe ngritën për herë të dytë në histori trofeun e kampionit. Partizani luan me Vorën e ngjitur në elitë për herë të parë, Teuta pret Dinamon, AF Elbasani përballet me Flamurtarin e rikthyer, ndërsa në "Adush Muça" Bylisi luan kundër Tiranës. Derbi i parë i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës do luhet edhe këtë sezon në javën e gjashtë në "Air Albania", me "Demat" që janë vendas.
Skema e re e "Final 4"
Para hedhjes së shortit për sezonin e ri, FSHF u kujdes të sqaronte ndryshimin e skemës së "Final 4", mini-turneu që në fund do vendos edhe fituesin e sezonit. Katër skuadat që renditen të parat pas 36 javëve të rregullta do i drejtohen fazës "Final 4". Të katër skuadrave do u përgjysmohen pikët, teksa do zhvillojnë nga tre ndeshje secila, me gjashtë ndeshje shtesë në Superligë. Të gjitha ndeshjet do zhvillohen në "Air Albania" dhe në bazë të pikëve të mbledhur edhe nga sezoni i rregullt (i përgjysmuar), do kemi ekipin fitues të sezonit dhe skuadrat që do marrin pjesë në Kupat e Evropës.
Shorti, Java e parë:
Partizani - Vora
Teuta - Dinamo
Vllaznia - Egnatia
AF Elbasani - Flamurtari
Bylis - Tirana
Rregullat e sezonit
Kampionati është me 4 faza të rregullta, vajtje - ardhje.
Renditja pas 36 javëve përcakton pjesëmarrësit në 'Final 4'.
Katër ekipet e para kualifikohen në 'Final 4'.
Pikët në 'Final 4' do të përgjysmohen, duke marrë për bazë vlerën më të ulët.
Do të luhen në total 6 ndeshje dhe skema është e tillë:
Java 1
Vendi 1 vs Vendi 4
Vendi 2 vs Vendi 3
Java 2
Vendi 1 vs Vendi 3
Vendi 2 vs Vendi 4
Java 3
Vendi 1 vs Vendi 2
Vendi 3 vs Vendi 4
Të gjitha ndeshjet zhvillohen në stadiumin “Air Albania”.
Pjesëmarrësit në kompeticionet europiane përcaktohen nga renditja e 'Final 4'.
Vendi 9 dhe 10 i Superligës bie nga kategoria.
Vendi tetë i Superligës shkon në “play out”.
Në rast barazimi pikësh midis dy ose më shumë ekipeve në fazën 'Final 4', renditja përcaktohet sipas kritereve në vijim:
– Pikët e grumbulluara në ndeshjet direkte gjatë kampionatit dhe fazës Final 4;
– Diferenca e golave (shënuar - pësuar) në ndeshjet direkte gjatë kampionatit dhe fazës 'Final 4';
– Diferenca e përgjithshme e golave në të gjithë sezonin (kampionati + 'Final 4').
(Kliko këtu për të parë kalendarin e plotë)
Komente
