Sociale

Sezoni turistik, fluks emigrantësh në portin e Vlorës! Mbi 600 pasagjerë mbërrijnë nga Italia (VIDEO)

6 Korrik, 08:26| Përditesimi: 6 Korrik, 09:26

  • Share

Vlorë- Sezoni turistik në Vlorë po hyn në kulmin e tij, ndërsa fundjavat po shënojnë rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve dhe pushuesve që vijnë në qytetin bregdetar. Përveç turistëve vendas dhe të huaj, këtë vit vihet re edhe një prani e madhe e emigrantëve shqiptarë, kryesisht nga Italia, të cilët kanë zgjedhur që pushimet verore t’i kalojnë pranë familjeve të tyre në atdhe.

Vetëm mëngjesin e sotëm (6 korrik), në portin e Vlorës kanë mbërritur mbi 600 pasagjerë me tragete nga portet italiane. Sipas autoriteteve portuale, lëvizjet nga Italia drejt Vlorës kanë njohur rritje të ndjeshme krahasuar me një vit më parë, ndërsa pritet ndërsa pritet që të kemi fluks përgjatë gjithë korrikut dhe gushtit.

Shumë prej tyre janë emigrantë që jetojnë prej vitesh në shtetin fqinj, të cilët këtë verë kanë vendosur t’i kalojnë pushimet në Shqipëri, jo vetëm për të qenë pranë familjarëve, por edhe për të shijuar bregdetin, natyrën dhe ofertat turistike që ofron Vlorë dhe rrethinat e saj.

Operatorët turistikë dhe bizneset e zonës shprehen optimistë për ecurinë e sezonit, ndërsa strukturat akomoduese, si hotelet, resortet dhe shtëpitë me qira po regjistrojnë një nivel të lartë rezervimesh, veçanërisht gjatë fundjavave.

Plazhet e Vlorës, Orikumit, Zvërnecit dhe përgjatë gjithë Rivierës janë çdo ditë e më të frekuentuara, ndërsa në mbrëmje qyteti gjallërohet me vizitorë që shëtisin përgjatë Lungomares, frekuentojnë lokalet, restorantet dhe eventet kulturore që organizohen gjatë sezonit veror.

Ndërkohë, autoritetet vendore dhe ato të rendit kanë shtuar masat për të garantuar sigurinë, rendin dhe pastërtinë, me qëllim ofrimin e një sezoni sa më të qetë për pushuesit dhe vizitorët.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama paralajmëron aksion për lirimin e hapësirave publike, si e vlerësoni?