Futbollistët e Vllaznisë bojkotojnë stërvitjen, kërkojnë rrogat e prapambetura, Lici: Brenda dy javëve do t'i jepet zgjidhje

21 Maj 2020, 18:17| Përditesimi: 21 Maj 2020, 18:56

  • Share

Futbollistët e Vllaznisë kanë bojkotuar sot stërvitjen për shkak se kërkojnë rrogat e prapambetura.

Ata kërkojnë pagat e muajit shkurt, mars dhe prill të cilat janë bllokuar nga Këshilli Bashkiak. Kjo ishte stërvitja e katërt që pas lejimit të stërvitjeve nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Të grumbulluar në fushën e Golemit, pak kilometra larg Shkodrës, ata kanë pritur administratorin Suad Lici. Ky i fundit ka ardhur dhe ka nisur të diskutojë për problematikat që ka klubi dhe kërkesat emergjente të futbollistëve.

Ashtu siç duket edhe në pamje, debati mes Licit dhe lojtarëve ka vazhduar për disa minuta. Këta të fundit kane vendosur që në rast se nuk marrin rrogat, të bojkotojnë stërvitjen. Ata do te vijojnë kështu derisa të marrin një zgjidhje të problemit.

Lici shprehet se ka biseduar me kryetarin e Këshillit Bashkiak dhe se brenda dy javësh shpresohet për një zgjidhje.

"Nuk është problematikë e re, jemi të detyruar të zbatojmë ligjet e shtetit shqiptar  pasi nuk janë miratuar bilancet e viti 2018 kemi, pavarësisht se e kemi të miratuar e kemi të bllokuar. Nuk mund të paguaj një punë të pabërë, kshtu që duhet të zbatojmë ligjet e shtetit shqiptar. Gjendja e pandemisë ka bërë të vetën.Shpresojmë që brenda dy javëve të jepet zgjidhje, deri në muajin janar ata janë të paguar 100%. Një muaj a më tepër i kemi borxh futbollistëve. Kam diskutuar me kryetarin e këshillit bashkiak se është një strukturë prej 40 personash që kanë 5 muaj pa u paguar. Kemi tre ditë që futbollistët nuk po marrin trajtim ushqimor, pasi kishte mbaruar kontrata, ndërkohë po ushqehen me financat e veta", është shprehur Lici.

Në lidhje me rikthimin në fushë ai është shprehur se do të marrin më të mirën nga skuadra e Vllaznisë

"E kemi marrë të gjithë çunat bashkë, ekipi ka 5 muaj pa u pagu. Muaji i fundit ka qenë janari. Pranojmë edhe një pagë minimale. Këta thonë se problemin e ka Këshilli Bashkiak, por nuk e di thjesht duam një zgjidhje. kemi vendosur derisa të na japin një zgjidhje", tha kapiteni, Gilman Lika.

Më herët për Report Tv Ndriçim Shtubina, një nga lojtarët e klubit të Vllaznisë deklaroi se kanë tre muaj pa u paguar. Duket se pandemia ka rënduar më shumë xhepat e futbollistëve, ndërsa sot situata është bërë e padurueshme.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?